1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Martin Schulz: "E kuqja është jeta ime"

"Një burrë synon majat e larta" - Ky roman i Hans Fallada mund të jetë motoja e jetës së tregtuesit të librave, që është aktualisht president i Parlamentit Europian dhe synon postin tjetër kyç në Europë: Martin Schulz.

Pyetjes së reporterëve, se cila është ngjyra e preferuar Martin Schulz i përgjigjet: "E kuqja. Unë u përkas të kuqëve. Kjo është jeta ime." Që prej 30 vjetësh Schulz bën politikë për të kuqtë, socialdemokratët. Fillimisht ai e nisi karrierën në politikë si kryetar bashkie në qytetin e tij Würselen, për të vazdhuar më tej në postin e kryetarit të grupit parlamentar të socialistëve në Parlamentin Europian, e më pas si presidenti i Parlamentit, ndërsa tani në zgjedhjet europiane është kandidati kryesor për postin e presidentit të Komisionit të BE-së. Martin Schulz do të ngjitet lart, për këtë s'ka asnjë dyshim. "Ne kemi nevojë për njerëz, që kanë guxim. Nëse më lejoni, atëherë po ju them, që këtu pranë e keni një të tillë", tha Schulz plot vetëdije në një debat televiziv në televizionin publik gjerman ZDF.

Të rifitohet besimi

Ai e sheh veten si avokat të njerëzve të thjeshtë, të cilët po zhgënjehen prej kompleksitetit të BE-së. "Një ndër elementët kryesorë të kritikës, që has unë në Europë, kudo që jam, është, se njerëzit më thonë: Epo, BE-ja ekziston dhe ajo vepron e influencon në jetën tonë të përditshme, por zëri ynë nuk përfillet aspak." Këtë do ta ndryshojë Martin Schulz dhe ai kandidon për postin e presidentit të Komisionit, pra të shefit të administratës europiane në Bruksel.

Këtu ai do të luftojë për vende pune, drejtësi fiskale dhe për kthim të kompetencave nga Brukseli tek vendet anëtare."Çfarë mund të bëjmë ne më mirë në nivelin lokal apo rajonal? T'u kthesh njerëzve politikën dhe përgjegjësinë, padyshim që do të thotë të rifitosh besimin e tyre", thotë në intervistë për DW politikani socialdemokrat. Roli i tij si avokat i qytetarëve të thjeshtë nuk e ka penguar Schulz-in, që krahas pagës si president i Parlamentit Europian të marrë edhe paga të majme suplementare. Vetëm pasi u kritikua me hapjen e fushatës elektorale ai udhëzoi t'i ndërpriten këto pagesa.

Schulz shpesh lexon tre libra paralelisht

Mënyra e tij e shpenguar e shprehjes nuk mirëpritet prej kujtdo. Kryeministrat ndonjëherë preferojnë ta quajnë atë si "mendjemadh". Schulz gjuhëshpatë ua hedh poshtë kritikat kundërshtarëve të vet. Ndonjëherë bashkëpunëtorëve të tij gëzueshëm ai u thotë: "Jeni të pushuar të gjithë nga puna!" Por kjo është vetëm një shaka, relativizon Martin Schulz, i cili pranon me vetëkritikë, se ndonjëherë tregohet mjaft i vetëdijshëm dhe do ta arrijë gjithçka shumë shpejt.

Këtë ai e ka kuptuar shumë herët, përpara tridhjetë vjetësh gjatë një terapie të sukseshme kundër vesit të alkoolit. Martin Schulz donte të bëhej në fakt futbollist profesionist. Kjo ëndërr mori fund për shkak të një dëmtimi në gju. Asokohe 24 vjeçari e gjeti ngushëllimin tek alkooli, madje ra në depresion dhe donte të bëntë vetëvrasje. Vëllai i tij Erwin, mjek, e solli atë sërish në udhë të mbarë. Martin Schulz nisi një biznes privat si tregtues librash. Ai nuk ka studiuar kurrë në universitet, por lexon me pasion të madh. Edhe sot e kësaj dite vazhdimisht ai lexon tre libra paralelisht. Schulz filloi të merret me politikë dhe bëri karrierë. Lidhur me vesin e alkoolit, që tani ai e ka kapërcyer plotësisht, sot ai flet shumë hapur.

