1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Marrëveshja për Veriun e Kosovës: kusht për negociatat e Serbisë me BE

Në qershor BE duhet të vendosin për hapjen e negociatave të antarësimit me Serbinë. Por deri atëherë Beogradi duhet të vendosë për kompromise të dhimbshme me Kosovën, thonë katër deputetët kristiandemokratë gjermanë.

Dr. Andreas Schockenhoff

Dr. Andreas Schockenhoff

Marrëveshja mbi bazat e bashkëpunimit e vitit 1972 mes Republikës Federale të Gjermanisë dhe ish-Republikës Demokratike të Gjermanisë mund të luajë një rol kyç në zgjidhjen e konfliktit prej disa dekadash të Kosovës. «Gjatë ditëve të ardhshme» Serbia dhe Kosova mund të arrijnë një marrëveshje për marrëdhëniet në fqinjësi të mirë sipas këtij modeli, i tha të martën (19.03.2013) zëvendëskryetari i grupit parlamentar të kristiandemokratëve/kristiansocialëve (CDU/CSU) në Bundestag Andreas Schockenhoff agjencisë së lajmeve DPA. Politikani bashkë me tre kolegë të tjerë të grupit parlamentar të konservatorëve kanë zhvilluar bisedime me politikanët drejtues në Prishtinë dhe në Beograd.

Krahas një marrëveshjeje të tillë, sipas Schockenhoff-it në axhendë është edhe miratimi i një plani kohor për zbatimin e të gjitha kompromiseve të deritanishme.

Veriu i Kosovës problem kyç

Por pika kyçe për marrëveshjen mbetet gjendja e minoritetit serb në Veri të Kosovës. Lidhur me këtë çështje Beogradi dhe Prishtina ende vazhdojnë të kenë pozicione të ndryshme. Krahas problemit të Kosovës edhe sistemi i drejtësisë është një pengesë në rrugën e Serbisë drejt BE-së, tha më tej Schockenhoff: «Është krejt e pasigurtë, nëse raporti i progresit i Komisionit të BE-së për Serbinë më 16 prill do të jetë i tillë, që të mund të vendoset në qershor për bisedimet e antarësimit.»

Bundestagu mundet që deri në fillimin e sezonit të pushimeve të rekomandojë lehtë për këto bisedime, thotë Schockenhoffi për gjendjen, por «kusht janë marrëveshjet në bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës.»

Andreas Schockenhoff vizitoi Prishtinën e Beogradin

Andreas Schockenhoff vizitoi Prishtinën e Beogradin

Të mërkurën (20.03.2013) bisedimet në Bruksel hyjnë në raundin e shtatë. Në to duhet të shprehet «një vullnet i qartë për normalizimin ligjërisht të detyrueshëm të marrëdhënieve». Ky vullnet "mund të shprehet p.sh. - nëse të dy presidentët ose të dy kryeministrat - janë të gatshëm që përpara kamerave të deklarojnë me shkrim ose gojarisht, se të dyja qeveritë (...) duan të rregullojnë në formë të detyrueshme ligjore normalizimin e marrëdhënieve», propozon Schockenhoff.

Autor: Vilma Filaj-Ballvora (dpa, bdt)

Redaktoi: Auron Dodi