1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia pret me optimizëm raportin e KE-së

27 Shtator 2011

BE tregon përkrahje dhe mbështetje të plotë për ata që në mënyrë serioze mendojnë dhe angazhohen për çështjet evropiane në Maqedoni, thotë në intervistën për DW zëvendëskryeministrja për eurointegrime Teuta Arifi.

https://p.dw.com/p/12h5o
Teuta Arifi –Deputy Prime Minister for Eurointegration *** Author: Fatos Musliu, shot in Skopje , on September 26 th
Teuta ArifiFotografi: DW

Zëvendëskryemininistrja e Maqedonisë për çështje të eurointegrimeve Teuta Arifi, në prag të publikimit të raportit të progresit për të arriturat e Maqedonisë gjatë vitit 2011, ka qëndruar në vizitën e parë zyrtare në Bruksel. Gjatë qëndrimit atje, ajo ëshë pritur nga eurokomisari për zgjerim i BE-së Shtefan Fyle, drejtori për zgjerim Stefano Sanino dhe raportuesi për Maqedoninë  në Parlamentin Europian, Riçard Houvik. Zëvëndëskryeministrja Arifi është optimiste për vlerësimet pozitive që do të jepen në raportin e progresit. “ Mendoj se Maqedonisë do t'i jepet, do t'i lihet ose do t'i vazhdohet rekomandimi për fillimin e bisedimeve, ndërkohë që çështja politike e problemit me emrin që kemi me Greqinë do të mbetet elementi pengesë për të filluar atë proces, edhe pse Komisioni Evropian faktikisht do të rekomandojë fillimin e bisedimeve”, shprehet Teuta Arifi.

Vërejtje për gjyqsorin, administratën dhe mediat

Sa i përket harmonizimit të ligjeve dhe atmosferës politike në vend, në raport do të ketë vlerësime pozitive dhe korrekte . Zonja Arifi thotë se në raport do të apostrofohen sferat ku ka ngecje. “Do të kërkohet më shumë të bëhet në drejtim të reformave në administratë, reformat në gjyqësor, do të ketë edhe ndonjë fjali sa i përket lirisë së shprehjes dhe mediave. Këto janë tri pika - shtyllat në të cilat gjatë vitit të ardhshëm duhet  të punohet më shumë”, thotë Teuta Arifi.

Vize-Prämierministerin der neuen Mazedonischen Regierung, Teuta Arifi. Sie ist auch Vize-Präsidentin der Mitregierenden Partei der Albaner in Mazedonien, DUI. Das Foto wurde von unserem Korrespondeten Sveto Toevski, am 05.08.11 aufgenommen.
Teuta ArifiFotografi: DW

Nuk ka bisedime të fshehta për emrin

Sa i përket çështjes së emrit, zonja Arifi vlerëson se në Bashkimin Evropian ka një energji tejet pozitive dhe sipas saj është me rëndësi kur autoritetet evropiane shprehin dhe tregojnë optimizëm për tejkalimin e problemeve. Arifi ka mohuar zërat se krahas bisedimeve zyrtare po zhvillohen edhe negociata të fshehta për emrin. “Procesi për emrin është një proces i cili është i hapur dhe nuk është i fshehtë. Ai zhvillohet në kuadër të Kombeve të Bashkuara dhe në të njëjtën kohë ka angazhim edhe nga ana e BE-s dhe nga ana e partnerëve të tjerë ndërkombëtarë që ky proces të jetë më i lehtë, më i hapur dhe më komunikues. Nuk mendoj se ka elemente të diplomacisë së fshehtë, por mendoj që ka nevojë për të treguar lidership që ky problem të tejkalohet sa më shpejtë”.

Shoqëritë shqiptare pro koncepteve panevropiane

Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova, të ardhmen e kanë në antarësimin në strukturat euroatlantike . Shqipëria ka lëvizje pozitive meqë opozita është kthyer në parlament, ndërsa Kosova po zhvillon bisedime lidhur me procesin e liberalizimit të vizave. “Në përgjithësi , shoqëritë shqiptare në rajon  janë treguar si tejet konstruktive, tejet proevropiane dhe progresivisht të orientuara ndaj proceseve euroatlantike dhe mendoj se kjo logjikë apo kjo frymë, apo ky koncep, sigurisht që do të vazhdojë edhe në të ardhmen, meqë zgjerimi i Evropës dhe konceptet panevropiane  janë koncepte mbarë shqiptare”, shprehet zëvendëskryeministrja e Maqedonisë për çështje të eurointegrimeve Teuta Arifi.

Autor: Fatos Musliu
Redaktor: Esat Ahmeti