1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Martin Kaymer ylli i ri i golfit gjerman

17 Gusht 2010

Gjermani Martin Kaymer do të marrë pjesë në garën për Kupën e Raiderit (Ryder Cup), e cila zhvillohet në fillim të tetorit, në Uells. Ky është dueli më prestigjioz midis lojtarëve të golfit nga Evropa dhe SHBA.

https://p.dw.com/p/OpKb
Martin Kaymer ylli i ri i golfit gjerman
Martin Kaymer ka çdo gjë që duhet të ketë një yll golfiFotografi: picture-alliance/dpa

Martin Kaymer ka dalë më në fund nga hija e yllit të deritanishëm të golfit gjerman, Bernhard Langer-it. 25 vjeçari nga Matman pranë Dyseldorfit, është gjermani i dytë që fitoi njërën ndër katër turnetë e mëdha të golfit: kampionatin SHBA-PGA në Koler, në shtetin federal të Viskonsinit.

Pas katër raundesh Kaymer, ia doli që me një goditje speciale në pozicionin e tretë të fitojë kundrejt rivalit amerikan, Bubba Watson. Për fitoren, Kaymer është shpërblyer me 1 milionë e 350 mijë dollarë, është renditur i pesti në botëror dhe për herë të parë u kualifikua për garën „Kupa e Raiderit“(Ryder Cup), e cila zhvillohet në fillim të tetorit, në Uells. Kjo garë është dueli më prestigjioz midis lojtarëve më të mirë të golfit, nga Evropa dhe SHBA.

Martin Kaymer PGA Championship
Martin Kaymer PGA ChampionshipFotografi: picture-alliance/dpa

„S´ka gjë më madhështore për një lojtar golfi, se sa të fitojë një turne,"- deklaroi pas triumfit ylli i ri i golfit gjerman Kaymer.

I ardhur nga një familje që adhuronte golfin, Kaymer i hodhi topat e parë si dhjetëvjeçar, në klubin e golfit, në Matman. Deri më tani golfi profesionist në Gjermani ka qenë i lidhur me emrin e Bernard Langer. Por, edhe pse ylli i deritanishëm Langer ishte i mrekulluar nga loja e Martin Kaimerit, modeli i këtij të fundit mbeti afrikano-jugori, Ernie Els, i cili që para tri vjetësh kishte deklaruar për lojtarin gjerman, Kaymer: "Ai do të bëhet i madh. Ai ka çdo gjë që duhet të ketë një yll golfi“.

Me gjithë sukseset e tij, lojtari profesionist preferon që jetën e tij private ta shijojë larg nga vëmendja e të tjerëve, gjë e cila pas triumfit të tij do të ndryshojë krejtësish.

Autor: Nestler/ Ajete Beqiraj

Redaktoi: Aida Cama