1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Mbahet seanca konstituuese e parlamentit të ri gjerman

Sot u mblodh për herë të parë parlamenti i ri i RFGj. Qeveria nuk është formuar akoma, por kjo nuk pengoi që parlamenti të nisë punën.

Deputetët e parlamentit të ri gjerman u mblodhën sot në takimin e tyre të parë. Deputeti më i moshuar, Heinz Riesenhuber (CDU), hapi seancën, në të cilën merrnin pjesë 631 përfaqësuesit e zgjedhur. Në fjalimin e tij 77 vjeçari përshëndeti „të rinjtë“ në parlament dhe kujtoi kolegët e grupit parlamentar të demokratëve të lirë, që nuk janë më të përfaqësuar në parlament. Riesenhuber u kujtoi deputetëve sfidat e mëdha, që vijnë nga ndryshimi demografik dhe pasojat e tij në politikat e tregut të punës dhe familjes. Tranzicionin në përftimin e energjisë ai e quajti një detyrë të madhe komplekse, e cila duhet të derdhë në një „ekonominë dhe mjedisin“. Riesenhuber i inkurajoi kolegët e tij që të arrijnë kompromisin për krijimin e qeverisë, sepse nuk duhet të ketë qëndrim në vend.

Deputeti më i moshuar, Heinz Riesenhuber (CDU), hapi takimin

Deputeti më i moshuar, Heinz Riesenhuber (CDU), hapi seancën

Ndoshta do të ishte e dobishme, tha Riesenhuber, sikur deputetët e grupeve të ndryshme parlamentare të pinin nga një birrë me njëri-tjetrin. Deputetët e ndërprenë fjalimin plot humor me duartrokitje dhe të qeshura. Pas fjalës së tij Riesenhuberi ia la vendin zgjedhjes së kryetarit të parlamentit dhe zëvendësve të tij.

Siç pritej detyrën e kryetarit të parlamentit do ta kryejë politikani i Unionit Kristian Demokrat (CDU), Norbert Lammert , i cili mban këtë post që nga viti 2005. Për të votuan 591 deputetë. Pati 26 vota kundër dhe tetë abstenime. Lammert falendëroi grupin e tij parlamentar për nominimin, „edhe pse ai e di se mënyra se si i kuptoj unë detyrat, që lidhen me këtë post, nuk shkaktojnë gjithmonë eufori.“

Në fjalimin e tij politikani i Unionit Kristian Demokrat Lammert theksoi se parlamenti nuk duhet të presë përfundimin e negociatave për koalicionin qeverisës, që të fillojë punën e tij, kontrollin e qeverisë. Lammert shprehu keqardhjen për pikat e shumta të rendit të ditës, që në të kaluarën janë trajtuar pa debate. "Ne kemi nevojë ose për më shumë disiplinë, ose për më shumë javë seancash."

Norbert Lammert (CDU) rizgjidhet kryetar parlamenti

Norbert Lammert (CDU) rizgjidhet kryetar parlamenti

Në fjalën e tij Lammert theksoi rritjen e numrit të grave në parlament, me rreth katër përqind në 36,3%. Në parlamentin e ri ka 402 deputetë dhe 229 deputete. Më i riu në mesin e tyre është Mahmut Özdemir nga PSD, i lindur 1987, dhe më e reja është deputetja e Unionit Kristian Social (CSU), Emmi Zeulner, e lindur po ashtu 1987. 230 deputetë janë për herë të parë në parlament. "Demokracia është një formë e qeverisjes, në të cilën nuk qeveriset më mirë, nga sa e meriton", tha Lammert në fund.

Pas kësaj u zgjodhën zëvendëskryetarët e parlamentit. Që këtu doli në shesh hendeku ndërmjet PSD dhe Unionit nga njëra anë dhe të Gjelbërve dhe të Majtëve ana ana tjetër. Partitë e mëdha e kanë realizuar kërkesën e tyre për gjashtë vende zëvendëskryetarësh. Në të ardhmen do të ketë dy zëvendëskryetarë nga Unioni, dy nga PSD dhe një nga të Majtët dhe të Gjelbrit.

64 deputetët e së Majtës dhe 63 deputetët ekologjistë kanë dyshime të mëdha, nëse do ta kryejnë siç duhet rolin e opozitës në rastin e një koalicioni të madh. Humbja në përcaktimin e numrit të nënkryetarëve mund të merret si preludi i kohëve të vështira.