1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Mazhoranca dhe opozita fajësojnë njëra- tjetrën për vonesat e integrimit europian

Për aleancën e djathtë në pushtet fajtore është opozita e majtë me qëndrimet bojkotuese dhe bllokuese, që kanë cënuar imazhin e vendit. Për koalicionin e majtë, qeveria nuk ka luftuar mjaftueshëm korrupsionin dhe krimin.

Salla e parlamentit

Salla e parlamentit

Të dy krahët e politikës, të djathtët në pushtet dhe të majtët në opozitë, prej javësh janë familjarizuar me një pritmëri jo optimiste për 12 tetorin 2011, kur Komisioni Europian do të bëjë publike vlerësimet për ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit europian. Nëse mazhoranca dhe opozita janë në një mendje se Shqipëria sërish “do të mbetet në klasë” në provimin e Brukselit, ato kanë qëndrime te skajshme në analizën e shkaqeve për situatën e krijuar.

Shehu: Sjellja e opozitës bart një psikologji revolucionare e anarkiste

Deputeti Tritan Shehu

Deputeti Tritan Shehu

Për njërin prej eksponentëve të mazhorancës, deputeti Tritan Shehu, ish ministër i Jashtëm, gjërat nuk kanë ecur mirë në 12 muajt e fundit, ngase PS dhe opozita në tërësi nuk ka asnjë kontribut në realizmin e 12 prioriteve të integrimit të vendit në BE. Shehu thotë për DW-në, se opozita është bërë pengesë në dy vitet e fundit me kushtet aburde, që vendos duke bllokuar dialogun për ndërmarrjen e reformave të kërkuara.

“Mendoj se opozita ka bërë një gabim të madh fatal për vendin, por dhe për veten e saj, për vizionin e saj. Duke bërë në këtë mënyrë që të ngadalësohet procesi i integrimit. Prej dy vjetësh qëndrimi i opozitës është absurd: i kemi parë në rrugë, duke i bllokuar ato padrejtësisht, duke bërë manifestime të dhunshme, i kemi parë duke tentuar të dëmtojnë imazhin e Shqipërisë si në rastin e pranimit në NATO, apo për liberalizimin e vizave në zonën Schengen etj. Fatkeqësisht edhe kthimi i fundit në parlament ngjan me atë të bojkotit të mëparshëm, kur në monentin e votimit të ligjeve dilte jashtë, kurse tani nuk del jashtë, por voton kundër dhe nuk merr pjesë në asnjë votim ligji, që kërkon shumicë të cilësuar të votave.”

Sipas Tritan Shehut të PD-së rikthimi i opozitës në parlament nuk mund të prashikohet, se si do të vijojë dhe se sa do t'i vlejë normalizmit të jetës parlamentare dhe miratimit të reformave.

“Për mua qëndrimet e PS-së janë të paparashikuara, qëndrimet e zotit Rama janë të paparashikuara. Ato bartin në vetvete një psikologji revolucionare, anarkiste, jobashkëpunuese ndaj dhe unë nuk mund të parashikoj, se si do të shkojnë gjërat. Shpresoj që socialistët të shfrytëzojnë mandatin, që ju kanë dhënë votuesit në shërbim të parlamentarizmit, për ta kthyer luftën politike nga rruga në sallën e Kuvendit. Për të miratuar ligjet e kërkuara, për të çtensionuar situatën në vend. Forcat e moderuara në PS duhet ta rrisin presionin ndaj lidershipit, për ta bërë këtë forcë politike bashkëpunuese për reformat kryesore”, thotë për DW, Tritan Shehu, deputet i mazhorancës së djathtë.

Bushati: Propozimi ynë prej 10 pikave nxit bashkëpunimin

Deputeti i opozitës, Ditmir Bushati.

Deputeti i opozitës, Ditmir Bushati.

Deputeti i opozitës, Ditmir Bushati, njëri nga ekspertët kryesorë të integrimit europian në PS, mendon se vlerësimi i përsëritur negativ për Shqipërinë është një kosto e pamerituar për qytetarët. Vlerësimi jo pozitiv i Komisionit Evropian, sipas tij, ka patur një sërë arsyesh thelbësore, për të cilat përgjegjësinë e mban qeveria dhe mazhoranca e djathtë.

“Elementi i parë kritik ka të bëjë me zgjedhjet e fundit lokale të 8 majit të këtij viti. Sipas deklaratës së përbashkët të 19 korrikut të baroneshës Ashton dhe komisionerit Fyle, zgjedhjet, sidomos ato në Tiranë, ishin jo të mira. Elementi i dytë kritik lidhet me faktin se përparësitë e tjera, që kanë të bëjnë me korrupsionin, me administratën publike, me krimin e organizuar, me garatimin e të drejtës pronësore nuk janë adresuar në mënyrën e duhur, çka e penalizon Shqipërinë në fitimin e statusit të vendit kandidat për në BE dhe fillimin e bisedimeve për anëtarësim.”

Bushati e përshkruan për DW-në si negativiste sjelljen e mazhorancës ndaj një propozimi me 10 pika, që ka bërë publike opozita në funksion të bashkëpunimit për realizmin e reformave. “Ky propozim konkret para 12 tetorit ishte një mundësi për marrjen e statusit të vendit kandidat, sepse nxit bashkëpunimin në aspekte kryesore, në realizmin e reformës zgjedhore, në reformën parlamentare, modernizmin e institucioneve kushtetutese, për një proces sa më objektiv për diskutimin e votimin e ligjeve, që kërkojnë 3/5 e votave në parlament. Sepse ligjet, që kërkojnë 3/5 e votave, janë ato ligje, që bëjnë shtetndërtimin dhe për këtë na duhet që të ketë një përputhje vizionesh.”

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Angjelina Verbica