1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

"Marrëveshjet me Serbinë nuk cënojnë sovranitetin e Kosovës"

Sekretari amerikan i shtetit John Kerry, gjatë vizitës në Kosovë tha se partitë politike në Kosovë duhet të dialogojnë në parlament pa dhunë dhe gaz lotsjellës, gjithnjë duke respektuar të drejtën për protesta paqësore.

Sekretari amerikan i shtetit John Kerry, tha në Prishtinë (02.12 ) se SHBA-ja i mbështet marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe siguroi autoritetet kosovare dhe qytetarët e Kosovës se ato marrëveshje nuk e cënonjë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës. Ai tha se partitë politike në Kosovë duhet të dialogojnë mes tyre dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët. "Më lejoni ta bëj të qartë, se debati duhet të ndodhë në demokraci, sidomos në kuvend që është një vend i shenjt ë i demokracisë, e kjo duke respektuar njeri - tjetrin. Kuvendi nuk është vend për gaz lotsjellës dhe nuk është vend për frikësim. Të gjitha partitë duhet të largohen nga përdorimi i dhunës në jetën publike dhe duhet të komunikojnë njëri me tjetrin në mënyrë paqësore dhe konstruktive, në mënyrë që të ngushtojnë diferencat dhe të gjejnë rrugën e përbashkët dhe rruga e përbashkët është që secili qytetar të trajtohet njëjsoj pavarësisht nga pozita në institucione, nacionaliteti gjinia apo orjintimi seksual”, tha sekretari Kerry.

Këtë deklaratë shefi i diplomacisë amerikane John Kerry, e bëri në një konferencë për media nga aeroporti i Prishtinës, gjatë një vizite të shkurtër që zhvilloi në Kosovë, ku takoi kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa dhe dy zëvëndësat e tij, Hashim Thaçi dhe Branimir Stojanoviq. Takimi zgjati përreth një orë dhe u zhvillua në aeroportin e Prishtinës nën masa të rrepta sigurie.

Vizita në Kosovë e sekretarit amerikan të shtetit John Kerry, zhvillohet në një kohë kur Kosova po përballet me një krizë të thellë politike për shkak të kundërshtimit dhe protestave të partive opozitare kundër dy marraveshjeve të nënshkruara nga qeveria, atë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në kuadër të dialogut Prishitnë-Beograd dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Partitë opozitare thonë se nuk do të lejojnë normalizimin e gjendjes përderisa nuk anulohen këto dy marraveshje.

Por sekretari amerikan i shtetit John Kerry tha, se kosovarët kanë kaluar kohë të vështira dhe kërkoi nga të gjithë që të angazhohen në ndërtimin e shtetit të Kosovës. "Duhet të respektohet sundimi i ligjit dhe liria e shprehjes në kuvend, duke përfshirë edhe të drejtën e protestave paqësore që janë fundament për secilën demokraci. Sidoqoftë, dhuna është e papranueshme. Parlamenti i Kosovës duhet të jetë një vend ku do të ketë debat të rëndësishëm, ku njerëzit do të mund të dëgjojnë njëri - tjetrin në mënyrë paqësore pa marrë parasysh se sa mund të jeni kundërshtarë ndaj kësaj ideje apo idesë tjetër. Liria e shprehjes është se njerëzit kanë të drejtë të thonë atë që mendojnë pavarësisht se të tjerët nuk e pëlqejnë", tha sekretari Kerry.

Shefi i diplomacisë amerikane, John Kerry, tha se SHBA-ja e mbështet dialogun Kosovë - Serbi si kusht për përmirësimin e marrëdhënieve ndëmjet dy vendeve. Këtë mesazh tha ai, do t'ia përcjell në Beograd edhe kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiq. "SHBA-ja ka qenë shumë e kënaqur që ta shohë lidershipin e Kosovës që të demonstrojnë rezultate për t'i bërë gjerat, për t'i realizuar ato që t'i ndryshojnë gjërat në kuadër të dialogut me Serbinë. Ne i mbështesim këto përpjekje. Dhe mos të gabohemi, ne nuk do të mbështesnim asnjë marrëveshje që do ta kërcënonte, sovranitetin, sigurinë apo pavarsinë e Kosovës. Ne kemi investuar shumë së bashku për të ardhmen e Kosovës dhe nuk do ta vendosim atë në rrezik", tha sekretari John Kerry.

Sekretari Kerry lavdëroi institucionet e Kosovës në angazhimin e tyre kundër terrorizmit, sidomos me veprimet konkrete të kohëve të fundit, arrestimin e dhjetra personave në Kosovë të dyshuar për pjesmarrje, nxitje dhe bashkim me organizata terroriste në Lindjen e Mesme. "Kosova po jep një shembull të mirë në rajon duke arrestuar persona të ndryshëm për terrorizëm dhe me këtë po vendos një standard të rëdësishëm në rajon. Kosova ka bërë arrestime të profilit të lartë dhe ka legjislacionin e duhur për këtë çështje. Unë sapo jam kthyer nga një takim i NATO-os në Bruksel dhe të gjithë jemi pajtuar se duhet shkatërruar IS-i dhe këtë do ta bëjmë në ditët në vazhdim", tha sekretari John Kerry.

Sekretari amerikan i shtetit John Kerry, në fund tha se Gjykata speciale për krime lufte në Kosovvë duhet të themelohet, e ajo do të merret me dyshimet për konfliktin e kaluar dhe vetëm duke trajtuar rastet që mund të kenë ndodhur, mund të arrihet deri te pajtimi i përgjithshëm.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, megjithë presionin e opozitës gjatë dy muajve të fundit kundër marrëveshjes së asociacionit me Sebinë, tha se qeveria e tij do ta vazhdojë dialogun që kontribuon në përmirësimin e raporteve me Serbinë.

Sekretari ameriikan i shtetit John Kerry, nga Prishtina udhëton për në Beograd, për të marrë pjesë në takimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, (OSBE) ku temat qendrore të bisedimeve do të jenë situata në Siri dhe përballja me grupin militant "Shteti Islamik" (IS), si dhe kriza e refugjatëve nga Lindja e Mesme. Sekretari John Kerry vizitoi Kosovën në kuadër të një turneu që përfshin disa vende evropiane.