1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Marrëdhëniet transatlantike në transformim

Këtë të hënë presidenti amerikan Obama pret krerët e BE në samitin BE-SHBA. Temat më të rëndësishme janë kriza ekonomike dhe vatrat e krizave ndërkombëtare, por edhe ardhmëria e raporteve transatlantike.

Marrëdhëniet transatlantike përjetojnë një periudhë të vështirë

Marrëdhëniet transatlantike përjetojnë një periudhë të vështirë

Para pak javësh presidenti amerikan Barack Obama edhe një herë u përballua me politikën evropiane. "Këtu ka shumë  konsultime", deklaroi ai në një konferencë shtypi në fund të samitit të G-20 në Kanë, dhe shtoi: "të koordinosh të gjitha këto interesa është një punë e mundimshme, që kërkon kohë". Por jo vetëm presidenti amerikan e ka të vështirë të kuptojë se pse evropianët takohen kaq shpesh pa arritur ndonjë rezultat konkret.

Tani Evropa është mysafire në Uashigton. Të hënën (28.11.2011) takohen krerët e BE-së, komisioneri José Manuel Barroso dhe presidenti i Këshillit të BE Herman Van Rompuy me presidentin Obama, në kuadër të samitit vjetor BE-SHBA. As këtu nuk priten rezultate spektakolare. "Është ky një dialog në vazhdimësi", thuhet në qarqet diplomatike evropiane dhe amerikane.

Është kjo hera e parë që Evropa prezantohet në Uashington nga politikanët më të lartë të BE-së dhe jo nga presidentët, apo kryeministrat e vendeve anëtare. Evropa flet pra me të vërtetë me një zë.

Tema kryesore kriza ekonomike dhe financiare

Krizat financiare spostojnë qendrat tradicionale të financave

Krizat financiare spostojnë qendrat tradicionale të financave

Tema qendrore e takimit do të jetë kriza ekonomike dhe financiare. Është planifikuar edhe krijimi i një grupi të përbashkët pune, për përmirësimin e mëtejshëm të raporteve transatlantike ekonomike me qëllim hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritjen ekonomike. Rezultatet e këtij grupi do të prezantohen në samitin e ardhshëm në vitin 2012. Ndërkohë që edhe tani raportet tregtare transatlantike janë të jashtëzakonshme: ato përbëjnë 49 % të prodhimit global bruto dhe një të tretën e volumit të tregtisë botërore. Volumi ditor i shërbimeve dhe tregtisë transatlantike është 1,8 miliardë euro. Me këto punë janë të lidhur rreth 15 milionë vende pune.

Përveç ekonomisë ka dhe shumë tema të tjera, që do të bisedohen: zhvillimet në botën arabe, procesi paqësor në Lindjen e Mesme, ambicjet nukleare të Iranit, kërcënimet nga terrorizmi ndërkombëtar, ndryshimi i klimës etj. Do të trajtohet edhe mundësia e shkëmbimit të të dhënave për pasagjerët, që kërkon ndryshimin e rregullave të tanishme në Evropë.

Brengat e evropianëve

Por evropianët janë të brengosur, pasi që SHBA po orientohet gjithnjë e më shumë drejt Azisë. Presidenti amerikan tani është kthyer nga një vizitë dhjetëdiore në Azi, ku ka theksuar rëndësinë e raporteve me vendet atje. Megjithatë, evropianët janë të kënaqur për faktin se samiti nuk do të zhvillohet në kuadër të ndonjë aktiviteti tjetër dhe do të ketë më shumë kohë për të shtruar çështjet më të rëndësishme.

Drejtori i Qendrës për Raportet Transatlantike Daniel Hamilton thotë se brengosjet e evropianëve janë të panevojshme.

Katër skenaret e mundshëm

Daniel Hamilton ëshë një nga botuesit e studimit të Fondacionit Henrich-Bëll me titull "Transatlantiku 2020 – një histori prej katër skenarëve për të ardhmen". Modelet, që prezantohen këtu, janë: Krijimi i një rrjeti më të gjërë atlantik, ku përfshihen edhe Afrika dhe Amerika Latine; Amerika e izoluar, që ka humbur influencën; Evropa, që ka mbetur nën hije dhe modeli i fundit, Evropa dhe Amerika të mbetura pas vendeve në zhvillim, për shkak të problemeve financiare dhe ekonomike.

Hamilton thotë se një gjë është e qartë: "Raportet politike nuk janë më si ka qenë, sepse stabiliteti i Evropës nuk është më problem sikur në shekullin 20". Tani duhet shikuar, nëse evropianët janë në gjendje që të jenë partnerë të amerikanëve në ruajtjen e klimës, në Afganistan dhe në sfidat tjera të rëndësishme në botë. Poashtu duhet shikuar, nëse amerikanët janë të aftë të jenë partnerë edhe në kohërat e vështira dhe frustruese.

Orientimi i Uashingtonit nga Azia shqetëson Evropën

Orientimi i Uashingtonit nga Azia shqetëson Evropën

A kanë raportet transatlantike ende forcë?

Hamilton thotë se politikanët ende kanë mundësi të vendosin, se në ç'drejtim do të shkojnë gjërat. Me rëndësi është që ata të gjejnë përgjigje për krizën ekonomike, e cila njëkohësisht është edhe krizë politike. Për të qenë model në suazat ndërkombëtare, ata duhet të sigurojnë se populli i tyre do të përfitojë nga hapat, që ndërmirren. Roli më i rëndësishëm i partneritetit transatlantik duhet të forcohet dhe në qoftë se është e domosdoshme të zgjerohet. "Në qoftë se biem dakord, duhet të krijojmë edhe një koalicion global, për të arritur qëllimet", thotë Hamilton, i cili është optimist se problemet do të zgjidhen.

Zhvendosja e forcave globale?

Stephen Szabo, drejtor i Akademisë Transatlantike në Uashington, pohon se SHBA-ja po e humb besimin se BE-ja është zëri i Evropës, për shkak të asaj që ka ndodhur në dy-tri vitet e fundit. Uashingtoni do të kishte dëshirë që BE-ja të jenë unike, por është skeptik se kjo me të vërtetë do të ndodhë. Në Uashington po shtohet bindja se qendra e pushtetit në Evropë gjendet para së gjithash në Berlin. Prandaj Evropa shihet më shumë si problem dhe jo si partner.

Szabo shkon edhe më larg: "Ky ëshë një udhëkryq i rëndësishëm historik, kur po zvoglohet influenca e Perëndimit dhe po shtohet ajo e shteteve të Paqësorit". Szabo pohon se "tani kemi një zhvendosje të fuqive në Botë".  Ai është pesimist, sa i përket aftësive të evropianëve dhe amerikanëve për të marrë vendime të rëndësishme të përbashkëta. "Ne po humbim kontrollin ndaj fatit tonë", pohon ai duke shtuar se kriza e tanishme ekonomike në Evropë së shpejti mund të kaplojë edhe SHBA-në, që do të vështriësonte edhe më shumë zgjidhjen e problemeve globale.

Pa marrë parasysh, nëse optimistë, apo pesimistët kanë të drejtë një është e qartë: ndryshimet në raportet transatlantike janë të domosdoshme. Tani mund të influencohet ndoshta vetëm drejtimi.

Autor: Christina Bergmann/Bahri Cani

Redaktoi: Angjelina Verbica

DW.COM