1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Masa të shtuara të sigurisë për zgjedhjet në veri të Mitrovicës

Organet e rendit në Kosovë grantojnë masa të shtuara të sigurisë gjatë rivotimit të dielën me 17.11. në veri të Mitrovicës. Për sigurinë e votuesve dhe qendrave të votimit është angazhuar dhe KFOR-i.

Në veri të Mitrovicës, të dielën me 17.11., zhvillohet procesi i rivotimit në tri qendra votimi për kryetar komune dhe këshilltar në asamblenë komunale për komunën veriore të Mitrovicës. Rivotimi zhvillohet për shkak se në zgjedhjet lokale të tre nëntorit, grupe ekstremistësh serb, penguan procesin e votimit, sulmuan tri qendra votimi dhe shkatërruan materialin zgjedhor. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, thotë se janë duke u bërë përgatitjet e fundit që të dielën në mëngjes të hapen tri qendrat e votimit në veri të Mitrovicës. 23 mijë votues janë të regjistruar në zonën e veriut të Mitrovicës. Për zgjedhjet lokale garojnë tetë subjekte politike serbe. Qeveria e Serbisë dhe kryeministri Ivica Daçiq hapur favorizojnë “listën qytetare serbe”.

Jahjaga: Qytetarët e veriut të Mitrovicës duhet të votojnë lirshëm

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, pas një takimi që zhvilloi me shefin e misionit EULEX, Bernd Borchardt, tha se “qytetarëve të pjesës veriore të Mitrovicës duhet ofruar siguri për të votuar lirshëm”. “Të gjithë qytetarët e Kosovës edhe ata të komunitetit serb në pjesën veriore të territorit të vendit, duhet të kenë siguri për të shfrytëzuar të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar në mënyrë të lirë dhe pa frikë”, thotë presidentja Jahjaga.

E për sigurinë për rivotimin e ditës së diel me 17.11. në veri të Mitrovicës kësaj radhe ka një angazhim të shtuar të organeve të rendit. Policia e Kosovës, misioni EULEX dhe Forcat Paqeruajtëse të KFOR-it, tashmë kanë hartuar një plan të përbashkët të menaxhimit të situtatës së sigurisë gjatë rivotimit në veri të Mitrovicës. Në një deklaratë të përbashkët, thuhet se “këto forca të rendit garantojnë një proces të qetë dhe të rregullt votimi në veri të Mitrovicës”.

Organet e rendit do të reagojnë me vendosmëri në veri nëse paraqitet nevoja

“Popullata në veri të Mitrovicës mund të presin një prani të zgjeruar të Policisë së Kosovës jashtë qendrave të votimit, të mbështetura dukshëm nga EULEX-i. KFOR-i do të jetë i pranishëm në afërsi të qendrave të votimit dhe në fusha të tjera kyçe në mënyrë që të sigurojë një ambient të qetë dhe të sigurt si dhe liri të lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë, sipas mandatit të tyre”, thuhet në deklaratën e përbashkët të policisë së Kosovës, misionit EULEX dhe KFOR-it. Më tej thuhet se “policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i do të mbeten vigjilent dhe do të veprojnë në mënyrë të paanshme, me maturi dhe vendosmëri. Nëse do të rrezikohet procesi zgjedhor apo siguria e votuesve, stafit dhe vëzhguesve në qendrat e votimit, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i janë të përgatitur për të ndërhyrë menjëherë”.

Procesin e rivotimit në veri të Mitrovicës edhe kësaj radhe do ta lehtësojë misoni i OSBE-së. Procesi do të monitorohet serish nga vëzhguesit e Bashkimit Evropian, si dhe rrjeti ndërkombëtar i organizatave për monitorimin e zgjedhjeve ENEMO.