1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbështetja e procesit të integrimit europian të Ballkanit Perëndimor një nga prioritetet e Presidencës spanjolle

25 Janar 2010

Ambasadori i Spanjës Manuel Mantobio tha për DW se Ballkani Perëndimor ndodhet tani në fazën e kalimit nga MSA me BE në atë të anëtarësimit, ku BE duhet t' i hapë rajonit një perspektivë të re.

https://p.dw.com/p/LgWe
Ambasadori spanjoll në Tiranë, Manuel MontabinoFotografi: DW

Presidenca spanjolle e BE në 6 mujorin e parë të këtij viti ka zgjedhur si motto të saj “Innovating Europe”, në shqip "Ripërtëritja e Europës.”

Kjo motto përkon me momentin strategjik, ku ka hyrë Europa pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës, tha në Tiranë ambasadori spanjoll Manuel Montabio gjatë prezantimit zyrtar të prioriteteve të presidencës spanjolle. Ai theksoi se ”ky traktat hap një periudhë të re për të krijuar një Europë më të fortë, më të bashkuar dhe më efikase për t'iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve të saj”

Presidenca spanjolle mbështet afrimin e Ballkanit Perëndimor me BE

Presidenca spanjolle e BE e vendos në këtë kontekst të ri edhe zgjerimin e BE me vende të reja nga Ballkani Perëndimor. Faza e re, që hap hyrja në fuqi e Traktatit të Lisbonës, përkon edhe me kalimin e Ballkanit Perëndimor në një fazë të re: nga Marrëveshjet e Stabilizim- Asocimit me BE në atë të anëtarësimit, tha ambasadori spanjoll ne Tirane, Manuel Montabino, duke premtuar se Spanja gjatë presidencës së saj të BE do të mbështesë ketë process për vendet e Ballkanit Perëndimor. .

Moment kyç gjatë presidencës spanjolle, takimi i ministrave të jashtëm të BE me ata të Ballkanit Perëndimor

Duke paraqitur zhvillimet, që do të ndodhin gjatë presidenceës spanjolle ai deklaroi për programin shqip të DW: “Ka një një moment kyç gjatë presidencës spanjolle te BE për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor dhe angazhimin e BE ndaj kësaj perspektive. Ky është takimi i ministrave të jashtëm të BE me ata të Ballkanit Perëndimor. Takimi zhvillohet 10 vjet pas samitit të Zagrebit, që u zhvillua pas krizës së Kosovës. Ky samit i dha rajonit perspektivën e kalimit nga zgjidhja e konflikteve në atë të MSA me BE. Tani është momenti i kalimit nga MSA tek zgjerimi i BE me vendet e Ballkanit Perëndimor. Për këtë është e domosdoshme jo vetëm që këto vende të mos kenë më konflikte, por që të jenë të afta të flasin me një zë të përbashkët në BE. Kjo është sfida e Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër është koha që edhe BE t'u japë këtyre vendeve një perspektivë të re për aspiratën e tyre për të qenë anëtare të shtëpisë sonë të përbashkët”.

Ambasadori spanjoll në Tiranë, Manuel Montabino nënvizoi rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjeve të Stabilizm- Asocimit nga ana e vendeve të Ballkanit Perëndimor si Shqipëria, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë-Herzegovina. Duke iu referuar Shqipërisë ai tha se takimi në Bruksel, më 10 maj të këtij viti i Këshillit BE- Shqipëri lidhur me zbatimin e kësaj marrveshjeje përbën një ngjarje kyçe për ecurinë e mëtejshme të procesit të integrimit europian.

Dy zhvillime të tjera të rëndësishme për Shqipërinë gjatë Presidencës spanjolle të BE

Njëra është dorëzimi nga Shqipëria në fund të muajit mars të pyetësorit të BE per vlerësimin e kërkesës së saj për të marrë statusin e vendit kandidat. Ngjarja tjetër është vlerësimi në fund të shkurtit nga misione të BE i plotësimit të standarteve për të merituar liberalizimin e vizave në hapësirën SCHENGEN të BE.

Por nota me të cilën do të vlerësojë BE progresin e Shqipërisë gjatë presidencës spanjolle do të ndikohet edhe nga klima politike në vend dhe aftësia e klasës politike për të zgjidhur me mjete politike krizën në marrdhëniet mazhorancë-opozitë . Ambasadori spanjoll Montabino përsëriti qëndrimin e njohur të BE lidhur me bojkotin e Parlamentit nga ana e opozitës.

Në demokracitë e konsoliduara jeta parlamentare zhvillohet në Parlament. Ky është një pozicion shumë i qartë i BE , Çdo idé e ndryshme politike duhet të mbrohet në Parlament.” theksoi ai.

Mospjesemarrja e opozites së majtë në Parlament mund të ndikojë në ngadalësimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, pasi BE ka axhendën e vet për të përmbushur, paralajmeroi ambasadori spanjoll ne Tiranë, Manuel Montabin.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Angjelina Verbica