1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Masterplan për Ballkanin? Forum për Ballkanin në Konferencën e Sigurisë

Nga njëra anë vazhdon rruga e Ballkanit drejt Evropës, kurse nga ana tjetër disa probleme të rëndësishme, si kushtetuta e Bosnjës, marrëdhëniet Greqi - Maqedoni ose Serbi-Kosovë, mbeten të pazgjidhura.

Drejtori i institutit gjerman për siguri dhe politikë në Berlin, Volker Perthes dhe Angelika Beer.

Drejtori i institutit gjerman për siguri dhe politikë në Berlin, Volker Perthes dhe Angelika Beer.

Instrumentat tradicionalë të BE-së për të nxitur paqen, duket se jo gjithmonë kanë efektin e duhur. Mos ka ardhur koha për një instrument të ri, për një masterplan të ri për paqen dhe sigurinë në Ballkan? Kësaj pyetjeje të drejtorit të institutit gjerman për siguri dhe politikë në Berlin, Volker Perthes, u munduan t'i përgjigjeshin panelistët e forumit për Ballkanin në Konferencën e Sigurisë që u zhvillua të martën dhe të mërkurën në Berlin.

Sllovenia nuk është për masterplan

Ministria sllovene e mbrojtjes Ljubica Jelusic nuk e sheh të nevojshme që të ketë një plan të ri zhvillimi për Ballkanin: "Ne e kemi një plan: Anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Është shumë e qartë që në përfundim të procesit të integrimit të gjitha vendet do të jenë të sigurt dhe të stabilizuar. Por për fat të keq, drejt rrugës së integrimit të plotë në këto organizata duhet të bëjmë shumë reforma. Kam parasysh ndryshime në sistemin e mbrojtjes, në gjendjen e sigurisë dhe duhet të rregullojmë disa marrëdhënie ndërmjet fqinjëve."

Walter Kolbow, deputeti gjerman socialdemokrat.

Walter Kolbow, deputeti gjerman socialdemokrat.

Një masterplan me garanci sigurie, ndihma ekonomike, drejtësi arsimore

E pikërisht këto probleme duhet t`i zgjidhë Bashkimi Evropian, sepse ai mban përgjegjësi për sigurinë në Ballkan, thotë ish eurodeputetja ekologjiste, Angelika Beer. "Ajo çka po ndodh aktualisht brenda Bashkimit Evropian, që Greqia pengon anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, Kosova është e detyruar të mbrojë të drejtën e saj për pavarësi para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, dëshmon për mangësi politike brenda BE-së." Beer propozon një masterplan, i cili duhet të përmbajë "garanci sigurie, ndihma ekonomike, drejtësi arsimore, në mënyrë që edhe të rinjtë e Ballkanit të gjejnë rrugën e tyre drejt Evropës".

Idenë e një hartimi të një masterplani për zhvillimin e Ballkanit e mbron edhe deputeti gjerman socialdemokrat, Walter Kolbow. "Ballkanit i nevojitet një plan strategjik për sigurinë, por përderisa ky plan nuk ekziston akoma, duhen krijuar kushtet që siguria të garantohet edhe pa të," thotë ish-sekretari i shtetit për çështje të mbrojtjes dhe mbron tezën e nxitjes së zhvillimit ekonomik të Ballkanit, sidomos në kohën e krizës ekonomike".

Përgjegjësia për Ballkanin i mbetet Evropës.

Përgjegjësia për Ballkanin i mbetet Evropës.

Masterplan për Ballkanin?

Çfarë ishte Pakti i Stabilitetit për EJL, i cili për vite me radhë u zbatua në Ballkan e që në një farë mënyre vazhdon të ekzistojë në formën e bashkëpunimit ndërrajonal? "Ky plan nuk ishte i mjaftueshëm", përgjigjet Angelika Beer. "Sepse gjatë këtyre viteve ne kemi kaluar nga një problem tek tjetri. Sa mbaronte një konflikt në një pjesë të rajonit, fillonte tjetri në një tjetër," shton ekspertja për çështjet e mbrojtjes.

Ballkani duhet të përkufizojë një herë vetveten

Prandaj edhe drejtori i qendrës për marrëdhënie ndërkombëtare në Banja Lluka, Milosh Sholaja, është i mendimit, se ka ardhur koha, që Ballkani të përkufizojë vetveten: "Unë jam për një strategji të re rajonale, në të cilën Ballkani duhet të kthehet sërish tek Ballkani. Të gjithë vendet që bëjnë pjesë në NATO ose BE duhet të krijojnë së bashku një identitet pozitiv për Ballkanin. Ata duhet të ulen në një tryezë të rrumbullakët së bashku me anëtarët e BE-së dhe të hartojnë një strategji të re." Për një gjë ishin dakord panelistët: Me apo pa masterplan të ri, përgjegjësia për këtë rajon i mbetet Evropës.

Autor : Anila Shuka

Redaktoi : Aida Cama

  • Data 09.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KyLy
  • Data 09.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KyLy