1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Mashtrime dhe mitëmarrje: Me dorëzimin e Karlheinz Schreiberit rihapet afera e donacioneve të CDU-së.

Afera e donacioneve. Një gërshetim i pazgjidhshëm i biznesit me armë, transferimit ilegal të parave, urdhërarresteve pa sukses dhe hetimeve të penguara. Edhe pas dhjetë vjetësh sfondi i saj është i paqartë.

default

Pas ecejakesh juridike Schreiber kthehet nga Kanadaja në Gjermani

Ishte një aferë, që tronditi themelet e Unionit konservator Kristiandemokrat (CDU), që e katapultoi ish-kancelarin Helmut Kohl nga posti i kryetarit të nderit dhe i mori CDU-së një pjesë të emrit të mirë. Edhe dhjetë vjet pas bërjes së njohur të aferës sfondi i saj është akoma i paqartë. Njëri prej aktorëve kryesorë, lobiisti i armëve Karl-Heinz Schreiber, iu dorëzua prej nga Kanadasë Gjermanisë pas një ecejakeje juridike disavjeçare. Ishte një top i vogël bore dhe shkaktoi një ortek gjigand. Në nëntor 1999 gjykata Augsburgut lëshon urdhër-arresti kundër ish-drejtorit të thesarit të CDU-së, Walter Leisler Kiep. Me akuzën se Kiep nuk kishte regjistruar një donacion të lobiistit të armëve Karl-Heinz Schreiber, në adresë të CDU-së dhe nuk kishte paguar taksë mbi këtë shumë. Kiep deponon në hetuesi. Paratë, thonë hetuesit, ishin një "parapagim" i firmës Thyssen për shitjen e disa tankeve në Arabinë Saudite. Dhe përveç kësaj del se ky transferim parash nuk ka qenë i vetmi donacion i dyshimtë, që ka hyrë në arkat e CDU-së. Xhirollogari jashtë shtetit dhe arka sekrete me para, të paidentifikuara si donacione dhe në këtë mënyrë ilegale, ka patur prej kohësh.

Helmut Kohl Porträt

Kancelari Helmut Kohl

Kohl pranon se ka marrë donacione, por nuk rrëfen emrat e donatorëve

Më 16. dhjetor 1999 ngrihet një komision hetimor, për sqarimin e aferës së donacioneve. A janë blerë vendimet politike gjatë kohës së qeverisjes së Kohlit? Në të njëjtën mbrëmje kancelari i mëparshëm Helmut Kohl jep një intervistë në televizionin gjerman. Aty ai thotë se edhe ai ka marrë donacione, por pa i deklaruar sipas rregullit me emrin e donatorit dhe pa i futur sipas rregullit në arkat zyrtare të partisë. Por:

"Këta donatorë ma kanë besuar mua këtë shumë me kushtin, që të mos përmenden emrat e donatorëve. Këta kanë qenë qytetarë gjermanë, që nuk kanë të bëjnë në asnjë fushë me veprimtarinë e qeverisë, të cilët donin të më ndihmonin. Dhe unë nuk kam ndërmend t'i them emrat e tyre, sepse kam dhënë fjalën.."

Kjo "Fjalë nderi" e fut CDU-në në një krizë të thellë. Kështu konstatohet se nga viti 1993 deri 1998 Kohl ka pranuar në dorë shuma parash në vlerë prej afro dy milionë marka gjermane.

Kohl in Leuna

Ish-kancelari Kohl viziton rafinerinë Leuna në lindje të Gjermanisë

Dhe afera merr përmasa të tjera. Bëhet i ditur edhe një skandal me donacionet partiake të CDU-së së landit Hessen. Edhe gjatë privatizimit të rafinerisë gjermanolindore Leuna dhe shitjes së saj koncernit francez Elf Aquitaine - veprim i mbështetur politikisht nga kancelari i atëhershëm gjerman Helmut Kohl dhe presidenti francez Francois Mitterand - ELF duhet t'i ketë paguar gati 50 milionë euro CDU-së. Në qendër të kësaj afere ndodhet lobiisti Dieter Holzer dhe Ludwig-Holger Pfahls, ish-sekretar shteti në Ministrinë e Mbrojtjes.

Kohl in Bedrängnis

Në janar 2000 kryesia e CDU-së distancohet nga kryetari i nderit Helmut Kohl. Kohl e dorëzon postin.

Vjen ora e kancelares së sotme gjermane Angela Merkel. Ajo është në atë kohë sekretare e përgjithshme e CDU-së, i jep shtytje shkëputjes së partisë nga Helmut Kohli për ta nxjerrë partinë nga skandali.

