1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbështetje për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor - Samiti i Sarajevës

2 Qershor 2010

Ministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian deklaruan në prag të takimit në Sarajevës se ky samit paraqet një mbështetje të fuqishme të përspektivës evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor.

https://p.dw.com/p/Nfbs
Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme dhe sigurisë Catherine Ashton, ministri i Jashtëm i Bosnje - Hercegovinës Sven Alkalaj, dhe ministri i Jashtëm spanjoll Angel Moratinos, në samitin e Sarajevës.
Fotografi: picture alliance/dpa

Ministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian deklaruan në Sarajevë se samiti i zhvilluar atje me vendet e Ballkanit Perëndimor, paraqet mbështetje të fuqishme të perspektivës evropiane për vendet e këtij rajoni.

Selia e Komisionit të BE-së në Sarajevë.
Selia e Komisionit të BE-së në Sarajevë.Fotografi: DW

Ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Angel Moratinos, i cili ishte edhe bashkëorganizator i samitit, theksoi se ka ardhur koha që Ballkani Perëndimor të ecë me hapa më të fuqishëm drejt Bashkimit Evropian, i cili, sipas tij, do të insistojë në forcimin e perspektivës evropiane për këtë rajon.

Në konferencën për shtyp të organizuar pas takimit, Moratinos u shpreh se në të ardhmen kërkohet një angazhim dhe përgjegjësi më e madhe e të gjithë partnerëve me qëllim që sa më parë të përfundojë procesi i pajtimit mes vendeve të këtij rajoni dhe të realizohen qëllimet e parashtruara për anëtarësim në BE. Ministri i Jashtëm i Spanjës kundërshtoi mundësinë e caktimit të një përfaqësuesi të lartë të BE-së për këtë rajon, me shpjegimin se secili vend duhet të marrë përgjegjësinë për zhvillimet në vendin e vet dhe për bashkëpunimin rajonal.

Ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Angel Moratinos.
Ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Angel Moratinos.Fotografi: dpa

Komisioneri për zgjerimin e BE-së Stefan Füle ishte i mendimit se nga Sarajeva është dërguar një sinjal shumë i fuqishëm i përcaktimit të BE-së për një perspektivë të hapur për anëtarësimin e vendeve të këtij rajoni. Ky sinjal, sipas tij, duhet të stimulojë edhe më shumë vendet e rajonit që të angazhohen në plotësimin e kushteve për anëtarësim. Sa i përket Kosovës, Füle theksoi se ajo së bashku me vendet tjera duhet të ketë të hapur perspektivën e anëtarësimit në BE.

Në takimin e nivelit të lartë u miratua një deklaratë e përbashkët në të cilën theksohet përkushtimi i BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor. Në këtë dokument thuhet se "BE-ja rikonfirmon përkushtimin e saj ndaj perspektivës së Ballkanit Perëndimor për anëtarësim, që paraqet edhe bazën për stabilitetin dhe zhvillimin e këtij rajoni."

Vendet e rajonit duhet të vazhdojnë me vendosmëri reformat e filluara politike, ekonomike, në drejtësi dhe në fushat e tjera. Sundimi i ligjit radhitet ndër sfidat kryesore të këtyre vendeve. Ndërkohë që përmenden edhe sfida të tjera si liria e shtypit, kthimi i refugjatëve, vazhdimi i procesit të pajtimit në Ballkan dhe bashkëpunimi rajonal.

Komisioneri për zgjerimin e BE-së Stefan Füle.
Komisioneri për zgjerimin e BE-së Stefan Füle.Fotografi: AP

Më parë shefi i diplomacisë italiane, Franko Frattini bëri të ditur se një prej çështjeve prioritare është edhe liberalizimi i vizave për të gjithë qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Delegacionin e Shqipërisë në këtë takim e udhëhoqi ministri i Jashtëm Ilir Meta, ndërsa atë të Kosovës homologu i tij Skënder Hyseni. Në takim morën pjesë edhe ministrat e jashtëm të vendeve të tjera të rajonit, përfaqësuesit e BE-së, Këshillit të Evropës, NATO-s, SHBA-së, Rusisë dhe Turqisë.

Autor: Bahri Cani / dpa

Redaktoi: Eliana Xhani

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë