1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

May: Liria e lëvizjes merr fund me Brexit

Si do të veprohet me emigrantët evropianë pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE? Për këtë po debaton aktualisht qeveria britanike. Theresa May tani përpiqet t'ua mbyllë gojën kundërshtarëve, me një pozicion të qartë.

"Liria e lëvizjes do të marrë fund në mars 2019", deklaroi kryeministrja britanike Theresa May përmes zëdhënësit të saj. Pas daljes nga BE do të ketë rregulla të reja dhe një sistem regjistrimi për migrantët nga Bashkimi Evropian. Që të spekulosh tani për detajet do të ishte gabim, theksoi zëdhënësi. Ai shtoi se qeveria tashmë i ka hartuar propozimet e saj për të drejtat e qytetarëve të shteteve të BE pas marsit 2019.  

May ndërhyri në këtë mënyrë, që nga pushimet, në një grindje në kabinetin e saj. Sepse kohët e fundit aty janë dëgjuar deklarata të ndryshme për temën e migrimit.

Kështu, ministri i Financave, Philip Hammond u shpreh që pas daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian të mos ndryshohen menjëherë rregullat e imigrimit. Politikani konservator Hammond konsiderohet si përfaqësues i një Brexiti të butë, mundësisht pa pasoja - dhe si kundërlojtar i May-t.

Brexit i fortë apo i butë?

Edhe ministrja e Brendshme, Amber Rudd u ngjalli shpresa sipërmarrësve dhe qytetarëve të BE pak ditë më parë, me një artikull për gazetën "Financial Times". Në të ajo shkroi se nuk do të ketë një fund të mënjëhershëm të përcaktimeve aktuale për migrimin.

Ministri i Tregtisë, Liam Fox bëri të ditur pas kësaj pozicionin e tij. Sipas tij, është në kundërshtim me frymën e votës britanike të 23 qershorit 2016, po të ruhet liria e lëvizjes pas Brexit-it. Me këto fjalë ai mbron pozicionin e përfaqësuesve të vijës së fortë, të cilët pretendojnë të vendosin kontroll të plotë për migrimin. Që prej votimit për Brexit-in, të drejtat e rreth 3.5 milionë qytetarëve të BE që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar dhe të drejtat e 1.5 milionë britanikëve që jetojnë në BE janë kthyer në një çështje qendrore të negociatave të Brexit-it.

Brukseli ka bërë të ditur se çdo marrëveshje tranzitore që do të pasojë Brexit-in, do të bëjë që Britania e Madhe t'i humbasë të drejtat e votës në BE, por në të njëjtën kohë do të nevojitet që Britania e Madhe të qendrojë nën juridiksionin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë dhe të pranojë lëvizjen e lirë të qytetarëve. Por këtë e ka kundërshtuar May, e cila dëshiron t'i japë fund juridiksionit të gjykatës me qendër në Luksemburg.

Kryeministrja britanike Theresa May ndodhet nga të gjitha palët nën presion të fortë - më e vonta që kur konservatorët e humbën shumicën absolute në zgjedhjet e parakohshme në qershor. Në Mbretërinë e Bashkuar ka javë që spekulohet, për sa kohë do të qendrojë dot në pushtet May.