1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marrëdhënie të shkëlqyera gjermano-shqiptare

Ani Ruci6 Korrik 2015

Në prag të vizitës së kancelares Angela Merkel, Gjermania dhe Shqipëria nënshkruajnë marrëveshje të bashkëpunimit financiar me një vlerë prej 118 milion eurosh.

https://p.dw.com/p/1FtYS
Fotografi: Reuters

Ambasadori gjerman në Tiranë, Helmut Hoffmann, dhe ministri i Financave të Shqipërisë, Shkëlqim Cani, nënshkruan sot në Tiranë gjashtë marrëveshje bashkëpunimi financiar me vlerë rreth 118 milionë euro. Ambasadori gjerman Hoffmann tha se këto marrëveshje do t'i shërbejnë zhvillimit ekonomik të vendit dhe përmirësimit të disa shërbimeve të rëndësishme për qytetarët shqiptarë si furnizimi me energji dhe ujë, marrëveshja për sigurimin e digave, si edhe marrëveshja për menaxhimin e mbetjeve.

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani e cilësoi ndihmën gjermane për qeverinë e Tiranës, si ndihmë që shërben zhvillimit të vendit dhe rritjes së pranisë së investimeve gjermane në Shqipëri.

Marrëveshjet e bashkëpunimit financiar me vlerë prej 118 milion eurosh u nënshkruan në prag të vizitës së kancelares Merkel, pasnesër, më 8 korrik në Tiranë, me ftesë të kryeministruit Rama dhe në kuadër të një turi të shpejtë ballkanik.

Marrëdhëniet Gjermani-Shqipëri të shkëlqyera në nivel ekonomik dhe politik

Ambasadori Hoffmann në një intervistë dhënë DW-së i cilësoi “të shkëlqyera” marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Shqipërisë. “Gjermania është shumë e angazhuar në Shqipëri përmes projekteve: projekte të bashkëpunimit ekonomik, ku Gjermania është sigurisht një nga donatorët më të mëdhej në marrdhëniet dypalëshe. Edhe në nivelin politik kemi marrëdhënie shumë të mira, me vizitën e kancelares Merkel” theksoi ai.

Helmut Hoffmann deutscher Botschafter Albanien Gedenken Borova
Fotografi: Deutsche Botschaft Tirana

Gjermania mbështet Shqipërinë që prej vitit 1988 në ndërtimin e një sistemi të besueshëm për ujin e pijshëm, furnizimin me energji elektrike dhe kanalizime. Gjermania gjithashtu nxit zhvillimin e një ekonomie sociale dhe ekologjike: ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, veçanërisht në bujqësi marrin mbështetje të rëndësishme në formën e kredive, granteve, trajnimeve dhe konsulencës. Përveç kësaj, Gjermania është duke promovuar në Shqipëri zhvillimin shumë të domosdoshmën të arsimit profesional.

Fokus i rëndësishëm i projekteve gjermano-shqiptare është edhe mjedisi dhe klima. Në vitet e ardhshme, Gjermania do të mbështesë Shqipërinë në hartimin dhe zbatimin e një koncepti për sektorin e mbetjeve.

Gjermania një nga donatorët më të mëdhenj në Shqipëri

Kontributet gjermane që nga viti 1988 arrijnë në një total prej më shumë se një miliardë euro. Gjermania është një nga donatorët më të mëdhenj dhe më të rëndësishëm për Shqipërinë. Të gjitha projektet kanë për qëllim anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të Shqipërisë.

Investitorët gjermanë po tregojnë një interes në rritje për të investuar në Shqipëri, e cila mori vitin e kaluar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Para një jave, më 30 qershor 2015, u hap Tirana Business Park, investim i grupit bavarez Lindner pranë aeroportit ndërkombëtar ”Nënë Tereza” dhe autostradës. Në këtë park pritet që të krijohen 9000 vende moderne pune me një vëllim të përgjithshëm prej 100 milionë euro, duke përfshirë logjistikën dhe shërbimet. Po javën e kaluar u hap në periferi të Tiranës, fabrika e parë e “Forschner” në Shqipëri ku deri në fund të vitit në këtë fabrikë do të krijohen 330 vende pune dhe në një faze tjetër deri 1000. Hapja e Tirana Bussiness Park dhe fabrikës “Forschner” janë ilustrimet më të freskëta për interesin e investitorëve gjermanë për të investuar në Shqipëri.