1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Marrëveshja Beograd-Prishtinë sinjal i mirë për normalizimin

Marrëveshjet Beograd-Prishtinë janë sinjal i mirë i vazhdimit të normalizimit të gjendjes. Ato nuk u përshtaten vetëm disa forcave, thotë për DW drejtori i Forumit për Raporte Etnike në Beograd, Dushan Janjiq.

Deutsche Welle: Zoti Janjiq, të dy palët kanë folur në Bruksel për një fitore të madhe, pas nënshkrimit të marrëveshjeve të fundit. Si i vlerësoni ju këto marrëveshje?

Dushan Janjiq: Nëse shohim tërë procesin, nga fillimi i dialogut, duhet vlerësuar se ai megjithatë po funksionon. Ka pasur ngecje dhe dyshime. Viti 2014 ishte një vit i humbur, ndërsa viti 2015 solli bukur shumë lëvizje. Me këto katër marrëveshje mbyllet një paketë që mund të quhet zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe tani duhet të futemi në fazën e dytë. Natyrisht që kanë mbetur edhe shumë gjëra për t'u përfunduar, si statuti dhe kompetencat e sakta të Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe. Ka mbetur edhe procesi i realizimit të temave të tjera. Por rruga e nisur është e mirë dhe kemi një rezultat të mirë.

Menjëherë pas nënshkrimit të paketës së marrëveshjeve, palët kanë folur me gjuhë të ndryshme për përbërjen e saj dhe për efektet që priten. Sa do ta pengojnë këto interpretime të ndyshme zbatimin e marrëveshjeve?

Zbatimi ka disa nivele ku paraqiten pengesat. Niveli i parë është ai politik, i cili nuk është gjithmonë më i rëndëisishmi, por është më i bujshmi. Këtu paraqitet rezistencë politike, si për shembull Vetëvendosja, e cila del në rrugë dhe proteston në Kosovë, apo Partia Demokratike Serbe (DSS), e Sanda Rashkoviqit. Këtu kemi të bëjmë edhe me lobim shumë të fuqishëm politikë, me kriminalë dhe afaristë, të cilët kanë bërë përfitime tepër të mëdha në kushtet e kaosit dhe kriminalitetit. Këtyre grupeve nuk u vjen pë mbarë normalizimi i gjendjes dhe sundimi i ligjit. Këto grupe me siguri që do të përpiqen t'i blejnë sipërmarrjet publike në veri dhe do të përpiqen të mbajnë monopole. Por edhe ata e kanë të qartë se një gjendje e tillë nuk mund të zgjasë pafundësisht. Problemi i dytë është i natyrës objektive: Kosova është një shtet në lindje, ndërsa Serbia është një shtet i dobët. Ekonomitë e tyre janë të rrënuara, ndërsa njerëzit janë raskapitur dhe presin rezultate të shpejta, të cilat natyrisht nuk mund të realizohen shpejt. Por ekziston edhe një problem teknik në dialog - mungesa e transparencës, sepse të gjitha po bëhen në një formë sekrete, pa përfshirjen e opinionit. Dhe më në fund, problemi më i madh është që shoqëritë në këto vende ngadal duhet të pranojnë standardet evrpiane, për të cilat financiarisht, teknikisht dhe mentalisht ende nuk janë të përgatitura.

Cilat do të ishin zgjidhjet për këto probleme të shumta?

Së pari, Komisioni Evropian duhet ta kuptojë seriozisht se kjo është pjesë e Evropës dhe se duhet të ndihmojë gjetjen e zgjidhjeve dhe vënien e tyre në jetë. Evropa gjithësesi duhet ta rishikojë praninë e saj në Kosovë. Ndaj në kuadër të vlerësimit të misionit EULEX ajo duhet të shikojë që në të ardhmen të ketë një prezencë, e cila ndihmon në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit. Ndërkohë që të dyja palët - ajo serbe dhe shqiptare - duhet të punojnë në ngritjen e nivelit të kapaciteteve adminsitrative. Por zbatimi i saj mund të ndihmohet edhe me Procesin e Berlinit, sepse në këtë kuadër mund të gjenden edhe mjete financiare.

Kritikat më të mëdha në Kosovë ndaj këtyre marrëveshjeve, në veçanti Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, kanë të bëjnë me "bosnjizimin" e Kosovës dhe cënimin e sovranitetit të saj. A mund të thuhet se ky Asociacion e cënon sovranitetin e Kosovës?

Është normale që opozita gjithmonë kundërshton. Por objektivisht: Nëse Marrëveshja e Brukselit ka sjellë diçka, ajo ka sjellë shtrirjen e sovranitetit të institucioneve të Kosovës edhe në veri. Pse a është pak kjo?! Pak është vetëm për ata të cilët nuk kuptojnë se në këtë problem janë të përfshirë edhe forca të mëdha, që qëllimisht pengojnë krijimin e shtetit funksional në Kosovë. Disa prej këtyre forcave përmenda më sipër, por ekzistojnë edhe interesat e fuqive të jashtme.

A mund të thuhet pra se këto marrëveshje janë edhe një hap tjetër drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete fqinje?

Ky është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim. Sa i përket Bashkësisë së Komunave serbe: tek serbët kanë ekzistuar pritje joreale, të inicuara nga presidenti Nikoliq, sepse Nikoliq dhe Vetëvendosja pajtohen mes vete, që të krijohet një entitet i tretë në Kosovë. Objektivisht serbët nuk kanë fituar shumë, por kanë fituar më të shumtën e mundshme. Ata kanë fituar të drejtën e një lloj koordinimi mes komunave ku jetojnë. Kjo është një zgjidhje e përkoshme, për të cilën aktualisht nuk flet askush. Për jetësimin e një bashkësie të tillë, asaj i mungojnë gjërat që kanë shqiptarët në jug të Serbisë, pra autonomi kulturore dhe personale. Pres që kjo të jetë një prej temave të ardhshme në dialog. Besoj se kjo do t'i shtrohet si kusht Kosovës në procesin e afrimit me BE, sepse ruajtja e të drejtave të minoriteteve është një prej kushteve për afrim dhe anëtarësim në institucionet evropiane.