1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Marrëveshja e Ohrit ndryshoi statusin politik të shqiptarëve në Maqedoni

Mbushen 10 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, i cili i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoni. Dokumenti u shndërrua edhe në një mini kushtetutë për të drejtat e minoriteteve, sidomos ato të shqiptarëve.

Konferencë ndërkombëtare Me rastin e 10 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit

Konferencë ndërkombëtare Me rastin e 10 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit

Me rastin e 10 vjetorit të Marrëveshjes, në Ohër u mbajt konferencë ndërkombëtare në të cilën u dhanë vlerësime për këtë dokument i cili u quajt edhe dokument i paqes. Presidenti i Maqedonisë, Gjorgji Ivanov, nënvizon se në çdo demokraci çdo e drejtë është edhe obligim, andaj vetëm në këtë menyrë sipas tij, arrihet bashkëjetesë e mirëfilltë e më shumë bashkësive etnike në një shoqëri multietnike. “Është veçanërisht e rëndësishme që zbatimi i obligimeve, të cilat dolën nga Marrëveshja e Ohrit është detyrë kyçe e rrugës sonë evropiane dhe evroatlantike. Në të shumtën e rasteve obligimet e Marrëveshjes së Ohrit institucionet e shtetit i kanë plotësuar”, thotë presidenti Ivanov.

Zëvendës ndihmëssekretari shtetëror i SHBA-ve Filip Riker, thotë se në Maqedoni është bërë shumë për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, por ende ka pengesa serioze për implementimin e saj në praktik. SHBA është e interesuar për implementimin e plotë të këtij dokumenti sepse ai siguron një ardhmëri të sigurt për Maqedoninë.“Ne duhet t`i shmangemi asaj që ishte shtëpi e ndarë. Marrëveshja e Ohrit ishte shanc i mirë për tejkalimin e dallimeve mes më tepër popujve që jetonin në Maqedoni”, vlerëson Riker.

10 vjet Marrëveshje e Ohrit

10 vjet Marrëveshje e Ohrit

Lideri aktual i BDI-së, ish udhëheqësi politik i UÇK-së Ali Ahmeti, vlerëson se Marrëveshja e Ohrit është një dokument i cili i garanton Maqedonisë një perspektivë të sigurtë europiane. “Marrëveshja e Ohrit, qëllimin kryesor e ka pasur ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, një Kushtetutë e cila i margjinalizonte shqiptarët. Kjo marrëveshje ndryshoi statusin politik të shqiptarëve në Maqedoni dhe i bëri shtetformues”, thotë Ali Ahmeti.

Diplomati amerikan që në vitin 2001 kishte rolin e ndërmjetësuesit në nënshkrimin e Marreveshjes së Ohrit, Xhejms Perdju, thotë se Marreveshja e Ohrit paraqet model për tejkalimin e konflikteve etnike edhe në rajone tjera të krizës. “Arritja e Marreveshjes së Ohrit ndoshta ishte më e lehtë por implementimi i saj ishte më i vështirë. Dokumenti i Ohrit nuk është zgjidhje e përkryer, por ai ndryshoi shumë gjëra në të mirë në Maqedoni”, shprehet Xhejms Perdju. Gjithnjë sipas tij Marreveshja e Ohrit i mundëson Maqedonisë që të jetojë në paqë, por u mbetet liderëve që në vazhdimësi ta senzibilizojnë ate.

10 vjet Marrëveshje e Ohrit

10 vjet Marrëveshje e Ohrit

Naser Zyberi, në kohën e miratimit të Marreveshjes së Ohrit ishte pjesëmarrës i drejtëpërdrejtë si ekspert për çështje juridike. “Përmbajtja e Marrëveshjes së Ohrit, ka një filozofi të veçantë. Ajo e rregullon mënyrën e funksionimit të shtetit mbi parimet e barazisë së qytetarëve. Fatkeqësisht Maqedonia ende nuk funksionon mbi këto parimke të marrëvehsjes së Ohrit,” vlerëson Naser Zyberi.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Aida Cama