1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Martin Schulz: Pa përmbushjen e kritereve nuk ka anëtarësim në BE

Eliana Xhani10 Nëntor 2012

Presidenti i Parlamentit të BE-së Martin Schulz në intervistë për DW thekson: "Përgjegjësia për përmbushjen e kritereve të anëtarësimit bie në radhë të parë tek vendi kandidat".

https://p.dw.com/p/16gNQ
Fotografi: DW

Në BE po diskutohet aktualisht për pezullimin e regjimit të lëvizjes pa viza për disa vende të Ballkanit Perëndimor - Serbinë, Maqedoninë, Bosnie- Herzegovinën dhe Shqipërinë. Shkak është bërë rritja e fortë e numrit të kërkesave për azil nga qytetarë të këtyre vendeve, të cilët i drejtohen Perëndimit për arsye ekonomike. Kjo masë do të ishte një goditje e rëndë në veçanti për të rinjtë e këtyre vendeve, të cilët e kanë mirëpritur heqjen e vizave si një hap drejt integrimit evropian. Veç kësaj do të ishte një ndëshkim i përgjithshëm që do të prekte edhe shumicën e qytetarëve të këtyre vendeve, që kanë respektuar regullat e liberalizimit të vizave. Në dhjetor mundësia e vendosjes së klauzolës për pezullimin e lirisë së qakullimit pa viza do të diskutohet në Parlamentin Evropian. Cili është pozicioni i parlamentit?

Schulz: Me liberalizimin e vizave u vendos njëkohësisht edhe një mekanizëm mbikqyrjeje, për vlerësimin e zbatimit efektiv të të gjitha masave dhe reformave të marra në kuadër të dialogut për vizat. Komisioni i BE-së paraqiti para pak kohësh një raport të hollësishëm për këtë. Aktualisht Parlamenti i BE-së po diskuton në komisionin përgjegjës mekanizmin për pezullimin e regullit të lëvizjes pa viza dhe po zhvillon negociata përkatëse me Këshillin e Ministrave. Por nuk mund të flas para kohe për diskutimet që zhvillohen në këto instanca. Ajo që mund të them është se për Parlamentin e BE-së liria e vizave për qytetarët e shteteve të Ballkanit Perëndimit në kuadër të integrimit evropian është një nga përparësitë më të prekshme dhe një nxitje e qartë për të çuar përpara reformat në fushën e drejtësisë dhe rendit.

Vendet e Ballkanit kanë marrë një sërë masash për të shmangur keqpërdorimin e liberalizimit të vizave. Sipas mendimit Tuaj çfarë mund të bëhet më shumë në këtë drejtim?

Në të vërtetë ka ende shumë për të bërë për t'i dhënë fund abuzimeve. Ndër të tjera duhet të intensifikohen përpjekjet për zbulimin e „trafikantëve“ si agjenci udhëtimi apo sipërmarrje transporti si dhe kontrollet nga autoritetet kufitare gjatë daljes nga vendi. Por akoma më shumë sukses premtojnë sipas mendimit tim fushatat e informimit dhe sensibilizimit në këto vende për të tërhequr vëmendjen për pasojat e shkeljes së rregullave. Para së gjithash duhet të përmirësohet dukshëm mbështetja për pakicat, veçanërisht për komunitetet rome.


Pak kohë më parë Komisioni i BE-së prezantoi raportin e progresit. Për Shqipërinë, Maqedoninë dhe Serbinë lajmet ishin të mira. Por perspektiva e anëtarësimit lidhet me kushte të forta. Çfarë intervali kohor konsideroni Ju të mundshëm për anëtarësimin e këtyre vendeve?

Raportet e komisionerit për zgjerimin Füle, ishin pozitive për Shqipërinë, Maqedoninë dhe Serbinë. Në këtë moment nuk e konsideroj me vend të spekuloj për kohën kur mund të bëhet anëtarësimi. E qartë është se vendet e përmendura kanë perspektivë evropiane. Por e qartë është gjithashtu se për t'u anëtarësuar në BE duhet të përmbushen të gjitha kriteret që janë të njohura dhe të njëjta për të gjithë: kriteret e Kopenhagës, si për shembull rendi demokratik dhe i shtetit ligjor, respektimi i të drejtave humanitare dhe civile, respektimi dhe mbrojtja e pakicave, një ekonomi tregu funksionuese si dhe pranimi e zbatimi i gjithë kuadrit ligjor të BE-së, të ashtuquajturit "acquis communautaire". Pa përmbushjen e këtyre kritereve nuk mund të ketë anëtarësim. Por Shqipëria, Maqedonia dhe Serbia janë në rrugë të mirë.

Në BE ka kritika që aspirantët janë shpesh gati të thonë atë çfarë dëshëron të dëgjojë BE-ja. Por kur është fjala për të aplikuar në praktikë vlerat bazë të BE-së si demokracia dhe të drejtat civile, realiteti është një tjetër. Në Shqipëri për shembull nuk janë zbardhur ende në mënyrë përfundimtare rrethanat e vrasjes së katër demonstruese gjatë një proteste në në muajin janar. Si mund të garantojë BE-ja që në Shqipëri dhe vendet e tjera aspirante apo tashmë kandidate demokracia dhe shteti ligjor funksionojnë vërtet sipas modelit të BE-së?

Përgjegjësia për përmbushjen e kritereve të anëtarësimit bie në radhë të parë tek vendi kandidat. Sigurisht BE mbështet në këto vende procesin e reformave. Në Shqipëri fjala është në radhë të parë për forcimin e mëtejshëm të shtetit ligjor, garantimin e aftësisë funksionuese të ekonomisë së tregut, reformat në fushat e drejtësisë dhe administratës publike dhe intensifikimin e luftës kundër korrupsionit, kriminalitetit të organizuar dhe pastrimit të parave. Konstatoj me kënaqësi se është arritur jo pak në zbatimin e reformave, por i bëj megjithatë thirrje të gjithë atyre që janë përgjegjës për këto reforma që të vazhdojnë me vendosmëri në këtë rrugë dhe të kenë guxim për të ecur përpara.


Komisioni i BE-së propozoi edhe MSA-në për Kosovën. Sa realist është një vendim pozitiv i Këshillit për këtë, kur dihet se pesë vende anëtare vazhdojnë ta refuzojnë njohjen e Kosovës?

Megjithëse pesë vende anëtare nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, ekziston mendimi i përbashkët se Kosova ka një të ardhme evropiane dhe duhet të ketë perspektivën e anëtarësimit në BE. Mundësia e arritjes së një marrëveshje asociim-stabilizimi do të thotë që autoritetet dhe qytetarët e Kosovës kanë mundësinë të bashkëpunojnë me BE-në në zbatimin e atyre reformave që janë të nevojshme për të ecur përpara dhe për të garantuar pa kufizime shtetin ligjor dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Më tej, ky është edhe një sinjal më shumë që tregon se Kosova ka shansin të ndjekë në përputhje me perspektivën evropiane të njëjtin kurs si të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.