1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mashtrim me përmasa evropiane: skandali i mishit

16 Prill 2013

50.000 tonelata mish janë deklaruar gabimisht prej sipërmarrjeve holandeze. Ky mish është shitur në shumë vende të Bashkimit Evropian, ndër to edhe në Gjermani, jo vetëm tani por edhe më parë.

https://p.dw.com/p/18Gb3
Fotografi: picture-alliance/dpa

Mashtrimi me përmasa evropiane me të dhënat për mishin po përhapet. Javën e kaluar është bërë e ditur se sipërmarrja holandeze Willy Selten BV, ka vënë etiketa falso në mishin e gjedhit dhe e ka shitur në shumë vende. Sipërmarrja ishte në qendër të vëmendjes diku nga mesi i shkurtit, kur janë kontrolluar prodhimet e saj prej autoriteteve në Holandë. Në këto prodhime është gjetur edhe mish i padeklaruar kali. Prej atëherë kontrollorët janë duke hulumtuar në shumë vende të Bashkimit Evropian.

Të mërkurën e javës së kaluar janë bërë publike të dhënat më të reja. Në një raport të Komisionit Evropian thuhet se autoritetet holandeze kanë gjetur rreth 50.000 tonelata mish të etiketuara jo si duhet prej sipërmarrjes Willy Selten. Sipas raportit, ushqimi me këtë mish nuk është i sigurt dhe paraqet një rrezik tepër të madh. Autoritetet holandeze kanë kërkuar që të gjitha këto sasi mishi të tërhiqen nga shitja. Problemi kryesor është që shitësit janë furnizuar me këtë mish që nga janari i vitit 2011. Një pjesë e madhe e këtij mishi është blerë dhe konsumuar.

Mashtrim me përmasa evropiane

Më së shumti janë prekur Holanda, Franca, Portugalia, Spanja dhe Gjermania, ku 124 sipërmarrje tregtare janë furnizuar me këtë mish. Ato më pas i kanë furnizuar edhe dyqanet dhe mishtoret. Deri tani nuk dihet qartë se cilat janë rrugët e sakta të transportit dhe kjo e vëshitrëson procesin e hetimeve. "Në Bashkimin Evropian ekziston një treg i përbashkët. Ndaj do të ishte gabim të thuhet për shembull se në të ardhmen nuk do të blejmë mish nga Rumania ose nga ndonjë vend tjetër evropian. Fjala është për veprime kriminale të individëve dhe sipërmarrjeve të caktuara që janë bërë në të gjithë BE-në e ndoshta edhe më gjërë", thotë Stefan Genth, shef i Shoqatës për Tregti në Gjermani, në një intervistë për Deutsche Wellen. Ai shton se janë mashtruar jo vetëm konsumatorët por edhe vetë shitësit. "Kontrolli i mishit duhet të jetë më transparent. Ndërsa informacionet duhet të jepen tek autoritetet e tjera, në mënyrë që tregu të mbrohet nga rreziqet e tilla", pohon ai.

Prodhimet e mishit konsumohen gjithë vitin
Prodhimet e mishit konsumohen gjithë vitinFotografi: picture-alliance/dpa

Komisioni Evropian ka vendosur që të bëhen kontrolle të obligueshme në nivelin e BE-së. Por jo të gjitha kontrollet janë të njëjta. Ndaj eurodeputetja e CDU-së, Renate Sommer nuk është e befasuar pse ky skandal nuk është zbuluar në shkurt, por tani. "Mungojnë paratë për kontrollet e duhura në disa shtete anëtare. Tani kontrollohet bëhen përmes ADN-së dhe kjo kushton më shumë", thotë Sommer per DW.

Vepra e njëjtë - pa dënime

Politikanët mendojnë se kontrollet e obligueshme nuk mjaftojnë. "Mashtrimet e tilla duhet të dënohen me ligj", kërkojnë ata duke shtuar se mashtrimet duhet të paguhen me shuma të mëdha parash, e nëse është e domosdoshme edhe me heqje lirie. Ata që paguajnë çmimin e këtyre mashtrimeve në fund janë konsumatorët. "Sipërmarrjet tregtare duhet të organizohet në atë mënyrë që të mund të japin shpejt përgjigje për prejardhjen e prodhimeve. Në këtë kuptim ka shumë pak presion nga BE-ja", mendon Jutta Jaksche, nga Komisioni Gjerman për Kontrollin e Ushqimeve. Ajo kërkon që ligjet e miratuara në nivelin evropian të zbatohen në mënyrë të denjë.

Çdo skandal i ri me ushqime shton edhe vetëdijen e konsumatorëve që të kenë më shumë kujdes për prodhimet që blejnë. Pas këtyre skandaleve në veçanti po vuan imazhi i tregut të mishit. Atij mund t'i ndihmojë vetëm transparenca e plotë për prejardhjen e mishit dhe prodhimeve të mishit.

Autor: Sabrina Pabst/ Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi