1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Mbështetja e Merkelit për Juncker-in forcon BE

Ajo rrallë shpreh herët vendimin e saj. Por tani Merkel deklaroi se mbështet Junckerin si President të Komisionit. Kjo i kursen humbjen e fytyrës Junckerit dhe Parlamentit, komenton Andreas Noll.

default

Angela Merkel i dha vetes një shtysë para besimtarëve. Me Ditën e Katolikëve kancelarja gjermane shfrytëzoi pikërisht një aktivitet masiv të bazës së kishës katolike, për t'u shprehur aq qartë për Jean-Claude Juncker si President të Komisionit Evropian, si nuk e ka bërë deri tani që prej përfundimit të zgjedhjeve evropiane. Merkel e ka mbështetur deri tani kryeministrin e Luksemburgut vetëm në cilësinë e saj si politikane konservatore, por jo si kryetare e qeverisë gjermane. Nëse kancelarja, e cila nuk ka qenë kurrë përkrahëse e flaktë e kandidaturës së Junckerit, beson tani se politikani konservator do të bëhet President i Komisionit të BE-së, mbetet një herë për një herë sekreti i saj. Pasi shanset e Junckerit vërtet janë rritur nga mbështetja e Merkelit, por ka ende rrugë për të bërë deri në zgjedhjen e tij. Dhe është pozitive që gruaja më e fuqishme e Evropës shpreh mbështetje për fituesin e zgjedhjeve evropiane.

Në rritje mbështetja për Junckerin në Gjermani

Momenti i zgjedhur për deklaratën e saj nuk duhet të ketë qenë aspak i rastësishëm, pasi të paktën në Gjermani numri i mbështetësve me peshë të kristiandemokratit është në rritje. Që pas samitit të BE-së të martën, në të cilin kryetarët e shteteve dhe qeverive arritën të bien dakord vetëm për pikat e programit të Komisionit të ardhshëm të BE-së, Merkeli ndjeu pakëqënaqësinë e gazetarëve për qendrimin e saj taktik. Ditët e fundit kjo u bë edhe më e fortë. Një koalicion i papritur është formuar për ta ndihmuar 59-vjecarin të marrë atë që i takon. "Juncker-i duhet të bëhet president", kërkon sot shefi me shumë influencë i shtëpisë botuese Axel-Springer, Mathias Döpfner në gazetën BILD. Në Frankfurter Allgemeine, Jürgen Habermas, filozofi më i rëndësishëm bashkëkohor, paralajmëron ndaj një gare kandidatësh, që mund t'i bllokonte rrugën për në krye të Komisionit kandidatit kryesor të konservatorëve: kjo "do të godiste në zemër" projektin evropian.

Si për menaxherin e shtëpisë botuese, edhe për filozofin nuk bëhet fjalë për Jean-Claude Juncker-in si person apo për programin e tij, i cili ngjan shumë me atë të sfiduesit socialdemokrat Martin Schulz. Jo, ata janë të shqetësuar për demokracinë evropiane. Çfarë do të ndodhte me projektin "Bashkim Evropian", i cili po sulmohet me gjithnjë e më shumë sukses nga populistët e spektrit të majtë dhe të djathtë, nëse tani edhe eksperimenti për një kandidat kryesor të përfundonte në katastrofë? Një fushatë elektorale me sloganin "Njeriu ynë për presidencën e Komisionit", ka lënë gjurmë të paktën në Gjermani.

Jo goditje vdekjeprurëse për BE

E megjithatë Evropa nuk do të merrte një goditje vdekjeprurëse nëse në fund në krye të Komisionit do të vihet një kandidat i ri. Kush është i sinqertë, përballë pjesëmarrjes së pandryshuar të ulët në zgjedhje apo kuotat e dobëta të shikueshmërisë gjatë debateve të kandidatëve në TV, konstaton se projekti "kandidati kryesor" nuk ishte ndonjë sukses i madh. Por edhe kush sheh me kthjelltësi ekuilibrin e forcave të insititucioneve të BE-së, duhet të pranojë se Presidenti i Komisionit të BE-së nuk është kryetar qeverie që përgjigjet para një maxhorance në parlament. Vërtet Parlamenti Evropian vitet e kaluara ka fituar gjithnjë e më shumë kompetenca, por e drejta fiskale deri tani nuk bën pjesë në to. Pra deputetët punojnë me një buxhet, i cili në pjesën më të madhe ushqehet nga taksa, për të cilat ata nuk kanë asnjë të drejtë vendimmarrjeje. Pra është më se logjike që kryetarët e shteteve dhe qeverive përreth Komisionit, qendrës së tretë të pushtetit të BE-së, të luftojnë me të gjitha mjetet. Në fund të fundit në Bruksel është Komisioni ai që gjeneron inisiativat e reja ligjore, dhe influencon kështu drejtimin e BE-së.

Që Angela Merkeli tani u pozicionua më qartë se më parë në mbështetje të Jean-Claude Junckerit, është megjithatë një lajm i mirë. Sepse në situatën aktuale, vetëm pak ditë pas zgjedhjeve evropiane rrezikonte një turpërim i dyfishtë: distancimi i qartë kryetarëve të shteteve dhe qeverive nga Juncker-i dy ditë pas zgjedhjeve ishte një goditje e pandershme, jo vetëm për Junckerin por edhe për Parlamentin Evropian. Ky i fundit ishte shprehur qartë për negociata nën drejtimin e konservatorëve.

Me mbështetjen e saj për Junckerin, të formuluar sipas stilit të saj me "nëse dhe ndoshta", Angela Merkel ka arritur dy gjëra: kancelarja i ka shprehur respekt fituesit të zgjedhjeve dhe Parlamentit. Nëse në fund Juncker-i do të përfundojë vërtet në karrigen e Presidentit të Komisionit dhe Evropës do t'i kursehet një luftë pushteti paralizuese mes Këshillit dhe Parlamentit, mbetet ende e hapur. Por të paktën gruaja më e fuqishme e Evropës pengoi një gjë: që të ndihen të konfirmuar në akuzat e tyre për mashtrim dhe gënjeshtra në çdo cep të BE-së populistët majtas dhe djathtas. Kjo është diçka që duhet të na gëzojë.