1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Mbështetje për Kopenhagën

Presidentët dhe kryeministrat e 27 vendeve anëtare të BE-së janë mbledhur në Bruksel në një samit dyditor. Temat kryesore të ditës së parë ishin mbrojtja e klimës dhe përpjekjet për rimëkëmbjen ekonomike.

Në foto: Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti francez Nicolas Sarkozy.

Vendet e Evropës perëndimore po përpiqen të bindin fqinjët e tyre më të varfër në Lindje të bashkohen në një front të përbashkët për mbrojtjen e klimës.

Vendet e BE-së duan të nënvizojnë rolin e tyre udhëheqës në mbrojtjen e klimës. Prandaj kanë vendosur që në samitin e Brukselit të ndajnë ndihma emergjente për arritjen e këtre objektivave. Ndihmat emergjente për periudhën prej vitit 2010 deri 2012 kapin shuma miliardëshe. Presidentët dhe kryeministrat kanë rënë dakord deri tani për dhënien e më shumë se pesë miliardë eurosh, ndërsa pritet që shuma të premten (11.12.) të rritet. Ndër të parat që ofruan ndihma ishin Britania e Madhe, Belgjika, Finlanda etj. Ndihma do të japë edhe Gjermania, konfirmoi Kancelarja Angela Merkel.

"Gjermania do të marrë pjesë në projektet afatshkurtra dhe afatgjata në mënyrë që vendet e varfëra të kenë mundësi për përgatitje në kohën e ndryshimit të klimës dhe të luftojnë këtë dukuri. Nga kjo varet edhe suksesi i samitit të Kopenhagës."

Në Kopenhagë duhet të vendosen themelet e një politike të re për ruajtjen e klimës. Marrëveshja pasuese e asaj të Kiotos do të hyjë në fuqi më 2013, por BE-ja do që të veprohet menjëherë.

Kancelari austriak Werner Faymann.

Kancelari austriak Werner Faymann.

Kancelari austriak Werner Faymann, pohon: "Sa më parë që të fillohet, aq më shumë katastrofa mund të evitohen. Katastrofat e klimës nuk bëjnë pushim për shkak të ndonjë krize ekonomike. Prandaj mendoj se masat duhet të ndërmerren menjëherë por se sa do të angazhohen vendet nuk mund ta them, sepse është tepër herët."

Ndonëse shefat e BE-së kanë përcaktuar si prioritet temën e ruajtjes së klimës, në axhendë janë edhe problemet ekonomike. Në radhë të parë gjendja kritike në Greqi, e cila me 12,7 për qind borxhe të reja, ka ulur në mënyrë dramatike aftësinë e saj për të marrë kredi. Megjithatë shumica e udhëheqësve të shteteve anëtare të BE-së nuk shohin ndonjë rrezik për stabilitetin e euros.

Kryeministri i Luksemburgut Jean-Claude Juncker.

Kryeministri i Luksemburgut Jean-Claude Juncker.

Ndër ta është edhe Kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker: "Greqia ka ndërmarrë masat e para për konsolidim dhe do të ndërmarrë hapa të tjerë. Nuk jam i një mendimi me ata të cilët thonë se Greqia gjendet para një falimentimi shtetëror."

Por duhet vepruar shpejt, theksoi Kancelarja gjermane Angela Merkel, me shpjegimin se vendet kanë rënë dakord për përmirësimin e gjendjes buxhetore pas krizës ekonomike: "Ajo që ndodh në një vend anëtar mund të influencojë edhe vendet tjera, në veçanti kur kemi një monedhë të përbashkët. Prandaj përgjegjësinë e mbajmë të gjithë së bashku."

Kryeministri britanik Gordon Brown u angazhua që të futen tatime të posaçme për shpërblimet e manaxherëve të bankave. Këtë ide e ka mbështetur në radhë të parë Franca. Kancelarja Angela Merkel i ka quajtur këto plane "ide tërheqëse", por Gjermania ende nuk është pozicionuar përfundimisht.

Autor: Susanne Henn / Bahri Cani

Redaktoi: Eliana Xhani

DW.COM

  • Data 11.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KznO
  • Data 11.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KznO