1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Marrëveshje bilaterale Gjermani-Shqipëri për kulturën

Ministrja e Kulturës Mierla Kuimbaro për DW: Marrëveshja kuadër shumë solid në bashkëpunimin mes dy qeverive, gjithë institucioneve të kulturës dhe sidomos për të gjithë njerëzit e artit dhe të kulturës në të dy vendet.

DW: Znj. Ministre, ju qendruat në Berlin (26.11) ku patët takim me Kryetarin e Komisionit për Kulturën në Bundestag-un gjerman. Për çfarë biseduat?

Mirela Kumbaro: Është e vërtetë që unë vij nga Berlini në Dyseldorf (27.11), ku patëm takime shumë të rëndësishme, në radhë të parë me Kryetarin e Komisionit për Kulturën dhe Median në Bundestag, në Parlamentin gjerman, dhe gjithashtu dhe takim shumë i rëndësishem me Sekretarin e Shtetit për Marrëdhëniet me Jasht, në Ministrinë e Jashtme gjermane. Të gjitha këto bisedime u zhvilluan në kuadrin e kurorëzimit të një pune të gjatë nga të dy qeveritë për nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe për kulturë, arsim, sport dhe fusha të tjera të kësaj natyre. Është një marrëveshje, e cila siguron një kuadër shumë solid në bashkëpunimin midis dy qeverive, midis gjithë institucioneve të kulturës dhe sidomos dhe për të gjithë njerëzit e artit dhe të kulturës në të dy vendet. Besoj që është shumë e qartë si për palën gjermane dhe për palën shqiptare, që është koha më shumë se kurrë për një investim specifik në fushën e kulturës, si një investim që shkon përtej politikës së ditës dhe që ka të bëjë me të ardhmen e të rinjve në të dy vendet tona. Besoj që është investimi në kulturë ai që do të bëjë më të mirë dhe më të lehtë dhe marrëdhëniet në fushat e tjera, ekonomike, politike, financiare e kështu me radhë. Dhe është shumë e rëndësishme që Gjermania i kushton një vëmendje të veçantë komunikimit kulturor dhe diplomacisë kulturore pikërisht në momentin kur përballemi edhe me vështirësi ekonomike ose me një tendencë të kohëve të fundit të disa njerëzve të një kategorie të caktuar shqiptarësh që janë larguar, çka me kënaqësi konstatojmë, siç e konfirmoi edhe sot Presidentja e Parlamentit të Landit këtu, që ka një ulje drastike. Kjo nuk mjafton. Një investim i fuqishëm në kulturë, një ushqim sa më i madh me komunikim midis dy vendeve është i rëndësishëm shumë për ne, por besoj se është i rëndësishëm shumë edhe për Gjermaninë dhe për shtetasit gjermanë, të cilët nga taksat e tyre paguajnë për bashkëpunimet ekonomike me Shqipërinë. Është e vështirë që Shqipëria me arritjet ekonomike apo në aspekin financiar apo politik të integrohet menjëherë në Europë për shkak të standardeve të ndryshme dhe ritmeve të ndryshme të zhvillimit. Nga ana tjetër, ajo që mund të themi me gojën plot, është që Shqipëria me artistët e saj, me njerëzit e saj të kulturës, me kulturën e vet, është tashmë pjesë e Europës, është tashmë e integruar, flet në të njëjtën gjuhë, dhe të gjithë e kanë kuptuar që këtu është një theks shumë i fortë për t'u vënë.

Kush ishte iniciator i kësaj marrëveshjeje dhe në ç'kuadër u arrit në nënshkrimin i saj?

Është punë, është punë e qeverisë shqiptare dhe e qeverisë gjermane, sikurse dhe me partnerët e tjerë, ësht edhe punë e diplomacisë, ndërtimi i marrëveshjeve të përbashkëta në fusha të caktuara. Dhe puna për këtë marrëveshje kishte filluar që prej shumë muajsh dhe midis dy kancelerive tona diplomatike ishte ndërtuar tashmë ura. Ministria e Kulturës së Shqipërisë ka qenë caktuar nga qeveria shqiptare si lider i kësaj marrëveshjeje për të mbuluar të gjitha fushat. Sigurisht ambasadat tona kanë ndërtuar draftin, ministria jonë ka hedhur gjithë kontentin, ka pasur shumë shkëmbime dhe në fakt ideja është që ato shkëmbime kulturore që ekzistojnë por dhe në fushën e arsimit, në fushën e mësimit të gjuhëve, shqip këtu apo gjermanisht në Shqipëri të mund të konsolidohen dhe të rregullohen nga një marrëveshje dypalëshe midis dy qeverive. Ideja është që të mos ngelemi në letra të përgjithshme, por të ndiqet kjo nga një kalendar konkret veprimtarish. Dhe sot në Dyseldorf jemi pikërisht në këtë kuadër ku kemi organizuar „Nëntorin Shqiptar“ në Gjermani dhe ku Ministria e Kulturës ka mundësuar hapjen e një ekspozite të artit shqiptar në Parlamentin e Dyseldorfit, me një qasje historike por edhe bashkëkohore njëkohësisht, çka do të vazhdojë nga disa aktivitete të tjera siç është koncerti që do të ndjekim sot mbasdite, ku merr pjesë edhe trupa e baletit të Teatrit të Operas të Tiranës.