Kjo u ndje edhe financiarisht. Heshtja e Helmut Kohlit për emrat e donatorëve pati si rrjedhojë një dënim me gjobë prej 6,5 milionë markash gjermane, tre milionë euro. Për raportin të gabuar CDU-ja e Hessenit pagoi më shumë se 41 milionë marka gjermane, e konvertuar në euro afro 21 milionë euro.

Në korrik 2002, pas dy vjetë e gjysmë hetimesh kryetari i komisionit të kontrollit në parlament, Volker Neumann, PSD nxjerr një bilanc negativ. Për pyetjet elementare nuk është dhënë përgjigje, thotë ai.

"Në këtë komision janë thënë edhe shumë gjëra të pavërteta - për t' u shprehur me kujdes. Unë mund ta them edhe më brutalisht, është gënjyer shumë."

Dhe Hans-Christian Ströbele i të gjelbërve i drejtohet me fjalë edhe më të qarta Unionit. Sipas mendimit të tij është e qartë:

"... Që CDU për vite me radhë jo vetëm që ka shkelur shumë rëndë ligjin e partive politike, por nën ish-kancelarin Kohl shpesh ka kryer korrupsion politik."

Andreas Schmidt, përfaqësues i CDU-së në komisionin e kontrollit për donacionet, nxjerr një konkluzion krejt tjetër.

"Qeveria Helmut Kohl nuk ka qenë e korruptuar, zonja dhe zotërinj (të qeshura në sfond). Sikur komisioni hetimor të ishte një gjykatë atëherë vendimi do të quhej: "Shpallje pafajësie e klasit të parë".

Kompetenzteam: Wolfgang Schäuble, Porträt

Wolfgang Schäuble

Në këtë aferë desh thyen qafën edhe politikanë të tjerë të CDU-së

Edhe pse komisioni nuk mundi të hedhë dritë në errësirë, në këtë aferë thyen gati qafën edhe politikanë të tjerë të CDU-së: Wolfgang Schäuble deklaron në janar 2000 se ka marrë 100.000 marka gjermane nga Karl-Heinz Schreiber dhe ia ka dorëzuar drejtoreshës së thesarit të CDU-së, Brigitte Baumeister. Në këtë mënyrë Schäuble thotë se nuk ka të bëjë me regjistrimin ilegal të donacionit. Baumeister nga ana tjetër thotë se zarfin me para nga Schreiberi ia ka dorëzuar Schäuble-s dhe lirohet nga çdo përgjegjësi. Të dyve nuk mund t'u dëshmohet asgjë me gjyq. Por Baumeister largohet nga politika. Dhe Schäuble nuk nuk mund të pranohet më si shef i CDU-së.

Në vend të Schäubles kryetare e re e CDU-së bëhet Angela Merkel.

Edhe gjykatat merren me aferën. Aktorë të vegjël të aferës dënohen. Por procesi kundër Helmut Kohlit para gjykatës së landit në Bon ndërpritet. Dhe prokurorisë së Augsburgut i duhet të mbrohet nga pengesat, që i vijnë nga politika, Pak pasi hetimet zbulojnë momentet e para të dyshimta në çështjen e donacioneve të CDU-së, prokurori përgjegjës Jërg Hillinger vdes në prill 1999 në një aksident automobilistik. Aksident apo vrasje, rrethanat janë të pasqaruara deri sot.

Skandali me donacionet e CDU-së i ka të gjitha cilësitë e një afere politike. Deri sot nuk njihen emrat e donatorëve. Deri sot nuk dihet edhe se ku kanë shkuar sa e sa miliona të tjerë. Arrestimi i Holger Pfahls në korrik 2004 - pas pesë vjetësh në arrati - i bën hetuesit që të kenë shpresa për informacione të reja - por më kot.

Karlheinz Schreiber auf dem Weg nach Deutschland

Kanadaja e dorëzon Karlheinz Schreiberin në Gjermani

Në se tregtari i armëve Karl-Heinz Schreiber mund të ndihmojë tani me të vertetë në sqarimin e aferës së donacioneve partiake, mbetet e diskutueshme. Sepse në prezantimet e tij në publik del qartë se ai e shijon këtë situatë dhe ethet e lidhura me të. Gjatë marrjes së tij në pyetje për komisionin hetimor që u krye në vitin 2002 në Kanada, ai, ndryshe nga ç'kishte njoftuar, nuk mundi të dëshmojë se edhe në partinë motër bavareze të CDU-së, CSU kanë hyrë donacione të paligjshme. Megjithatë, sipas vëzhguesve, ai dukej i kënaqur me vorbullën, që shkaktonte.

"... Kur dikush thërret fort se unë jam në rrugën e drejtë, ai ulëret si qeni, të cilit i kanë kapur bishtin."

Autor: Daphne Grathwohl/Angjelina Verbica

Redaktoi: Fabian Schmidt

  • Data 04.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/J3KH
  • Data 04.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/J3KH