1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Marrëveshje vetëm në letër? Dialogu Kosovë-Serbi

Kosova fajëson Beogradin për moszbatim të ujdive të arritura në kuadër të dialogut teknik. Sipas Beogradit duhet kohë derisa të adoptohen ligjet për zbatimin e marrëveshjeve, por ato do të zbatohen.

Pamje ilustruese

Pamje ilustruese

20 Nëntori është caktuar data e fillimit të zbatimit të njërës nga marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut teknik. Marrëveshja për kthimin e dokumentacionit kadastral të Kosovës, dokumente të cilat gjenden në arkivat e Serbisë. Kthimi i këtij dokumentacioni, do të lehtësojë administrimin e tokave, do të krijojë mundësi për planifikim, zvogëlim konfliktesh dhe debatesh ndërmjet pronarëve dhe shfrytëzuesve të tyre, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës. Sipas tyre mungesa e këtyre dokumenteve ka shkaktuar probleme të mëdha.

Kosova akuzon Serbinë për moszbatim të marrëveshjeve

Në një takim të grupeve të ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë të mbajtur në fund të tetorit ishte rënë dakord që edhe marrëveshja për lëvizjen e lirë të njerëzve të fillojë së zbatuari më 1. Nëntor, por kjo nuk ndodhi. Në procedurën e kalimit ishte paraparë, që pas kontrollimit të letërnjoftimeve, qytetarët të marrin një formular, ku fusin të dhënat e tyre personale dhe formulari do të vulosej në pikat kufitare. Përfaqësuesit e palës kosovare fajin e hedhin te pala serbe, e cila sipas tyre vazhdimisht po shkel marrëveshjet.

Edita Tahiri

Edita Tahiri

Edita Tahiri, kryesuesja e delegacionit të Kosovës në biseda me Serbinë shprehet se fronti i angazhimeve është ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Serbisë. Ajo përmend angazhimin e ndërmjetësit Robert Kuper që Serbia të zbatojë të gjitha zotimet për marrëveshjet e arritura, si dhe të kthehet në dialogun teknik pa kushte. "Ne tashmë e kemi parë që edhe Komisioni Evropian e ka kushtëzuar statusin e kandidatit të Serbisë me përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën, në këtë kuadër janë edhe kushtëzimet lidhur me dialogun teknik, përkatësisht kërkohet nga Serbia që të kthehet pa kushte në tavolinën e bisedave dhe të shpërbejë strukturat paralele serbe në veri”, thotë Edita Tahiri.

Serbia ka nevojë për kohë

Ndërkohë, autoritetet serbe vazhdojnë të zotohen se do t'i zbatojnë marrëveshjet e arritura me palën kosovare, mirëpo nuk janë në gjendje të japin data të sakta se kur do të fillojnë ato së zbatuari. Udhëheqësi i delegacionit serb në bisedime me Kosovën, Borisllav Stefanoviq, tha për mediet lokale serbe se qeveria e Serbisë ka nevojë të ndryshojë disa ligje në mënyrë që të mundësohet zbatimi i marrëveshjeve me Kosovën.

“Unë nuk i pranoj kritikat e Prishtinës, ato nuk qëndrojnë. Aktualisht po zbatohet marrëveshja për vulat doganore dhe dokumentet përcjellëse doganore. Do të zbatohet së shpejti edhe marrëveshja në lidhje me librat e amzës dhe dokumentet e kadastrave. Qeveria e Serbisë ka marrë disa vendime dhe do të marrë edhe vendime tjera që do të operacionalizojnë marrëveshjet, duke përfshirë edhe lirinë e lëvizjes. Pra këtu bëhet fjalë për ndryshimet në ligje në raste konkrete dhe asgjë më tepër sesa kjo”, thotë Borisllav Stefanoviq.

Borislav Stefanoviç

Borislav Stefanoviç

Cilat janë marrëveshjet e arritura?

Kosova ka nisur dialogun për çështje teknike me Serbinë në muajin mars të këtij viti. Që nga ajo kohë nën ndërmjetësimin e BE-së janë arritur pesë marrëveshje, por zbatimi i tyre ka shënuar ngecje. Është arritur marrëveshja, për qarkullimin e lirë të mallrave, njerëzve, telekomunikacionin, dokumentet kadastrale dhe librat amzë. E vetmja marrëveshje e cila deri në një masë po zbatohet në praktikë, është ajo e qarkullimit tregtar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sidoqoftë, tash për tash akoma nuk është e qartë nëse dialogu teknik Kosovë-Serbi, do të nisë sërish. Kryesuesja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri thotë se pala kosovare ulet serish në tavolinën e bisedave, mirëpo pa kushte dhe pasi pala serbe të zbatojë marrëveshjet e arritura.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Lindita Arapi