Dhe si e gjeni rezonancën për këto dy aktivitete nga pala gjermane?

Është shumë interesante pritja shumë e dashur që i bëjnë autoritetet, por edhe publiku. Kemi tashmë reagime vërtetë shumë të mira dhe unë do të përfitoj nga rasti për të thënë, për të rimarrë një fjalë që presidentja e Parlamentit të landit këtu tha sot në takimin, në hapjen e kësaj ekspozite, duke folur për perceptimin që kanë gjermanët për Shqipërinë në përgjithësi. Ajo tha që pak dinë për Shqipërinë. Ekziston më shumë një njollë e bardhë. Që do të thotë që ky komunikimi kulturor, komunikimi human, nuk ka qenë në atë stad që meritojnë të jenë kulturat tona reciproke. Kështu që ideja është që kjo marrëveshje dhe aktivitetet që ne bëjmë, atë njollën e bardhë ta kthejmë në një hapësirë me ngjyra dhe këtë e bën vetë kultura dhe arti, dhe detyra e politikës është ta mundësojë këtë gjë.

Për ç'arsye ekzsiton kjo "njollë e bardhë", pra deri më sot kanë munguar kontaktet bilaterale në fushën e kulturës midis dy vendeve?

Vlen të thuhet, se përgjithësisht gjithmonë i vihet më shumë rëndësi aspektit ekonomik ose aspektit politik, aspektit financiar. Ndërkohë ajo që ndjejmë fatmirësisht është që ka një frymë të një diplomacie kulturore shumë më të fuqishme sesa më përpara. I duhet t'i shprehim mirënjohjen atyre artistëve shqiptarë, të cilët në mënyrë individuale, me vullnetet e tyre, me talentin e tyre, dhe pa mbështetjen e shtetit, kanë çarë nëpër skenat ndërkombëtare, në fakt duke i bërë nder emrit të Shqipërisë dhe ata nuk janë të paktë. Është detyra jonë që këtë lloj potenciali, këtë energji ta kthejmë në një vlerë kombëtare, por të organizuar, për t'i folur publikut gjerman në rastin konkret, por më gjerë edhe atij europian, për t'i folur në një gjuhë që ai e kupton, për të cilën nuk ka nevojë për përkthim dhe për të cilën praktikisht kemi ecur tërë jetën me të njëjtin ritëm, ndryshe nga ekonomia apo nga financat. Ajo që unë duhet të them është që nuk ka pasur nga qeveria shqiptare në të kaluarën një politikë të strukturuar të diplomacisë kulturore. Ajo ka ndodhur në mënyrë paksa të improvizuar ose për inerci ose siç e thashë për meritë të vetë njerëzve të kulturës dhe të artit. Po përpiqemi ta ndërtojmë këtë lloj strategjie me të gjitha vendet, ku padyshim Gjermania zë një vend të jashtëzakonshëm, sepse dhe në rastin konkret vullneti është vërtetë nga të dyja anët dhe është një shans që nuk duhet humbur – jo vetëm për Shqipërinë, besoj që nuk duhet humbur edhe për Gjermaninë. Sepse marrëdhënia me vendet të cilat kanë vështirësi ekonomike, të cilat janë në tranzicion, të cilët shpesh herë Europa në qendër i konsideron si vende periferike, marrëdhënia nuk mund të jetë vetëm dominante, marrëdhënia duhet të jetë e barabartë. Kultura këtë gjë ta bën të mundur.

A besoni ju që kultura do t'i paraprijë politikës në këtë drejtim, për t'i afruar njerëzit më shumë mes tyre në Europë?

