1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia si barrierë frenuese e fluksit të refugjatëve

Stephan Ozsváth17 Shkurt 2016

Gjithnjë e më shumë vende të BE-së i bëjnë presion Maqedonisë, që ta mbyllë itinerarin ballkanik të refugjatëve.

https://p.dw.com/p/1HwfI
Grenze zwischen Serbien und Mazedonien Flüchtlinge
Fotografi: picture-alliance/dpa/D. Savic

Austria ka përcaktuar si kuotë maksimale vjetore sivjet për 37.500 azilkërkues, në të ardhmen do të ketë edhe një kuotë maksimale ditore të pranimit. Të njëjtën gjë do të bëjë edhe Sllovenia, maksimumi 1000 refugjatë në ditë do të lejojë të kalojnë qeveria në Lubjanë. Maqedonia si vend jo anëtar i BE-së ka premtuar, se do të reagojë sipas modelit të vendeve veriore të BE-së. Ndërkohë po ndërtohet një linjë e dytë kufitare me tela me gjemba.

Në Gevgeli, në kufirin midis Maqedonisë dhe Greqisë ushtarët shpalosin telin me gjemba. Ngrihet një barrierë e dytë, 37 km i gjatë duhet të jetë gardhi në kufi. Teli me gjemba ka ardhur nga Hungaria."Më e rëndësishmja për ne është që të jetë i sigurtë kufiri", thekson Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikola Poposki.

Kjo do të realizohet në nivelin më të lartë, edhe në sajë të shumë partnerëve, duke përfshirë edhe Austrinë. Kështu do të pengohet çdo hyrje ilegale.

Kjo do të thotë: e vetmja mundësi për të hyrë në Maqedoni është përmes pikave, që janë parashikuar me ligj për regjistrimin. Dhe atje, numri i personave që do të lejohet të hyjnë do të varet nga aftësia e pranimit të shteteve të BE.

Kjo është një çështje matematikore, thotë Poposki. Në patrullat në kufi ndihmë që tani japin policë nga gjashtë shtete të BE, midis tyre edhe nga Hungaria. Komisioni i BE i ka vënë Maqedonisë 10 milionë Euro në dispozicion, për të përballuar vërshimin e refugjatëve. Por paratë nuk duhet të përdoren për ndërtimin e gardhit, tha një zëdhënëse e Komisionit. Në fundin verior të itinerarit ballkanik, po mbyllet që tani ventili për refugjatët. Vërshimi synohet të frenohet. Sllovenia dëshiron të lejojë vetëm 1000 hyrje në ditë. Sekretari për Punët e Brendshme, Bojan Sefic: Edhe Austria ka shpallur kufizime me kontigjente ditore: vetëm 500 vetë do të lejohet të hynë. E llogaritur kjo për gjithë vitin, arrihet në kufirin maksimal të 37.500 azilkërkuesve.

Krahas Spielfeldit në Steiermark do të zgjerohen rreth gjashtë pika të tjera të menaxhimit të kufirit. Ministri i Jashtëm, Sebastian Kurz i paraqiti këto argumenta javën e kaluar në udhëtimin në Ballkan.

Mazedonien baut zweiten Zaun an der Grenze zu Griechenland
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/B. Grdanoski

Me Maqedoninë i kanë lidhur shpresat edhe shtetet e Vishegradit. Kryeministri i Hungarisë, Orban, ka lidhur me tri shtete evropianolindore: Sllovaki, Ceki, Poloni një lloj "Koalicioni të të vullnetshmëve." Në Parlamentin e Budapestit, Orbani e kritikoi indirekt kursin e kancelares Merkel.

"Në BE dhe në Bruksel nuk mungon vetëm aftësia, por edhe vullneti për t'u mbrojtur. Brukseli dëshiron të lejojë edhe më tej hyrjen e migrantëve legalë në territorin e BE, madje do t'i transportojë ata këtu, për t'i shpërndarë me detyrim. Këtë plan qeveria hungareze nuk e pranon dhe do ta kundërshtojë. Ne besojmë se duhet të mbrohemi, nga dërgimi te ne me detyrim i njerëzve, me të cilët nuk duam të jetojmë."

Refugjatët janë përgjegjës për terrorin dhe frikën, tha kryeministri i Hungarisë. Për mendimin e tij vija kufitare duhet ndërtuar në Maqedoni dhe në Bullgari.

Hungaria do ta zgjasë tani edhe në kufi me Rumaninë gardhin, bëri të ditur kryeministri hungarez. Në shtator, Viktor Orbani e zgjati me një gardh në kufi në drejtim të Serbisë dhe Kroacisë itinerarin ballkanik tek shtetet fqinje. Sipas Organizatës së OKB-së për refugjatët, që prej fillimit të vitit tokën e BE e kanë shkelur rreth 80.000 vetë, midis tyre shumë gra dhe fëmijë.