1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Marrëveshje për heqje bllokadash në veri - Qeveria e Kosovës kundër

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Erhard Bühler ka arritur një marrëveshje me zyrtarët e qeverisë serbe për zhbllokimin e rrugëve në veri të Kosovës. Qeveria kosovare e vlerëson draftmarrëveshjen si të papranueshme.

Në foto Stefanoviqi dhe Bühleri

Në foto, Stefanoviq dhe Bühler

Tensionet në veri të Kosovës vazhduan nëntë ditë me radhë, përderisa mëngjesin e së mërkurës magjistralja Mitrovicë - Rashkë, pikërisht në fshatin Rudare të komunës së Zveçanit, u gdhi me një kryq shtatë metërsh. Kryqi i vu nga serbët lokal, sipas të cilëve atë do ta shenjtëronte peshkopi i Rashkës dhe i Prizrenit, Teodosije; një lajm ky të cilin e demantoi Kisha Ortodokse serbe në Kosovë. Përderisa, igumani i Manasitirt të Deçanit Sava Janjiq, tha për Deutsche Wellen se „Kryqi është vënë pa bekimin e kishës dhe peshkopi Teodosije nuk ka asnjë lidhje me vënjen e kryqit e aq më pak të shenjtërimit të tij“.

Draftmarreveshje e KFOR-it me perfaqësuesit serb

Pamje nga barrikadat serbe në Rudare

Pamje nga barrikadat serbe në Rudare

Largimi i protestuesve serb nga barrikada në Rudarë ishte parakusht për takimin e të mërkurës mbrëma në mes të komandantit të KFOR-it Erhard Bühler me shefin e ekipit negociator për bisedime me Kosovën, Borislav Stefanoviq, i cili ka kërkuar nga protestuesit që të mundësojnë kalimin e lirë të ushtarëve të KFOR-it.

„Gjatë ketij takimi të mbajtur në orët e vona të së mërkurës, gjeneralmajori Erhard Bühler dhe të dy zyrtarët e lartë serb, Stefanoviq dhe Bogdanoviq, kanë arritur një marrëveshje në të cilën parashihet që në pikat kufitare 1 në Jarinjë dhe 31 në Bernjak, sistemi i tanishëm i kontrollit të vazhdojë i pandryshuar deri në mes të shtatorit; që veturat, kamionët me peshë deri në 3.5 tonë dhe kamionët që transportojnë ndihma humanitare, përfshirë edhe ushqimin, të kalojnë pas identifikimit dhe kontrollit për armë, si dhe të bëhet largimi i bllokadave rrugore dhe rivendosja e lirisë së qarkullimit“, bëhet e ditur në komunikatën e KFOR-it, sipas së cilës për bisedimet, komandanti i KFOR-it ka pasur autoritetin e plotë e të gjitha institucioneve të përfshira. Nga ana tjetër Stefanoviqi dhe Bogdanoviqi do ta koordinojnë marrëveshjen me presidentin e Serbisë Boris Tadiq dhe autoritetet tjera të involvuara nga pala serbe.

Draftmarrëveshja e papranueshme për qeverinë e Kosovës

Në foto, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi

Në foto, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi

Pak kohë pas publikimit të draftmarrëveshjes së përmbledhur në tri pika, të arritur në mes të gjeneralit të KFOR-it, Erhard Bühler dhe zyrtarit serb, Borislav Stefanoviq qeveria e Kosovës e ka vlerësuar atë si të papranueshme.


”Qeveria e Republikës së Kosovës duke respektuar në plotëni Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si shtet sovran, i pavarur e autonom në vendimmarrje, njofton opinionin publik vendor dhe ndërkombëtar se kjo draftmarrëveshje është e papranueshme për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe e parealizueshme në territorin e Republikës së Kosovës. Qeveria e Kosovës mirëpret përpjekjet e KFOR-it për zhbllokimin e rrugëve dhe krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës. Por, për Kosovën nuk do të ketë kthim në gjendjen e para 25 korrikut dhe Qeveria e Kosovës do të respektojë në përpikmëri masat e reciprocitetit me Serbinë”, thuhet në komunikatën e qeverisë e cila vie si kundërpërgjegje ndaj marrëveshjes së KFOR-it me përfaqëuësit serb.

KFOR: Serbët mbahen në barrikada përkunder vullnetit të tyre

Pamje nga demonstratat në veri të Kosovës

Pamje nga demonstratat në veri të Kosovës

Dje pasdite, nga baza amerikane e KFOR-it në Bondstill, është lëshuar një komunikatë tjetër me përmbajtje të pazakontë.

"Serbët lokalë në barrikadat e vendosura në veri po mbahen përkunder vullnetit të tyre nga paramilitarë dhe udhëheqës lokalë të krimit. Disa prej protestuesve bëjnë me dije se ata merrnin pjesë në këtë bllokadë përkundër vullnetit, të detyruar nga struktura të caktuara paralele radikale dhe udhëheqës lokalë të krimit të organizuar. Burra, gra, fëmijë dhe një prift ortodoks serb ishin pozicionuar para bllokadës së rrugës", thuhet ndër të tjera në këtë komunikatë, me anë të së cilës opinioni publik njoftohej se komandantit të Grupit Shumëkombësh -Lindje, kolonelit Majkell Shvarc i është bërë me die ky fakt gjatë bisedës me protestues në vendin e ngjarjes.

Qeveria e Kosovës i mban si përgjegjes direkt të tensioneve në veri të dy përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë dhe sipas tij „Borisllav Stefanoviqi dhe Goran Bogdanoviqi janë të vetmit zyrtarë në Evropë të cilët në mënyrë klandestine rrinë në Kosove për të motivuar serbët për aktivitete të jashtëligjshme“.

Autore: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Esat Ahmeti

DW.COM