1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Marrëveshja për armët bërthamore e mbaruar brenda këtij viti? - Rusia reagon pozitivisht ndaj ratifikimit amerikan

Pas ratifikimit të marrëveshjes START prej senatit të SHBA-së parlamenti rus do të merret brenda këtij viti me traktatin për çarmatimin nga armët bërthamore. Ka gjasa, që kjo të ndodhë që sot.

default

Pamje e Dumës ruse

Presidenti Medvedev e përshëndet ratifikimin e marrëveshjes së çarmatimit START prej senatit të SHBA-së. Zëdhënësja e tij, Natalja Timakova, informoi publikun, se presidenti e ka regjistruar këtë hap me kënaqësi. Ai shpreson, tha ajo, që Duma dhe këshilli i federatës të jenë të gatshme, ta ratifikojnë traktatin e çarmatimit gjithashtu.

Duma mund të votojë që sot

Ka të ngjarë, që Duma të votojë që të premten, deklaroi kryetari i parlamentit Boris Grislov. "Sikur rezoluta e bashkangjitur të mos e prekë tekstin e mirëfilltë të marrëveshjes, atëherë për traktatin mund të votojmë që nesër. Ky është mendimi i komisionit përgjegjës dhe i fraksionit të Partisë "Rusia e Bashkuar". Por në rast se rezoluta saktëson ose plotëson formulime në tekstin e negociuar, atëherë duhet të vazhdojmë të negociojmë."

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Me rezolutën e tyre të bashkangjitur senatorët amerikanë duan të shprehin bindjen e tyre, se marrëveshja e çarmatimit nuk i kufizon planet e SHBA-së për mbrojtjen raketore dhe nuk pengon modernizimin e armëve bërthamore.

Gottemoeller siguron rusët

Zëvendëssekretarja amerikane e shtetit Rose Gottemoeller siguroi në televizionin rus, se rezoluta nuk e prek përmbajtjen e marrëveshjes. Sipas saj, rezoluta nuk është detyruese në pikëpamje ligjore. Gottemoeller e tha këtë në rusishte të rrjedhshme. Deri në ardhjen në detyrë të Obamës ajo ka qenë drejtore e Qendrës Carnegie në Moskë.

Mihail Margelov, kryetar i komisionit për punë të jashtme në këshillin e federatës, nuk llogarit me probleme të veçanta gjatë ratifikimit në parlamentin rus. Sergej Rjabkov, zëvendësministër i jashtëm, e cilësoi ratifikimin e marrëveshjes së çarmatimit si ngjarje pozitive. Traktati përputhet me interesat e sigurisë të të dyja vendeve, tha ai.

Që prej ardhjes në post të presidentit rus Medvedev dhe të atij amerikan Obama marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Moskës janë përmirësuar ndjeshëm. Rusia donte prej kohësh të negocionte për një marrëveshje pasuese për marrëveshjen e çarmatimit START 1, e cila mbaron në fund të vitit, por me presidentin amerikan Bush kjo nuk ishte e mundur.

Ratifikimi në SHBA nuk u arrit me lehtësi

Barack Obama dhe Dmitry Medvedev

Barack Obama dhe Dmitry Medvedev

Presidenti rus Medvedev dhe homologu i tij amerikan e nënshkruan marrëveshjen e re START në prill në Pragë. Ratifikimi në SHBA ishte i vështirë, sepse partia e Obamës, demokratët, nuk zotërojnë shumicën e nevojshme në senat prej dy të tretave.

Gjatë samitit të NATO-s në Lisbonë në mes të nëntorit aleanca mbrojtëse dhe SHBA-ja i ofruan Moskës, të bashkëpunonin në zhvillimin e një sistemi antiraketor. Planet e mëparshme të zhvilluara njëanshëm nga SHBA-ja patën shkaktuar kritikë të ashpër në Rusi. Presidenti rus Medvedev dhe kryeministri Putin kishin kërcënuar javët e kaluara, se do të kishte një garë të re armatimi, në rast se SHBA-ja nuk do ta ratifikonte marrëveshjen e çarmatimit START.

Autor: Esther Hartbrich / Elert Ajazaj

Redaktoi: Esat Ahmeti

DW.COM

  • Data 24.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zoyF
  • Data 24.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zoyF