1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Mbështetje për dialogun Kosovë-Serbi

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, takohen në Bruksel (06.02.2013) me ndërmjetësimin e shefes për politikën e jashtme dhe të sigurimit të BE-së Catherine Ashton.

Takimi ndërmjet presidentës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe atij të Serbisë Tomisllav Nikoliq, do t'i japë mbështetje dialogut Kosovë-Serbi. Kështu thotë për DW, zëdhënësi i presidentes së Kosovës, Arbër Vllahiu: “Është takim në nivelin më të lartë shtetëror, ndërmjet Presidentëve të të dyja vendeve. Do t'i jepet mbështetje dialogut që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet kryeminstrave të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.”

Takimi i presidentës së Kosovës dhe atij të Serbisë është i pari i këtij niveli të lartë ndërmjet dy vendeve. Pas një viti bisedimesh në nivelin e cilësuar si teknik, Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar edhe katër takime në nivel të lartë politik ndërmjet kryeministrave Hashim Thaçi e Ivica Daçiq.

EU-Außenbeauftragte Catherine Ashton Ivica Dacic Hashim Thaci

Catherine Ashton, Ivica Daçiq dhe Hashim Thaçi

Dy javët e ardhshme thelbësore për dialogun Kosovë-Serbi

Në një fjalim të mbajtur në Konferencën e Mynihut mbi Sigurinë, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton, i ka cilësuar dy javët e ardhshme kyçe për dialogun e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Në punën tonë, ne kemi udhëtuar në Ballkan në mbështetje të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe unë dua të çmoj trimërinë e atyre në Prishtinë dhe në Beograd që kanë lënë mënjanë historinë për t'u bashkuar. Dua t'ju them të gjithëve se dy javët e ardhshme do të jenë thelbësore”, tha Ashton para të pranishmëve në konferencën e Mynihut.

Mediat në Prishtinë, ndërkaq, shkruajnë se takimi Jahjaga-Nikoliq, është edhe një përpjekje e përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, për të zgjeruar mbështetjen për kompromise të reja në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, Ardian Arifaj, nga Instituti për Hartimin e Politikave Zhvillimore, KIPRED, thotë se takimi Jahjaga-Nikoliq, ka një rëndësi më shumë simbolike sesa që mund të merren vendime. “Ky do takim do të ketë rëndësi të madhe për kryeministrin e Serbisë Ivica Daqic, për faktin që ai deri tash ka qenë i vetmi që e ka bartur barrën e bisedimeve me Kosovën, përderisa vet presidenti i Serbisë ka qenë më i ashpër në qëndrime sa i përket dialogut me Kosovën”, thotë Adrian Arifaj.

Clinton und Ashton mit Jahjaga in Kosovo

Atifete Jahjaga, Hillary Clinton dhe Catherine Ashton

Edhe profesori i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, takimin ndërmjet presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga dhe presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliq e sheh me shumë si një takim simbolik, që megjithatë e ka peshën e vet, për faktin që takohen dy krerët më të lartë të Kosovës dhe Serbisë.

“Takimi Jahjaga Nikoliq, e ka simbolikën e vet dhe këtë e shoh si fillimin e fundit të zënkave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, edhe Kosova edhe Serbia do të vazhdojnë me trendin e tyre të qëndrimeve deri në momentin kur procesi do tu imponojë të dyja vendeve ta njohin njëra tjetrën dhe bashkarisht të afrohen me Bashkimin Evropian”, thotë profesor Afrim Hoti.

Takimin e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga me presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikoliq, e ka kundërshtuar Lëvizja Vetvendosje dhe organizata “Thirrjet e Nënave”, që angazhohet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në një letër drejtuar presidentes, Atifete Jahjaga, organizata ”Thirrjet e Nënave”, kërkon nga presidentja që mos ta takojë presidentin serb sepse ato e cilësojnë Nikoliqin, “antishqiptar”.