Europian qysh në djep

Europa i është ushqyer qysh në djep 58 vjeçarit Martin Schulz. Farefisi dhe të afërmit e tij jetojnë brenda dhe jashtë kufirit gjerman në trikëndëshit kufitar Gjermani, Belgjikë dhe Holandë. Schulz flet rrjedhshëm frëngjishten, anglishten dhe italishten. Madje ai flet edhe dialektin e Renanisë, siç thotë me humor. Të afërmve të tij në Luftën e Parë Botërore u është dashur të luftojnë kundër njëri-tjetrit, sepse ata banonin në shtete të ndryshme. Por kjo marrëzi është kapërcyer me bashkimin europian pas Luftës së Dytë Botërore, sidoqoftë ajo duhet kujtuar edhe sot e kësaj dite. "Ne si brez i pasluftës shpesh as që e kemi të qartë se çfarë kemi trashëguar. Unë kam pasur mundësi të jetoj në liri me shanse, të cilat prindërit e mi as që guxonin t'i ëndërronin. E ne nuk i japim më vlerë kësaj." Martin Schulz indinjohet, se sa i keq është imazhi i Europës tek zgjedhësit. Një fushatë elektorale interesante duhet ta ndryshojë këtë imazh. Vendimet nuk duhet të merren më pas dyerve të mbyllura në Bruksel nga 28 kryetarët e shteteve dhe të qeverive, kritikon ai sa herë që i jepet rasti.

Megjithatë ai tani është bërë disi më i butë, qëkurse kancelarja kristiandemokrate gjermane Angela Merkel dhe socialdemokratët bashkëqeverisin në Berlin. Ai e di se nëse do të arrijë postin kryesor europian, ka nevojë për dashamirësinë e kryetares së qeverisë së vendit më të madh anëtar. Ai madje është edhe disi krenar që ka numrin e celularit të Merkelit. Të pushtetshmëve në Bruksel, që rrudhin fytyrën duke konsideruar se Schulz nuk është i përshtatshëm si president i Komisionit, pasi ai asnjëherë nuk ka drejtuar ndonjë qeveri në nivel kombëtar, ai u kundërvihet me fjalët: "Unë kam qenë kryetar bashkie në një qytet të vogël, por atje i kam përjetuar çdo ditë shqetësimet e njerëzve për shkollën e fëmijëve të tyre, për vendin e tyre të punës apo për përkujdesin ndaj prindërve të tyre. Unë besoj, se ajo që presin njerëzit sot nga Brukseli është, që në krye të Komisionit të jetë dikush, i cili i njeh mirë dhe i vlerëson me seriozitet problemet e jetës së tyre të përditshme."

Të mbetesh njeri

Kur Martin Schulz me ekipin e vet elektoral është duke udhëtuar me avion apo me makinë herë pas here ai merr në krah një kafshë të vogël plastike. "Ky është një hipopotam, që kam për shans. Ma ka dhuruar vajza ime, kur ishte gjashtë vjeç. Ai më sjell fat." Dy fëmijët e tij dhe gruaja janë shumë të rëndësishëm për të. Kur gruaja e lavdëron atë me mesazh SMS, kjo është për Martin Schulz më me vlerë se sa një SMS nga kancelarja, prej së cilës si president i Parlamentit ai herë pas here merr mesazhe.

Pavarësisht fushatës së lodhshme elektorale gjatë muajve të fundit Martin Schulz shumë zgjedhës nuk i njeh. Jashtë hapësirës së Brukselit atë thuajse nuk e njohin, por sidoqoftë ai është më i njohur se rivali i tij konservator, Jean-Claude Juncker, ish-kryeministri i Luksemburgut. Një impuls popullariteti i dha atij para shtatë vjetësh kryeministri italian në Parlamentin Europian me një krahasim të padëgjuar ndonjëherë: "Zoti Schulz, në Itali ndërkohë po xhirohet një film mbi kampet nacionalsocialiste të përqendrimit. Unë do të propozoj që ju të luani rolin e kapos, të drejtuesit të kampit", ironizonte në 2007 Silvio Berlusconi. Ky skandal e nxori Schulz-in në kryeartikujt e medias. Ndërkohë ai i është disi mirënjohës Berlusconi-t për këtë reklamë të paqëllimtë, por ai asnjëherë nuk është pajtuar me Berlusconi-n. "Unë mund të jem kokëfortë", thotë Schulz për veten e vet.