1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Marrëdhënie bilaterale nën presion

Në Samitin e Lëvizjes së Shteteve të Painkuadruara, e cila ekziston edhe 20 vjet pas Luftës së Ftohtë, takimi më interesant do të jetë ai mes presidentit iranian Ahamdinexhat dhe kryeministrit indian Singh.

Bëhet fjalë për një "Marrëdhënie midis vëllezërve", ishte cituar presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhat, pas një bisede telefonike me kryeministrin indian Manmohan Singh në fillim të këtij viti. Marrëdhëniet ndërmjet Indisë dhe Iranit tradicionalisht kanë qenë shumë të ngushta. Megjithatë vizita e fundit e një kryeministri indian në Iran është kryer para më shumë se dhjetë vitesh: në vitin 2001 Atal Behari Vajpayee vizitoi Iranin.

SHBA duan bashkëpunimin e Indisë për sanksionet ndaj Iranit

SHBA duan bashkëpunimin e Indisë për sanksionet ndaj Iranit

"India ndodhet para një dileme diplomatike", thotë eksperti për Iranin, Qamar Agha, i cili për një kohë të gjatë ka ligjëruar në Universitetin Kombëtar Islamik (Jamia Millia Islamia) në Nju Delhi. Kjo për faktin se sa më shumë që është afruar India me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sidomos pas marrëveshjes bërthamore indo-amerikane në vitin 2008, aq më i madh ka qenë presioni ndaj Indisë që të distancohet nga Irani. "Megjithatë", thotë Qamar Agha, "India ka thënë gjithmonë se interesat e saj kombëtare janë mbi të gjitha. Për ekonominë e saj në rritje të shpejtë India ka nevojë për energji dhe naftë".

Partner me Iranin dhe Perëndimin

Në anën tjetër India dëshiron të tregojë se është demokracia më e madhe në botë dhe si një superfuqi e ardhshme dëshiron të jetë në nivel me superfuqitë e tjera dhe të paraqitet si partner i besueshëm, thotë Agha: "Prandaj India ka reduktuar ndjeshëm në të kaluarën importin e naftës nga Irani. Kjo nuk ka kaluar pa rënë në sy të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe fuqive të tjera perëndimore". Përveç kësaj India dy herë, në vitin 2005 dhe 2009, në kuadër të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike ka votuar kundër Iranit.

India si fuqi bërthamore ka theksuar disa herë se në parim nuk është kundër programit bërthamor të Iranit. Por pasi Irani, në dallim nga India, ka nënshkruar Traktatin e mospërhapjes së armëve bërthamore, vendi duhet edhe ta respektojë atë. Ky është qëndrimi i Nju Delhit. Politologu Reza Taghizadeh nga Universiteti Glasgow sheh një përfitim të dyfishtë për Indinë nga pjesëmarrja në Samitin e të Painkuadruarve: "India mund të edhe një herë riafirmojë miqësinë e saj me Iranin dhe në të të njëjtën kohë, ajo mund të përcjellë mesazhin e bashkësisë ndërkombëtare për udhëheqjen iraniane se ajo duhet të tregohet më e gatshme për kompromis."

Nuk bëhet fjalë vetëm për naftë

Aktualisht India mbulon me importin nga Irani rreth dhjetë për qind të nevojave të saj për naftë. Kështu, pas Arabisë Saudite, Irani është furnizuesi i dytë me naftë për Indinë. Irani ka nevojë për Indinë aq sa ka ka nevojë India për Iranin, konkludon Reza Taghizadeh: "Aktualisht India nuk është shumë e shqetësuar sepse mungesat e krijuara të naftës do t'i mbulonte nga Arabia Saudite apo Iraku. Por India dëshiron që sa më shumë që të jetë e mundur të shpërndajë në burime të ndryshme importet e saj të naftës. Për Indinë është e rëndësishme për të gjetur një ekuilibër të mirë midis afërsisë dhe distancës me Iranin."

Për Indinë rruga për në Azinë Qendrore kalon përmes Iranit

Për Indinë rruga për në Azinë Qendrore kalon përmes Iranit

Por India nuk e ka hallin vetëm tek sigurimi i furnizimit me energji elektrike. Marrëdhëniet e mira me Iranin janë të rëndësishme edhe për shkak të funksionit të tyre si urë lidhëse me Azinë Qendrore dhe interesat e saj tregtare. Edhe interesat gjeopolitike luajnë një rol në këtë mes, thotë politologu Qamar Agha. "Për Indinë ishte shumë i hidhur fakti që gjatë Luftës së Ftohtë për një kohë boshti Turqi, Iran, Pakistan ishte shumë i fortë. Këto ishin kohë shumë të vështira për Indinë. Për dallim sot Nju Delhi e sheh si rivale Kinën e cila po shpërndahet në rajon dhe po investon fuqishëm në Afganistan dhe Iran.