1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Marrëveshja e demarkacionit nuk do të prekë interesat e qytetarëve

Në Prishtinë sot u takuan grupet punuese të Kosovës dhe Maqedonisë për të diskutuar çështjen e demarkacionit të kufirit jugor të Kosovës me Maqedoninë.

Komisioni i Prishtinës për çështjen e demarkacionit të kufirit Kosovë Maqedoni, thotë se prona e qytetarëve të Kosovës, do të mbrohet me ligje dhe me konventa ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, komisioni heq shqetësimet e qytetarëve kosovarë të brezit kufitar me Maqedoninë, se tokat e tyre do të kalojnë nën administrimin maqedon, pa pajtimin e tyre. Kështu tha për programin tonë Bekim Qollaku, udhëheqës i komisionit të Prishtinës për çështjen e demarkacionit të kufirit me Maqedoninë, pas një takimi që u zhvillua në Prishtinë me komisionin e Shkupit.

Çështja e demarkacionit të kufirit Kosovë-Maqedoni, parashihet në planin e Marti Ahtisarit dhe ky plan merr për bazë një marrëveshje të vitit 2001 ndërmjet Shkupit dhe Beogradit, sipas të cilës mijra hektarë tokë të Kosovës kalojnë nën administrimin maqedon. Mirëpo, Ahtisari në planin e tij poashtu lë mundësinë që kjo marrëveshje të ribëhet në terren ndërmjet Prishtinës dhe Shkupit.

Bekim Qollaku, udhëheq komisionin e Prishtinës: "Është e vërtetë që procesi i demarkacionit të kufirit Kosovë-Maqedoni, bëhet në bazë të marrëveshjes së vitit 2001, e cila është arritur ndërmjet Shkupit dhe Beogradit dhe që përfshihet në pakon e Marti Ahtisarit. Mirëpo, është poashtu e vërtetë që e njëjta marrëveshje, lejon përmirësimet adekuate në terren, sipas fakteve dhe të dhënave që komisioni përkatës nxjerr nga matjet fizike. Kështu që qytetarët e brezit kufitar duhet të rrinë të qetë, sepse nuk do të ketë asgjë që shkon në dëm të pronave të tyre", thotë Bekim Qollaku.

Një muaj më parë, kur filluan bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Shkupit për çështjen e demarkacionit të kufirit, grupe të armatosura shqiptare u shfaqën në këtë pjesë dhe ata thanë se do të mbrojnë me armë tokat e tyre, nëse Prishtina vendos që pronat e brezit kufitar të kalojnë nën administrimin Maqedon. Bekim Qollaku, thotë se këto imazhe shkojnë në dëm të Kosovës. "Pamjet e shfaqura me grupe të armatosura në media, japin imazh të keq për shtetin e Kosovës. Mirëpo, në këtë rast duhet të pyeten këta qytetarë të brezit kufitar, se a dëshirojnë që ta zgjidhin çështjen e demarkacionit apo jo. Në rast se përgjigja është negative, atëherë komisioni i Prishtinës do ta ngrijë këtë proces dhe nuk është i detyruar që të bëjë marrëveshje, që të jenë në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve", thotë Bekim Qollaku.

Kuvendi i Kosovës, qysh në vitin 2001, ka nxjerrë një rezolutë me të cilën hedh poshtë marrëveshjen Shkup-Beograd, për kufirin e Kosovës me Maqedoninë. Autoritetet e Shkupit, mbrojnë këtë marrëveshje, mirëpo tash së voni kanë pranuar që ta rishqyrtojnë atë me Prishtinën zyrtare, ndërsa kanë hedhur poshtë një kërkesë të Beogradit, që edhe qeveria e Serbisë të përfshihet tash në këto bisedime.

  • Data 16.05.2008
  • Autor Bekim Shehu / Prishtinë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/E1Kd
  • Data 16.05.2008
  • Autor Bekim Shehu / Prishtinë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/E1Kd