1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Masat e tjera shtrënguese të shpallura nga qeveria e Papandreut

Kostoja e masave të shpallura nga qeveria Papandreu, që për një familje nëpunësish arrin në 3.100 euro në vit, kërcënon ekonominë greke me recesion akoma më të thellë. Qytetarët reagojnë, sindikalistët programojnë greva.

default

Kostas Bukas sot pasdite do të jetë ndoshta një nga nëpunësit shtetërorë, që do të manifestojnë në qendër të Athinës kundër masave shtesë të shpallura nga qeveria. “Marr afër 500 euro neto si rrogë bazë edhe kompensime. Në qoftë se reduktohen, si do t'ia dal mbanë? Kam dy fëmijë, që studiojnë, njëra larg Athinës dhe tjetra në vit të dytë gjimnaz, paguaj dhe kredi shtëpie” thotë me një shqetësim të dukshëm pa ditur akoma saktë, se sa e lartë do të jetë barra, që do t'i bjerë në kurriz. “Hemoragjia” e një nëpunësi të mesëm vetëm me shkurtimin 30% të pagës së 13-të dhe 14-të dhe reduktimin e kompensimeve në masën 12% thuhet se do të jetë sa një pagë e plotë. “ Vendosen të dërrmojnë punonjësit në shërbimet publike dhe vetë shoqërinë greke”, thotë nënkryetari i sindikalistëve në sektorin publik, Ilias Vretakos, i cili paralajmëron se masat do të nxjerrin në rrugë si asnjëherë nënpunësit shtetërorë në grevën e tyre të datës 16 mars.

Symbolbild Finanzkrise Griechenland Rechtsextreme protestieren

Protestues në Athinë

Rritje të tatimeve dhe shkurtim të të ardhurave

Analisti Nikos Rogakos jep një shembull më të plotë për pasojat e totalit të masave mbi një familje të mesme. “Për një familje me të ardhura vjetore 29.000 euro, nga puna e të dy bashkëshortëve me pagë 1.100 euro, për shkak të shtimit të TVSH-së, taksave indirekte në karburante, pije dhe cigaret dhe tarifat e elektrikut do të kenë sëcili për sivjet 1.200 euro më pak” thekson dhe shton se në qoftë se dy bashkëshortët e familjes do të ishin nënpunës shtetërorë do të merrnin 3.200 euro më pak në vit. “Humbasim të gjithë para nga xhepi ynë se atë, që pamë sot, do ta paguajmë të gjithë ne”, thotë një qytetare, kur shqetësimi i përgjithshëm është se do të ketë një rritje tjetër të çmimeve për shkak të rritjes së çmimit të karburantit me 8 cent për litër.

Masa tejet rigoroze

Ulje e konsumit do të thotë kërkesë më të ulët për produkte, mbyllje biznesesh, papunësi. Ekonomia, siç druhen ekspertë, politikanë dhe vetë qeveria, kërcënohet me recesion më të thellë që ka të ngjarë të arrijë në 2%. “Ekziston rreziku që të jemi përfshirë në një rreth vizioz masash dhe recesioni, se nuk kemi parë akoma dimensionin e zhvillimit”, thotë analisti i mirënjohur Jorgos Qirços. Qeveria dhe nëpërmjet ministrit të saj të Punës Andreas Lloverdhos bën edhe një herë të qartë se është e ndërgjegjshme për rrezikun, por paketa e masave ishte e vetmja alternativë për të marrë një frymëmarrje, për të krijuar kushte më të mira kreditimi dhe për të kaluar më pas në masa dhe programe zhvillimi të ekonomisë.

Griechenland Finanzkrise Athen Demonstration Flash-Galerie

Vendi do të bindë në mënyrë praktike partnerët tanë në BE dhe në eurozonë si edhe tregjet ndërkombëtare, që aq shumë spekuluan së fundi, se është në fazë rimëkëmbjeje”, tha Lloverdhos dhe Athina po mat reagimet e para pozitive për kursin e saj.

Masat, që shpalli qeveria socialiste e Papandreut, nuk do të guxonte as t'i mendonte akoma edhe një qeveri e djathtë. Por ato mund të bëhen realitet vetëm, nëse qytetarët do të shohin të mbushen arkat bosh të shtetit, jo vetëm me qeset e vogla, por edhe me portofolet e mëdha. “Nuk do të lejoj që të gjithë sa u pasuruan në kurriz të shtetit të vazhdojnë të pinë mbi shëndetin e budallait”, deklaroi Papandreu, kur konteri i përvitshëm i evazionit fiskal shënon 30 miliardë euro. Masa të tilla si tatimi i jashtëzakonshëm me 1% për të ardhura vjetore mbi 100.000, koefiçenti i ri tatimor 45% për këto të ardhura dhe taksimi me 20% më shumë i mallrave të luksit mund të sjellin rezultatin e aspiruar vetëm përmes riorganizimit total të sistemit të dështuar fiskal. “ Në fakt njerëzit nuk binden se më në fund do të shkojë thika deri në kockë, se mjekët, që nxjerrin shumë para dhe nuk i deklarojnë, do të tatohen, ose pronarët me pronat e tyre nëpër firmat Off-shore do të paguajnë. Mendoj se prapë ata, që do të paguajnë haraçin janë rrogtarët, ata që duken dhe pensionistët”, thotë për DW gazetari Babis Polihroniadhis duke shtuar se kjo është “sfida më e madhe” për qeverinë, që kësaj radhe nuk ka komoditetin, që të dështojë.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 04.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MJPZ
  • Data 04.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MJPZ