1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Mario Draghi është në rrugën e gabuar

Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi në intervistë për gazetën "Handelsblatt" prezantohet si bankier modest. Në të vërtetë ai është njeriu më i fuqishëm i Europës sot. Pa të drejtë, mendon Zhang Danghong.

Po, Mario Draghi është i vendosur të përdorë artilerinë e rëndë - blerjen masive të obligacioneve shtetërore - , i thotë ai gazetës gjermane me fokus ekonomik "Handelsblatt". "Këshilli i Bankës Qendrore Europiane dhe komisionet përgjegjëse të eurozonës janë ngarkuar të bëjnë përgatitjet teknike në rast nevoje për masa shtesë". Ndryshe kjo do të thotë: Blerja e obligacioneve në masë do të bëhet, madje shumë shpejt. Kjo metodë është e kontestuar sidomos në Gjermani. Jens Weidmann, president i Bankës Federale Gjermane e ciëson atë si drogë për shtetet dhe mendon se BQE madje po arrin gati të shkelë mbi rregulloren e ndalimit të financimit të shteteve.

Mario Draghi i kundërshton energjikisht kritikat. Ashtu si e kërkon politika gjermane e rregullit ai po mban lart flamurin e stabilitetit të çmimeve dhe me këtë edhe mandatin e BQE: "Ne kemi një mandat. Ky është - mbajtja e inflacionit nën dhe gati 2%." Por për shkak se përqindja e inflacionit në eurozonë ka rënë në 0,3% dhe norma bazë e interesit praktikisht është zero, mundet vetëm që shumat e mëdha të ndikojnë në rritjen e inflacionit. Kjo tingëllon e llogjikshme dhe i përgjigjet edhe interpretimit të rreptë të mandatit të BQE, ashtu siç e duan gjermanët.

Kush shqipton A - duhet të shqiptojë edhe B

Por kërkon vërtet presidenti i BQE të ruajë stabilitetin e çmimeve? Shumë pak. Blerjet e planifikuara nuk janë gjë tjetër veçse rrjedhoja logjike e njoftimit të tij në maj 2012 për të shpëtuar me çdo çmim euron. A e kishte Mario Draghi në atë kohë në mendje inflacionin? Me siguri jo. Rëndësi kishte shpëtimi i monedhës së përbashkët. Ky ka qenë mandati i vetëpërcaktuar i Mario Draghit. Ai sinjalizon me këtë se është i gatshëm të shkojë në skaj, pra të bëhet financuesi i fundit i shteteve të euros.

Por kjo strategji nuk ka mbështetje ligjore. Unioni monetar përbëhet nga 19 shtete sovrane. Për këtë konfiguracion t'i shërbesh një politike ekspansive monetare (e njohur edhe si Quantitative easing shën.red.) është ndryshe nga blerjet masive që bën "Fed" në SHBA apo kur "Bank of England" blen obligacione. Për cilat obligacione bëhet fjalë? Kush rrezikohet nëse një vend i eurozonës nuk i paguan dot borxhet? Që kjo nuk është një pyetje hipotetike, vërtetohet në rastin e Greqisë.

Redaktionsfoto der Wirtschaftsredaktion, Danhong Zhang

Zhang Danhong komenton

Sigurisht Mario Draghi ka qëllime të mira. Madje strategjia e tij ka arritur rezultate pozitive. Befas ndaluan edhe spekulimet kundër euros. Por qeveritë në eurozonë nuk e shfrytëzuan kohën që iu dha Mario Draghi për të bërë reforma strukturore. Prandaj Mario Draghi nuk mund ta përtypë një lloj zhgënjimi edhe në intervistën në Handelsblatt, kur paralajmërimit për reforma i shton. "Këtë e them prej shumë, shumë kohësh. Më mbetet vetëm të përsëris veten."

Droga e ëmbël frenon zellin për reforma

Probabiliteti që askush të mos e dëgjohë Draghin edhe këtë herë është i lartë. Pse duhet të marrin qeveritë masa të dhimbshme, që rrezikojnë rizgjedhjen e tyre, kur kanë pas kurrizi një Bankë Qendrore Europiane, e cila në fund të fundit në rast urgjence do të ndihmojë? Këtë moto e ndjekin jo vetëm politikanët e zgjedhur, por edhe ata që duan të marrin pushtetin. Kështu Alexis Tsipras, kreu i lëvizjes së majtë, Syriza në Greqi dhe me shumë gjasë kryeministri i ardhshëm grek, bëri të ditur se do të mbetet në eurozonë pa i përmbushur detyrimet. Edhe ai fshehtas shpreson se BQE gjithsesi do t'i mbyllë të çarat që do të krijohen brenda unionit monetar.

Me premtimin e tij të ruajë euro - me çdo kusht - kreu i Bankës Qendrore Europiane Mario Draghi e ka futur veten në një dilemë. Ai duhet të rrisë dozën e pilulave për pacientët e tij, dhe i merr atyre kështu motivimin për të ndërmarrë diçka për shëndetin.

BQE - lojtari më i rëndësishëm në Europë

Por nuk do të ishte e drejtë të bëhej vetëm Draghi përgjegjës për këtë manovrim. Edhe paraardhësi i tij, Jean Claude-Trichet iu bashkua politikës për shpëtimin e euros në maj të vitit 2010. Ai bleu obligacionet greke dhe u bë pjesë e paketës së shpëtimit. Për bankat paraja u bë e lirë.

Mario Draghi e shijon zgjerimin e pushtetit si shpëtimtar i euros. Prandaj është e qartë që ai nuk do të kalojë në politikë, siç i rrëfen Handelsblatt. Spekulohet se ai mund të bëhet pasardhësi i presidentit italian, Napolitano. Pse duhet të bëhet Draghi politikan, kur aktualisht është njeriu më i pushtetshëm në Europë?

I pyetur për këtë pushtet, italiani paraqitet modest: "Unë e interpretoj detyrën time sipas mandatit. Për mua rëndësi ka stabiliteti i çmimeve." Ky është dhe duhet të jetë vërtet mandati i vetëm i BQE dhe presidentit të tij, Mario draghi. Monedha e përbashkët ka qenë që nga fillimi një projekt politik. Për ruajtjen e saj është vetëm politika përgjegjëse.