Kultura e ka bërë këtë gjë tashmë. Thjeshtë problemi është që këtë t'ua bëjmë të qartë sa më shumë aktorëve politikë dhe autoriteteve, sepse siç e thashë, kultura është një hapësirë pa kufi. Dhe nëse për shumë gjëra të tjera duhen vendime, duhen ligje, ka nevojë për një lloj kufiri i cili nuk është kaq kollaj i kalueshëm, kultura nuk ka nevojë për këtë. Vetë kultura ka nevojë për shumë më pak investim financiar sesa fushat e tjera, por efekti që ajo bën është shumë më i madh. Në qoftë se ne i flasim njerëzve përmes kulturës sonë, i prekim ata në zemrat e tyre, i prekim në shpirt dhe efekti është shumë më i madh dhe qëndron më gjatë sesa një shkresë apo një vendim administrativ. Në këtë kuptim unë besoj shumë shumë fort tek diplomacia kulturore dhe jam shumë e bindur që është një nga rrugët më të mira për integrimin e Shqipërisë në Europë.

he në këtë sens, megjithatë nuk i shmangemi dot nevojës për një mbështetje politike dhe financiare për promovimin e kulturës jashtë vendit. Vendet e mëdha të Europës siç është rrjeti i Fankofonisë apo promovimi i kulturës gjermane përmes Institutit Goethe apo ngjashëm veprojnë edhe vende të tjera europiane, jo vetëm ato të mëdha, por edhe vendet e vogla i kushtojnë vëmendje promovimit të kulturave të tyre jashtë kufijve të vet - Atëehrë shtrohet pyetja a ekzistojnë kapacitetet për të arritur të paktën në një nivel mesatar në drejtimin e përhapjes së kulturës shqiptare në shumë vende të Europës. A i ka Shqipëria këto kapacitete? A e gjen kultura shqiptare këtë mbështetje?

Në radhë të parë duhet të ketë vizion. Kur ka vizion gjenden, kapacitetet ndërtohen dhe mjetet financiare gjenden. Unë besoj që qeveria shqiptare sot e ka vizionin shumë të qartë të rolit të jashtëzakonshëm që luan kultura dhe të faktit që e vetmja mënyrë që neve të mundim klishetë negative që ekzistojnë jo për shkak të individëve, por për shkak të një ecurie historike, që jo gjithmonë kemi arritur ta kontrollojmë në vendin tonë, ne kemi produktet tona kulturore dhe besojmë fort, që ne nuk kemi asnjë hezitim për të bërë investimet e duhura. Kjo është arsyeja pse qeveria shqiptare e ka vendosur agjendën kulturore jo vetëm brendapërbrenda vendit, por edhe në skenat e mëdha ndërkombëtare, duke u përpjekur që të jemi në të njëjtin standard me cilësinë që kërkojnë këto skena - jo vetëm këtu në Gjermani. Më lejoni t'ju kujtoj që Shqipëria ka dy vjet që merr pjesë në Bienalen e Arkitekturës dhe të Artit në Venecia, që është ngjarja më e madhe në fushat përkatëse në botë. Vitin e kaluar Shqipëria hapi për të parën herë stendën e saj këtu në Berlinalen në Gjermani, në Festivalin e Filmit. Hapëm stendën për të parën herë në Festivalin e Kanës. Pra ideja është që jo vetëm të flasim në emër të kulturës sonë, por edhe të flasim në mënyrë dinjitoze dhe të mund të komunikojmë si të barabartë mes të barabartëve. Kjo është çështje vizioni. Dhe në momentin që vizionin e kemi, gjithçka është e mundur të arrihet. Besoj që kemi ndërtuar një agjendë kulturore dinjitoze si vitin e kaluar dhe në vijim. Dhe pikërisht për këtë dhe në buxhetin për vitin 2016 i kemi kushtuar fondet përkatëse që nëpërmjet arteve pamore, nëpërmjet gjithashtu librit, nëpërmjet muzikës, të mund të prezantohemi. Kemi dhe një element tjetër, pjesë e kësaj strategjie, shumë interesant. Kemi një bashkëpunim shumë të mirë në këto dy vite me artistët tanë më të suksesshëm në botë, të cilët në fakt e kanë çarë vetë skenën, falë talentit dhe falë punës. Ajo që po ndodh është e mrekullueshme. Ata po rikthehen. Dhe ose kontribuojnë me produksione artistike – dhe këtu kam parasysh Saimir Pirgun, Ermonela Jahon, Gëzim Myshketën, Anri Sala, Adrian Paci, shkrimtarë tanët të cilët jetojnë jashtë – dhe ata pa hezitim kthehen jo vetëm për të prodhuar bashkë me trupat artistike që jetojnë në vend, por edhe për të ndarë eksperiencën e tyre, edhe duke bërë master class-e, sepse i konsiderojmë nje model suksesi, pa dallime kufiri, gjithashtu i konsiderojmë edhe një lloj qarkullimi të energjive midis artistëve, të cilët në finale nuk ka rëndësi se ku jetojnë dhe nuk ka rëndësi se çfarë pasaporte kanë. Ata flasin në të njëjtën gjuhë. Dhe kjo është gjuha me të cilën Shqipëria do që t'i flasë Europës sot.