1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Masa e paraburgimit mbipopullon burgjet në Maqedoni

Në njësitë për paraburgim në Shkup që kanë kapacitet për 290 persona, shqiptimin e dënimit e presin mbi 379 persona ndërsa në burgun e Manastirit ku ka 11 qeli, janë duke qëndruar 30 persona.

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut nga Komiteti për parandalimin e dhunës, Komiteti i Helsinkit dhe Avokati i popullit, në vazhdimësi alarmojnë për kushtet e vështira në burgjet e Maqedonisë dhe njëherësh kërkojnë nga institucionet përkatëse të përmirësojnë gjendjen e tyre. Mbipopullimi, mungesa e shërbimeve të menjëhershme shëndetësore, cilësia e ushqimit dhe hapësira, janë vërejtjet që më së shpeshti i adresohen ambienteve në burgjet e Maqedonisë. Përfaqësuesi i Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Maqedoni, Voisllav Stojanovski, thotë se kushtet në burgjet e vendit janë jashtë standardeve evropiane. “Kushtet në burgje janë alarmante, në disa prej tyre mungojnë standardet elementare për jetesë. Jemi larg standardeve evropiane, nga vizitat e rregullta që ia bëjmë burgjeve shohim përmirësime të vogla që ende janë të pamjaftueshme. Komiteti për parandalimin e torturës ka kërkuar edhe mbylljen e disa reparteve në burgje, meqë në koridoret e tyre mund të shihen fekale, dritare të thyera, lagështi dhe dyshekë të fjetjes jashtë standardit”, shprehet Stojanovski.

Avokati i Popullit Ixhet Mehmeti, thotë se gjatë vizitave preventive në burgje, vëren përmirësime pozitive apo më mirë thënë, respektimin e rekomandimeve që bëhet nga ana e institucionit që ai drejton. Mirpo, sipas tij Maqedonia ende duhet të punoj shumë për të pasur burgje ku të dënuarit do të vuanin dënimin në „ambiente normale“. “Në raportet tona vjetore, vend të veçantë zënë kushtet në burgje dhe trajtimi i personave të dënuar. Ne çdo herë do të mbështesim projekte dhe iniciativa që në të gjitha shtëpitë korrektuese ndëshkuese të mbizotërojnë kushtet elementare për jetë apo ato sado pak të afrohen me standardet evropiane“, shprehet avokati i popullit Ixhet Mehmeti.

Ndërtimi i burgjeve të reja

Drejtoresha e Drejtorisë për impelentimin e sanksioneve Lidia Gabrillovska, thotë se gjendja në burgjet e Maqedonisë nuk është edhe aq e keqe se sa flitet. Në burgjet e Maqedonisë për momentin dënimin e vuajnë 2450 persona të dënuar dhe 26 persona të mitur. Përmes projektit për rikonstruimin e shtëpive korrektuese ndëshkuese që kap shumën prej 52 milionë eurosh, do të bëhet renovimi dhe ndërtimi i objekteve të reja në 4 burgjet më të mëdha të vendit. Në fund të muajit në Kumanovë do të fillojë të funksionojë burgu i ri i llojit gjysëm të hapur me kapacitet për 250 të dënuar. “Në burgun më të përfolur që gjendet në Idrizovë në afërsi të Shkupit, është vënë gurthemeli i ndërtesës së re. Ai do të ndërtohet në tre faza dhe pritet të përfundojë në fund të vitit 2018” , shprehet Gavrillovska.

Mbipopullimi i burgjeve nuk është problem me të cilin ballafaqohet vetëm Maqedonia. Në 100 mijë banorë ka 98 të burgosur ndërsa në Kroaci dhe Serbi kjo mesatare është shumë më e lartë. Në Bullgari dhe Greqi egzistojnë burgje që kanë kushte shumë më të këqija se sa në Maqedoni, konstaton Gavrillovska.

A ka zëvendësim masa paraburgim?

Një nga shkaqet kryesore për mbipopullimin e burgjeve në Maqedoni, sipas ekspertëve, është shqiptimi i shpeshtë i masës paraburgim. Kjo masë gjithnjë e më shumë po shëndërrohet në dënim se sa në parandalim. Standardet ndërkombëtare parashohin që masa e paraburgimit të shqiptohet si përjashtim dhe jo si rregull, kurse kohëzgjatja e saj të jetë sa më e shkurtër. Profesori universitar Afrim Osmani, thotë se paraburgimi si masë duhet të shqiptohet vetëm për vepra penale më serioze dhe jo edhe për vepra më të lehta.

“Për vepër më serioze siç është dënimi me burg të përjetshëm apo mbi 15 vite, mund të shqiptohet masa e paraburgimit, por kjo masë nuk duhet të përdoret edhe për vepra të lehta penale sepse atëherë kjo rezulton me mbipopullim të burgjeve”, shprehet Osmani.

Avokati Zvonko Davidoviq, thotë se gjykatësit hetues pa përjashtim shqiptojnë masën e paraburgimit që zgjat edhe me muaj të tërë. ”Gjykatësit hetues përcaktohen për masën e paraburgimit duke mos marrë parasysh asnjë masë tjetër lehtësuese për të ndaluarin siç është arresti shtëpiak, kaucioni apo lënien e të dyshuarit të mbrohet në liri“, thotë Davidoviq.

Eksperti për çështje juridike Mersim Pollozhani, thotë se masa e paraburgimit po aplikohet në mënyrë brutale në Maqedoni. Si rezultat i kësaj burgjet gjithnjë e më tepër po mbipopullohen. “Përveç masës paraburgim, gjykatësit në vend rrallë apo asnjëherë nuk shqiptojnë masën e kufizimit të lëvizjes, apo edhe garanci me para ose hipotekimin e pronës. Në Maqedoni paraburgimi zgjatë edhe më shumë se 90 ditë dhe i njejti përsëritet pa kufizim. Ndërkombëtarët kanë vërejtje të mëdha sa i përket respektimit të afatit të kohëzgjatjes së paraburgimit në Maqedoni“, shprehet Pollozhani.

Nga Komiteti i Helsinkit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut thonë se përveç mbipopullimit në burgjet e Maqedonisë duhet të ndryshojnë edhe shumë gjëra të tjera. Komiteti për parandalimin e torturave pranë Këshillit të Evropës në raportin e fundit kërkon ndryshime fundamentale me situatën e përgjithshme në burgjet e Maqedonisë.