1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedonia shpreson në vlerësimin pozitiv të BE-së

Ballkani ka ende çështje, por mundësia e integrimeve europiane jep një kornizë më të mirë për t'i trajtuar edhe problemet e vjetra historike në Ballkan, shprehet zëvendëskryeministrja e Maqedonisë Teuta Arifi.

Zevëndëskryeministrja e Maqedonisë, Teuta Arifi në Berlin bashkë me deputetin gjerman Peter Weiß, (CDU-CSU )

Zevëndëskryeministrja e Maqedonisë, Teuta Arifi në Berlin bashkë me deputetin gjerman Peter Weiß, (CDU-CSU )

DW: Zonja Arifi, cili ishte qëllimi i vizitës suaj në kryeqytetin gjerman?

Teuta Arifi: Në fakt bëhet fjalë për takime dypalëshe. Kjo është një vizitë në vigjilje të vendimeve që do të marrë Këshilli Europian në Dhjetor për sa i përket zgjerimit të Bashkimit Europian me vendet e tjera nga rajoni i Ballkanit Perëndimor. Bisedat që pata unë në Berlin me përfaqësues të qeverisë gjermane dhe të Bundestagut ishin më shumë të karakterit informativ, ku unë pata mundësinë të shpalos situatën aktuale në vend, obligimet e realizuara nga ana jonë për sa i përket anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe gjithësesi kërkuam një mbështetje nga shtetet anëtare të BE-së, veçanërisht nga Gjermania që është edhe një nga vendet më të fuqishme në këtë organizatë. Ne pretendojmë që me mbështetjen e këtyre vendeve, me ndikim në BE, procesi i zgjerimit të ketë prioritet dhe po ashtu edhe Maqedonia të ketë shanse më serioze gjatë këtij viti në drejtim të përshpejtimit të procesit për në BE.

DW: Për të pasur një përgjigje pozitive në samitin e BE-së në dhjetor, Maqedonia duhet të kapërcejë një sërë problemesh, veçanërisht problemet me vendet fqinjë, Greqinë dhe Bullgarinë. A ka një mbështeje konkrete nga ana e qeverisë gjermane për këto çështje?

Teuta Arifi: Qasja e politikës gjermane ndaj Ballkanit, vendeve ballkanike ka qenë gjithmonë konstruktive. Ata që ndjekin me vëmendje të madhe realizimin e detyrimeve që ne kemi ndaj Bashkimit Europian, në të njëjtën kohë kërkojnë që edhe ne të japim mesazhe të fqinjësisë së mirë, veçanërisht lidhur me Greqinë, me të cilën ne kemi problemin e emrit të kontestuar. Politikanët gjermanë e vlerësojnë në mënyrë pozitive përgjigjen për memorandumin e ofruar nga pala greke dhe kërkojnë që ne të qëndrojmë në këtë qasje, pra në qasjen e politikave korrekte me vendet fqinjë, duke përfshirë këtu si Greqinë, ashtu dhe Bullgarinë. Ballkani në përgjithësi ka shumë çështje që janë të ndjeshme dhe janë të hapura, por besoj se mundësia e integrimeve europiane na jep një kornizë më të mirë për t'i trajtuar problemet më të vjetra dhe historike ballkanike.

DW: Zonja Arifi, si qëndron puna me reformat në disa sektorë si gjyqësori, mediet dhe zgjedhjet, e kërkuara nga BE-ja? A janë realizuar ato në nivelin e duhur që sipas BE-së janë mëse të nevojshme për një vend që aspiron në këtë familje?

DW. Pikërisht këto tri fusha që përmendet ju, por edhe duke shtuar marrëdhëniet ndëretnike dhe marrëveshjen e Ohrit, në fakt kanë qenë temat për të cilat për nëntë muaj me rradhë, në kuadër të dialogut paraprak në nivel të lartë janë zhvilluar edhe më shumë aktivitete që ato të realizohen. Kështu ne kemi arritur në kuadër të dialogut me përfaqësuesit e medieve të vijmë në fazën e fundit të një ligji, i cili parashikon parimin e paanësisë, një kërkesë kjo e sektorit mediatik të Maqedonisë, të ndryshimit të legjislativit që ka të bëjë me zgjedhjet, ndërkohë që proceset që kanë të bëjnë me gjyqësorin janë procese në vazhdim. Po ashtu kemi pasur një obligim për të paraqitur një raport për sa i përket realizimit të Marrëveshjes së Ohrit në Bashkimin Europian, të cilin e kemi realizuar gjatë kësaj vere. Nga ne kërkohet faktikisht që kjo dinamikë të mos ndërpritet, por përkundrazi akoma më shumë të përforcohet edhe në të ardhmen. Dhe kjo na bën që ne të shpresojmë në një përgjigje pozitive nga Bashkimi Europian.

DW: Dhe ju jeni optimiste që do ta merrni këtë përgjigje pozitive në dhjetor?

Teuta Arifi: Unë jam optimiste e përmbajtur. Duhet pasur parasysh që këto vendime politike nuk janë të lehta, mendoj se në qoftë se Bashkimi Europian na hap rrugën për të ecur në drejtim të tij, atëherë edhe mundësitë për t'i tejkaluar ndasitë dhe problemet e brendëshme janë edhe më të mëdha.