1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Masat e reja për azilkërkuesit në Gjermani

Ujdisë së arritur në koalicionin e Unionit kristiandemokrat e kristiansocial i parapriu një grindje e gjatë. Me kompromisin e së enjtes (05.11) duket se të gjitha palët janë të kënaqura.

Krerët e koalicionit me bazë të gjerë në Gjermani arritën të binin në ujdi pas një grindjeje disa javore mbi politikën ndaj refugjatëve. Për këtë ata ranë dakord të zbatohet një paketë e gjerë masash për azilin me qëllim të vënies nën kontroll të fluksit të madh të refugjatëve. Kancelarja gjermane, Angela Merkel (CDU) pas takimit me kreun e kristiansocialëve, Horst Seehofer dhe kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Sigmar Gabriel tha se në tërësi procedurat do të përshpejtohen maksimalisht brenda një deri në tre javë.

Jo zona tranziti por qendra speciale të regjistrimit

Instrumenti më i rëndësishëm janë qendrat speciale të regjistrimit për refugjatët me shanse të pakta qëndrimi, të cilat do të vendosen në tre deri në pesë vende në Gjermani, dy prej tyre në Bavari, në Bamberg e Manching, aty ku mbërrin shumica e refugjatëve. Në këto qendra procedurat nuk do të zgjasin më shumë se tre javë. Ky kompromis pritet t'i japë fund grindjes për kërkesën e Unionit e sidomos të kristiansocialëve për krijimin e zonave të tranzitit. Në qendrat speciale të regjistrimit pritet të vendosen azilkërkuesit nga vendet e shpallura si vende të sigurta origjine, sidomos ata nga Ballkani, Shqipëria, Kosova, Serbia etj. Kërkesat e tyre për azil do të përpunohen shumë shpejt. Po në këtë mënyrë do të veprohet edhe me ata, të cilëve iu është refuzuar azili.

Merkel u shpreh e kënaqur me rezultatin: “Thënë përmbledhtazi ne kemi bërë një hap të mirë, të rëndësishëm përpara.” Edhe kreu i socialdemokratëve, Sigmar Gabriel u shpreh për një rrugë të mirë drejt një procedimi të rregullt, duke theksuar se është i kënaqur që nuk do të kemi zona tranziti, qendra ekstraterritoriale dhe izolim të azilkërkuesve. Ndërsa Seehofer, kreu i kristiansocialëve pret nga masat e reja më shumë kthime të refugjatëve përmes procedimeve të përshpejtuara. Kjo krijon më shumë mundësi për përkujdesjen ndaj atyre që janë vërtet në nevojë, tha ai.

Një aspekt tjetër i masave për azilin është edhe rezidenca e detyruar. Në kohën e qëndrimit në qendrat speciale azilkërkuesit nuk do të mund të largohen nga qarku i landit ku janë vendosur, ndryshe do t'u hiqen asistencat e do të pezullohet përkohësisht kërkesa e azilit. Në rast të përsëritur procedura e azilit mbyllet dhe personi kthehet sërish në vendlindje.

Kartë identiteti për të gjithë refugjatët

Krerët e partive qeverisëse në Berlin vendosën po ashtu përdorimin e një karte identiteti të refugjattit. Azilkërkuesit do të duhet të pajisen të gjithë me një dokument të tillë identifikimi kur shtrojnë kërkesën. Kush ka këtë kartë do mund të marrë edhe asistencat përkatëse. Karta e identitetit të refugjatit dhe një database e njësuar për refugjatët do të mbledhë të gjithë personat e regjistruar dhe do t'u mundësojë autoriteteve shtetërore kontrollin më efikas të gjendjes.

Ndër masat e reja bëhet fjalë edhe për ndjekjen e kurseve të integrimit e të gjuhës gjermane. Mundësinë për të ndjekur këto kurse e kanë ata refugjatë që kanë shanse të mira qëndrimi në Gjermani. Federata pret që refugjatët të kontribuojnë vetë me një shumë të vogël në koston e kurseve të integrimit.