1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia pret caktimin e datës për negociatat me BE

Fatos Musliu / Shkup11 Dhjetor 2012

A ka gjasa reale që Maqedonia të marrë datë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE? Pushtetarët në Shkup janë optimistë se do të ketë lëvizje pozitive dhe se Maqedonia e ka merituar caktimin e datës.

https://p.dw.com/p/16zj4
Komisioneri i BE-së për zgjerimin Stefan Füle gjatë një vizite në Shkup
Fotografi: MIA

Maqedonia nga sSamiti i dhjetorit i Bashkimit Evropian pret caktimin e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Zëvëndëskryemistrja për çështje të integrimeve, Teuta Arifi, thotë se Maqedonia ka realizuar me sukses obligimet nga dialogu paraprak më BE-në. Për këtë arsye ajo shpreson me optimizëm të përmbajtur se Komisioni Evropian do të japë dritën e gjelbër për caktimin e datës së fillimit të negociatave me BE-në.

“Gjatë vitit 2012 kam dhënë maksimumin e iniciativave dhe aktiviteteve, sa i përket edhe realizimit të obligimeve brenda vendit si edhe në ndërtimin e një partneriteti me Komisionin Evropian. Besoj që BE në këtë samit të dhjetorit do të gjejë një formulim me të cilin do t'i bëjë të dy palët të ndjehen fituese: Maqedoninë edhe Greqinë”, shprehet Teuta Arifi.

Zv/kryeministrja e Maqedonisë për Çështjet e Integrimit, Teuta Arifi.
Zv/kryeministrja e Maqedonisë për Çështjet e Integrimit, Teuta Arifi.Fotografi: DW

Fillimi i negociatave me kusht

Analisti Mersel Bilalli është i mendimit se Greqia në këtë samit ndoshta nuk do të përdorë veto apo thënë më mirë nuk do të kërkojë zgjidhjen e çështjes së emrit, si kusht për të fillimin e nagociatave mes Maqedonisë dhe BE-së. Sipas tij, llogjika e dhënies së vetos humb karakterin, pasi si e tillë ajo diskrediton institucionet e Bashkimit Evropian.“Shumë më tepër jam i bindur se Maqedonia do të marrë një datë për bisedimet edhe pse më shumë kisha thënë do të marrë datë për datën e bisedimeve, sepse kjo datë e bisedimeve gjithësesi do të jetë e kushtëzuar”.

Data me kusht - thikë me dy tehe

Nëse Maqedonia merr datë të kushtëzuar për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, dhe ky kushtëzim do të ishte detyrimi që çështja e emrit të zgjidhet në një fazë të hershme, kjo për Maqedoninë do të praqiste thikë me dy tehe thotë, Risto Nikovski, diplomat karriere. Sipas tij kushtëzimi për zgjidhjen e çështjes së emrit për të fituar datën e fillimit të negociatave është çëshje shumë delikate për politikbërjen në Maqedoni.

“Nëse Maqedonia pranon këtë parim kjo do të thotë se ajo pajtohet se emri është kusht për anëtarësim në BE. Me këtë Maqedonia do ta mohonte marrëveshjen e përkohshme dhe vendimin e gjykatës ndërkombëtare të Hagës për kontestin e emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë”, shprehet Nikovski.

Lidija Dimova nga Qendra për Arsimim Evropian, thotë se Maqedoninë edhe po të marrë datën e fillimit të bisedimeve, e pret një periudhë e vështirë bisedimesh me BE-në, pasi do të hapen kapitujt 23 dhe 24 që kanë të bëjnë me gjyqësorin.

“Të gjithë në BE e kanë të qartë se nëse Maqedonia nuk lëviz nga status quo, situata do të jetë totalisht e paqëndrueshme dhe se mund të përkeqësohet situata e sigurisë jo vetem në Maqedoni por edhe më gjerë në Ballkan”.

Analistë nga vendi, edhe krahas kërcënimeve nga vetoja greke janë optimistë se në këtë samit, do të ketë një lëvizje pozitive për Maqedoninë, sa i përket fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE.