1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Marrja e nënshtetësisë gjermane - Pse shumë migrantë hezitojnë natyralizimin

Pasaporta gjermane është e kërkuar, sepse ajo ofron shumë përfitime si për shembull liri lëvizjeje në shumë vende të botës. Megjithatë shumë migrantë hezitojnë të marrin nënshtetësinë gjermane.

Pasaportë gjermane dhe turke

Pasaportë gjermane dhe turke- Për të marrë nënshtetësinë gjermane duhet të heqësh atë turke

Në Bashkinë e qytetit të Hamburgut është duke u festuar marrja e nënshtetësisë gjermane nga një shtetas. Që prej vitit 2006, ky qytet në veri të Gjermanisë i feston natyralizimet me një ceremoni festive. Hamburgu ka patur vitin e kaluar numrin më të madh të marrjeve të nënshtetësive, pas landit Nordrajn Vestfalen.

Qeveria e Hamburgut rriti numrin e personelit përkatës dhe nëpërmjet një fushate bëri reklamë për marrjen e nënshtetësisë gjermane. Përveç kësaj migrantët ndihmohen që të marrin nënshtetësinë gjermane.

Vitin e kaluar në gjithë Gjermaninë morën pasaportën gjermane 100 mijë të huaj, 5,7 përqind më shumë se një vit më parë. Megjithë rritjen e numrit, natyralizimet vazhdojnë të mbeten nën nivelin e fillimit të dekadës. Në vitin 2000, kur u fut ligji i ri i natyralizimit në Gjermnai, statistikat jipnin shifrat e 187 mijë qytetarëve të natyralizuar. Këto shifra i bëri javën e fundi të ditura Zyra Federale e Statistikave.

10157974.jpg

10157974.jpg

Të dhënat thonë, se ata që marrin nënshtetësinë gjermane janë të rinj që jetojnë prej kohësh në Gjermani. Konkretisht, ata që janë natyralizuar në vitin 2010 kanë mesatarisht moshën 30 vjeçare dhe jetojnë prej 15 vitesh në Gjermani. Si dhe vitet e mëparshme grupi më i madh i njerëzve që kanë marrë nënshtetësinë gjermane përbëhet nga turqit, me rreth 26 mijë vetë. Më pas vijnë grupet e migrantëve nga Serbia dhe Mali i Zi, Iraku dhe Polonia.

Meryem Celikkol nga "Komuniteti turk i Hamburgut" drejton projektin e natyralizimeve në qytet. Celikkol koordinon punën e ndihmësve. Ajo e di pse shumë migrantë hezitojnë të marrin nënshtetësinë gjermane: "Një nga arsyet kryesore është se ata duan të mos heqin dorë nga nënshtetësia e mëparshme. Ajo është një pjesë e jetës për shumë migrantë. Nëse prindërit kanë ardhur nga një vend tjetër në Gjermani, atëherë brezi i dytë ose i tretë jeton këtu dhe vendos për të marrë një nënshtetësi, sepse ai vendos të jetojë dhe të qëndrojë këtu, dhe të identifikohet me jetën e këtushme, me të qenit gjerman. Por ky person është edhe një pjesë e asaj, çfarë janë prindërit, origjina dhe prejardhja e prindërve, dhe nga kjo duhet hequr dorë për të marrë atë gjermanen. Për shumë vetë kjo është një arsye e hezitimit."

Fushatë për natyralizimin

Fushatë për natyralizimin

Humbja e nënshtetësisë së vjetër, thotë Celikkol, mund të ketë pasoja në heqjen e të drejtës së trashëgimisë në vendin e origjinës.

Psikologia Déborah Maehler kryen prej vitesh studime për migracionin në Universitetin e Këlnit. Gjatë tyrë ajo ka studiuar edhe identifikimin e migrantëve me Gjermaninë:

"Në këtë studim doli qartë se personat që kanë dy nënshtetësi, ose që kanë të drejtë t`i kenë të dyja identifikohen me të dyja kulturat. Kështu pra, ata identifikohen si me Gjermaninë ashtu edhe me kulturën e origjinës. Dhe ky është një rezultat i rëndësishëm. që provohet për herë të parë edhe në mënyrë empirike. Sepse qeveria thotë ndër të tjera se zotërimi i disa nënshtetësive është pengesë për krijimin e lidhjeve me shtetin gjerman. Dhe deri tani nuk ka patur asnjë rezultat empirik që ta provojë këtë."

Prandaj shumica e migrantëve kërkojnë që të lejohet mbajtja e dy nënshtetësive. Deri tani kjo nuk ka qenë e mundur nëse atdheu i origjinës nuk e liron qytetarin nga nënshtetësia.

Edhe sistemi i komplikuar i marrjes së nënshtetësisë gjermane tremb shumë vetë. Të interesuarit duhet të plotësojnë dhjetra formularë, të marrin dokumenta, të japin provimin e gjuhës dhe të dijeve. Po ashtu ata nuk duhet të jenë të varur nga ndihmat sociale.

Para se të merret nënshtetësia duhet t`i nënshtrohesh testit

Para se të merret nënshtetësia duhet t`i nënshtrohesh testit

Kur merr përsipër ta përballojë këtë proces të komplikuar dhe të gjatë e bën këtë jo vetëm për shkak të lidhjeve me Gjermaninë por edhe për shkak të arsyeve pragmatike, mendon Meryem Celikkol.

"Për shembull liria e lëvizjes është një temë e rëndësishme, liria e lëvizjes për të studiuar një semestër në një vend tjetër, ose për të shkuar për pushime, sepse për shumë qytetarë që nuk vijnë nga vendet e BE-së, viza është e domosdoshme. Edhe e drejta e votës luan një rol, sepse ata që jetojnë këtu duan të marrin pjesë në vendimmarrje, jo vetëm në jetën private por edhe në sensin politik."

Lëvizja, puna, vota, të gjitha këto janë më të lehta me anë të pasaportës gjermane. Por ajo nuk është garanci për akceptancën e të huajve nga pjesa tjetër e popullsisë.

Autor: Nils Naumann/ Aida Cama

Redaktoi: Esat Ahmeti