1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Martesat me detyrim - një studim evidenton gjendjen në Gjermani

Ministria Federale për Familjen, të Moshuarit, Gratë dhe Rininë dha porosi që të hartohej studimi "Martesat me detyrim në Gjermani - numri, analiza, këshillime". Të mërkurën ky studim u prezantua në Berlin.

Mësim kundër martesave me detyrim

Mësim kundër martesave me detyrim

Në këtë studim mblidhen dhe vlerësohen për herë të parë sistematikisht njohuri për institucionet këshillimore në të gjithë Gjermaninë, për njerëzit e prekur apo të kërcënuar nga martesat e detyruara. "Martesat e detyruara në Gjermani janë vepra që dënohen me Kodin Penal dhe megjithatë e vërteta është më e komplikuar, se sa të mundëson vështrimi në legjislacion."

Kështu u shpreh Ministrja Federale për Familjen Kristina Schröder në dorëzimin e studimit të Ngarkuarës me Integrimin në Qeverinë Gjermane, Maria Böhmer. Për studimin e përpunuar nga organizata e të drejtave të grave Terre des Femmes dhe nga Fondacioni Lawaetz, u regjistruan persona të prekur prej 830 qendrave këshillimore në Gjermani.

Çift mysliman në Frankfurt mbi Main

Çift mysliman në Frankfurt mbi Main

3.443 raste të martesave me detyrim regjistruan qendrat këshillimore për vitin 2008 në Gjermani. Këtu duhet mbajtur parasysh se janë vetëm "ato me guxim" që zhvillojnë konsultime. Sepse ajo që është e kërcënuar nga martesa e detyruar dhe mbrohet, rrezikon izolimin nga e gjithë familja e vet. Ky është edhe shkaku, se pse shifra e errët e "të frikësuarve të paarritshëm" është shumë e lartë dhe nuk mund të vlerësohet prej askujt në mënyrë të besueshme.

Shumica e të prekurve janë në origjinë emigrantë

Shumica e të prekurve janë në origjinë emigrantë: 23 përqind e tyre kanë lindur në Turqi, tetë përqind në Serbi, në Kosovë ose Mal të Zi, përkatësisht gjashtë përqind në Irak dhe në Afganistan, pesë përqind në Siri, tre përqind në Marok si dhe dy përqind në Shqipëri, Liban dhe Pakistan.

Në Gjermani kanë lindur 32 përqind e viktimave të martesave të detyrueshme, ndërsa 44 përqind e tyre mbajnë nënshtetësi gjermane. Por një pasaportë gjermane dhe një qendrim i gjatë në Gjermani, sipas rezultateve të studimit nuk të mbrojnë nga strukturat arkaike në familjen tënde. Sipas të dhënave të të prekurve, 83,4 përqind e prindërve janë myslimanë. Gati një e treta e viktimave të martesave të kryera ose për të cilat janë bërë përpjekje në Gjermani është e moshës 17 vjeç ose më e re. 40 përqind janë të moshave midis 18 dhe 21 vjeç, thuhet në studim.

Dorëzimi i studimit, Schröder dhe Böhmer

Dorëzimi i studimit, Schröder dhe Böhmer

Të përfshihen më fort myslimanë me autoritet

Ministrja Schröder tha në drejtim të myslimanëve: "Gjithsesi, ne nuk duam të debatojmë edhe aq nëse feja islame është pjesë e problemit, por duhet ta pyesim më fort veten, nëse mund të jetë ajo pjesë e zgjidhjes."

Prandaj duhen bërë përpjekje, që autoritetet myslimane në Gjermani ta shohin më fort si detyrën e tyre që t'i kundërshtojnë martesat me detyrim dhe që të ndërmarrin hapa kundër tyre.

E Ngarkuara me Integrimin e Qeverisë Gjermane, Maria Böhmer mbron pikëpamjen se edhe vendet e origjinës duhet të marrin pjesë në zgjidhje. Kështu janë vendosur kontakte me ministren turke për Familjen. Në Turqi do të dalë së shpejti një ligj kundër dhunës në familje.

Të sensibilizohen shkollat

Böhmeri, e cila e karakterizoi martesën me detyrim si një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut, tërhoqi vëmendjen në faktin se aty ku kryhen martesa me detyrim, kjo ecën paralelisht me ndërprerjen e shkollës ose të kualifikimit. Prandaj ajo kërkoi që shkollat të sensibilizohen më fort për këtë temë:

"Tema e martesave me detyrim duhet të gjejë pasqyrim edhe në mësim. Dhe neve ajo na nevojitet e integruar në shkollimin dhe kualifikimin e mësuesve." Por në bazë të studimit, dy të tretat e shkollave ky problem me sa duket i intereson pak.

Autor: Sabine Ripperger / Auron Dodi

Redaktoi: Lindita Arapi