1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Iran Uran Türkei

17 Maj 2010

Irani e ndryshoi qendrimin e tij në grindjen atomike me bashkësinë ndërkombëtare. Marrëveshja përkatëse u nënshkrua sot (17.05.) me Turqinë dhe Brazilin.

https://p.dw.com/p/NQDa
Ministrat e jashtëm të Iranit, Brazilit dhe Turqisë këmbejnë dokumentet pas nënshkrimit të marrëveshjes për pasurimin e uraniumit. 17 maj 2010.
Ministrat e jashtëm të Iranit, Brazilit dhe Turqisë këmbejnë dokumentet pas nënshkrimit të marrëveshjes për pasurimin e uraniumit. 17 maj 2010.Fotografi: AP

Kemi të bëjmë me një lloj surprize e me rezultatin e negociatave të zhvilluara me zgjuarsi. Si të thuash në minutën e fundit, presidenti i Brazilit, Lula da Silva dhe kryeministri turk, Erdogan arritën ta bindin udhëheqjen iraniane që të bierë dakord për ta shkëmbyer uraniumin e diskutueshëm në një vend të tretë.

Marrëveshja, për të cilën u ra dakord në mëngjes në Teheran, parashikon që Republika Islamike të dërgojë në Iran 1,2 tonë uranium të pasuruar në masën 3 përqind e gjysëm. Atje kjo masë uraniumi do të këmbehet me uranium të pasuruar në masën 20%, i cili vjen nga Rusia dhe Franca dhe që Iranit i nevojitet për një reaktor kërkimesh në fushën e mjekësisë.

Kjo marrëveshje iu ofrua Teheranit që në vjeshtë të vitit të kaluar. Por qeveria e këtij vendi nguli këmbë që këmbimi i uraniumit të bëhet në Iran. Pas rënies dakord, Lula dhe Erdogani u treguan shumë të lehtësuar, kurse kryenegociatori iranian për çështjet atomike, Ali-Akbar Salehi, tha:

"Për të treguar vullnetin tonë të mirë dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar tej mase me IAEA-në, ne e pranuam këmbimin dhe procedurën, për të cilën ngulte këmbë Perëndimi, pikërisht për livrimin e uraniumit tonë të pasuruar në një vend të tretë."

Simbol uniteti: presidentë e Brazilit, Iranit dhe Turqisë pas nënshkrimit të marrëveshjes në Teheran. 17 maj 2010 in Tehran.
Simbol uniteti: presidentë e Brazilit, Iranit dhe Turqisë pas nënshkrimit të marrëveshjes në Teheran. 17 maj 2010 in Tehran.Fotografi: picture alliance/dpa

Më parë, Erdogani e pati anulluar vizitën e tij në Teheran nga zemërimi për qendrimin e ngurtë të Iranit, sepse Turqia pati ofruar disa herë më kot ndërmjetësim në grindjen atomike. Kur bisedimet midis Lulas dhe qeverisë iraniane të dielën pasdite sinjalizuan megjithatë ndryshim qendrimesh, kryeministri turk vajti në kryeqytetin iranian. Në përputhje me këtë, politologu turk, Mustafa Kibaroglu u shpreh:

„Mund të flasësh për një sukses diplomatik të Turqisë, e cila i solli tani në këtë stad bisedimet. Rëndësia e kësaj nuk duhet minimalizuar. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se tani janë zgjidhur të gjitha problemet midis Perëndimit dhe Iranit."

Dhe me të vërtetë, me dakordimin e sotëm është zgjidhur vetëm një pjesë e vogël e konfliktit me Iranin. Sepse çështja vendimtare, nëse Republika Islamike do ta përdorë programin e saj të diskutueshëm atomik edhe për qëllime ushtarake, vazhdon të mbetet e hapur.

Autor: Ulrich Pick / Auron Dodi

Redaktoi: Eliana Xhani