1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Mbështetje në krizën më të rëndë- Bundestagu voton për zgjerimin e ombrellës së euros

Bundestagu Gjerman i dha qeverisë dritë të gjelbër për kursin e shpëtimit të euros. Pas një debati të ashpër parlamentarët ia dhanë mbështetjen kancelares për takimin e nivelit të lartë të BE në Bruksel.

Kancelarja Merkel para votimit për euron në Bundestag

Kancelarja Merkel para votimit për euron në Bundestag

Pas deklaratës së saj qeveritare Angela Merkeli dukej e qetë siç nuk kishte qenë prej kohësh. Duke buzëqeshur e përmbajtur ajo qe ulur në vendin e saj, dukshëm e kënaqur me fjalimin që sapo mbaroi. Për 34 minuta, kancelarja pikturoi një pamje dramatike të krizës evropiane të borxheve, fshikulloi politikën e papërgjegjshme të evropianëve, skicoi masat e mundshme të shpëtimit, kërkoi rregullime të tjera në tregjet financiare si dhe ndryshime në Marrëveshjet Evropiane si dhe bëri thirrje për përgjegjësinë historike të politikës. "Bota i ka kthyer sytë nga Gjermania dhe nga Evropa. Ajo sheh nëse ne jemi të gatshëm dhe në gjendje, në orën e krizës më të rëndë të Evropës që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore që të marrim përsipër përgjegjësi", tha kancelarja gjermane. "Po dështoi euroja, atëherë dështon Evropa", tha Merkeli - "në asnjë mënyrë nuk është e vetëkuptueshme paqja që ka ekzistuar në Evropë për gjysmë shekulli",

"Ne të gjithë hyjmë në territor të panjohur. Zgjidhje të thjeshta, me një të rënë të lapsit nuk do të ketë", tha kancelarja duke pasur parasysh zgjerimin e Fondit të Stabilizimit Financiar të euros EFSF. Ajo që ka rëndësi megjithatë, tha kancelarja gjermane, është që edhe Bundestagu Gjerman të marrë përsipër përgjegjësinë për shpëtimin e euros.

" Ai që kërkon gjithmonë që kredtiorët privatë të marrin pjesë në ruajtjen nga Greqia të aftësisë për të paguar, ai duhet të kujdeset, që të vendoset edhe për një ruajtje dhe mbrojtje nga rreziqet e infektimit. Gjithçka tjetër do të ishte thjesht një veprim i papërgjegjshëm."

Kështu iu bëri thirrje kancelarja deputetëve. Por shumica e tyre patën sinjalizuar që para fillimit të debatit se do të mbajnë anën e qeverisë dhe se do të mbështesin në pjesën më të madhe aftësimin e ombrellës së shpëtimit të euros EFSF.

Njohje e arritjeve të grekëve

Kjo megjithatë nuk e ndaloi opozitën që të kritikonte ashpër menaxhimin nga qeveria të krizës në muajt e fundit. Shumë nga këto fjali do të më kishte pëlqyer që t'i dëgjoja një vit më parë, tha shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate Gjermane, SPD, Frank Walter Steinmeier për fjalimin e kancelares. "Për shembull fjalinë e mirë dhe të drejtë për njohjen e përpjekjeve vetjake të grekëve. Para një viti kjo do të kishte qenë shumë e nevojshme të dëgjohej në këtë ndërtesë edhe përballë publikut". Në vend të kësaj, kancelarja pati zgjuar antipati dhe paragjykime tek grekët, me të cilat tani asaj i duhet të luftojë.

Grupi i tij parlamentar diskutoi për një kohë të gjatë nëse do ta mbështesë qeverinë në votimin më pas në Bundestag, tha politikani socialdemokrat. Por në fund u arrit në pikëpamjen se grindjet për politikat partiake duhet të lihen mënjanë përballë gjendjes dramatike.

Edhe kryetari i Grupit Parlamentar të të Gjelbërve, Jürgen Trittin e bëri të qartë në fjalën e tij se të Gjelbrit mbështesin qeverinë në këtë çështje. Megjithatë ai e quajti taktikë të hedhjes hi syve faktin që kancelarja nuk e përmendi asnjëherë në fjalën e saj fjalën "levë" për mënyrën si mendohet të strukturohet Fondi i shpëtimit të Euros EFSF.

Kancelarja pati theksuar më parë në fjalën e saj se vetëm një falje e pjesshme e borxheve Greqisë nuk do t'i zgjidhë problemet. Grekëve do t'u duhet tani të zbatojnë reforma të dhimbshme dhe për BE tani ka rëndësi që marrëveshjet bazë të ndryshohen në një mënyrë të tillë sa Pakti i Stabilitetit të vihet mbi një bazë të re.

503 nga 596 deputetët e pranishëm në Bundestagun Gjerman votuan në fund për zgjerimin e ombrellës mbrojtëse të euros. 89 parlamentarë votuan kundër, katër abstenuan.

Autore: Sabine Kinkartz/ Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama