1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Martin Schulz-i, optimisti

"Unë do të bëhem kancelar", thotë kandidati i SPD-së, Martin Schulz. A do ta arrijë dot këtë? Në sondazhe CDU-ja e Merkelit është shumë përpara. Kush është ky burrë që e sfidon kancelaren?

Viti elektoral 2017 nisi për Martin Schulz-in me një fluturim në lartësi: Schulz u bë kandidat për kancelar i socialdemokratëve, pasi kryetari i SPD, Sigmar Gabriel hoqi dorë - dhe pas kësaj i injektoi "hallës së vjetër SPD" një injeksion të vërtetë adrenaline. Vlerat në sondazhe u ngjitën në qiell, SPD që dukej e mbuluar nga pluhuri, krejt papritur u bë shumë moderne. Mijëra anëtarë të rinj hynë në parti. Demoskopët e shpjeguan këtë me faktin që europolitikani Martin Schulz qe "i pakonsumuar" në politikën e brendshme dhe kjo zgjonte shpresa për ndryshime.

Por çfarë karriere ka ky burrë, që i dha krahë SPD-së? Karrierën e tij politike, socialdemokrati 61 vjeçar nuk e bëri në politikën federale, por në Parlamentin Evropian në Strasburg. Në vitin 2012 ai u bë President i tij - një post që përshtatej me të dhe të cilin ai e donte. Vetëm me vështirësi pranoi Schulz-i faktin që nuk qe në gjendje ta zgjaste mandatin e tij edhe përtej janarit 2017. Prandaj ai u orientua nga Berlini, ku SPD po riorganizohej edhe para zgjedhjes së ministrit të Jashtëm, Frank Walter Steinmeier President të Gjermanisë.

Me 100 përqind në krye

Vërtet që Schulz nuk u bë ministër i Jashtëm - por u bë kandidat për kancelar dhe kryetari i ri i SPD. Atij udhëheqja e partisë i besonte se kishte më shumë aftësi për ta shqetësuar Angela Merkelin. Në fund të fundit, Schulzi nuk ishte anëtar i qeverisë së përbashkët të SPD dhe CDU/CSU.

Edhe baza qe entuziaste: një kongres i veçantë partie e zgjodhi Schulzin në mars 2017 me njëqind për qind të votave kryetar të ri të Partisë Socialdemokrate Gjermane, SPD. Jo vetëm fjalimet e tij u pritën mirë, por mbi të gjitha aftësia e tij për të komunikuar me njerëzit, për t'i motivuar.

"Unë isha fare përtokë"

Një fillim të mbarë në jetën profesionale, Martin Schulzi, që u rrit në qytetin e vogël Würselen pranë Ahenit, e hodhi dëm: në moshën 17 vjeçare ai donte të bëhej patjetër futbollist profesionist dhe për këtë nuk e mbaroi maturën. Për shkak të një plage të rëndë që mori, iu desh të ndahet nga futbolli dhe nisi të pijë. Në fund ai përfundoi në rrugë si alkoolist i papunë, prej ku e tërhoqi i vëllai dhe shokët e partisë. "Dikur kam qenë fare përtokë", thotë Schulzi vetë për këtë kohë. Pasi e mori veten, ai hapi një librari në Würselen. "Leximi është esenca e jetës sime", thotë Schulzi që është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Kur ishte vetëm 31 vjeç ai u zgjodh kryetar i bashkisë së Würselenit dhe në vitin 1994 hyri në Parlamentin Evropian, President i të cilit u bë në vitin 2012.  Por njohuritë e tij të thella në politikën evropiane e ndihmuan Schulzin vetëm pak: profili i tij në politikën e brendshme mbeti për një kohë të gjatë i turbullt. Schulzi përfaqëson "gjithçka, me përjashtim të përmbajtjeve", talleshin me të kritikët. Më vonë ai paraqiti një program partiak, që ndër të tjera parashikon investime prej miliardash në sistemin arsimor.

Por në zgjedhjet në lande, në  Landin e Zarës, SPD nuk arriti ta largojë nga pushteti CDU, në Shlesvig-Holshtajn dhe në landin e Rinit Verior -Vestfalisë ai e humbi postin e kryeministrave socialdemokratë të landeve përballë CDU-së. Ndërkohë, vlerat në sondazhe për SPD kanë rënë sërish në nivelin para pranverës - në rreth 20 përqind. Kjo vetëm e nxit Martin Schulzin. Ai ndërkohë sulmon edhe vetë kancelaren: ajo "fluturon" dhe "ka humbur kontaktin me realitetin", thotë ai. Shumë zgjedhës janë ende të pavendosur - dhe për votat e tyre Schulz do të luftojë deri në fund.