1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia dhe NATO

13 Shkurt 2012

A ka gjasa reale që Maqedonia të marrë ftesë për anëtarësim në NATO në samitin e Çikagos? Autoritetet shpresojnë që Maqedonia të jetë në agjendën e samitit, por analistët janë skeptikë.

https://p.dw.com/p/142Ad
Maqedonia dhe NATO
Maqedonia dhe NATOFotografi: DW/Petr Stojanowski

Autoritetet më të larta politike në Maqedoni kanë nisur një fushatë për sensibilizimin e opinionit ndërkomëtar lidhur me anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, në samitin e Çikagos, që do të mbahet në prill të këtij viti. Ministri i Mbrojtjes Fatmir Besimi në Washington dhe Bruksel ka lobuar që Maqedonia të jetë në agjendën e samitit të Çikagos, ku do të bëhej edhe pranimi i saj në NATO.

“Nuk përjashtohet mundësia, që nëse çështja e hapur e emrit me Greqinë gjen ndonjë modalitet të përshtatshëm për Greqinë dhe Maqedoninë, vendet anëtare të NATO-s të jenë të gatshme, që edhe në samitin e Çikagos të pranojnë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Kjo nuk përjashtohet”, shprehet ministri i Mbrojtjes Fatmir Besimi.

Pa zgjidhjen e emrit s'a anëtarësim

Nikola Gruevski dhe Anders Fogh Rasmussen
Çfarë the ti?! - Nikola Gruevski dhe Anders Fogh RasmussenFotografi: AP

Shqyrtimi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO në samitin e Çikago pa zgjidhjen e çështjes së emrit është optimizëm i pabazuar, thonë analistët politikë. Aleanca Veriatlantike në vazhdimësi ka përsëritur qëndrimin e saj se Maqedonia fillimisht duhet të zgjidhë kontestin e emrit me Greqinë dhe më pas të anëtarësohet në NATO, thotë ish-ambasadori i Maqedonisë në NATO Nano Ruzhin.

“Ekziston mundësia që me iniciativë të ndonjë personaliteti të rëndësishëm nga një shtet i fuqishëm, siç është për shembull të themi Barack Obama, të propozojë që Maqedonia të pranohet në NATO me përcaktimin IRJM”, thotë Nano Ruzhin, duke shtuar se një gjë e tillë vështirë mund të ndodhë, sepse për zgjerimin e NATO-s kërkohet konsensus nga të gjitha shtetet anëtare të NATO-s.

Nënkryetari i Këshillit veriatlantik për Maqedoninë Ismet Ramadani thotë, se nëse Maqedonia hyn në axhenden e samimtit të Çikagos, atëherë gjasat  mund të jenë shumë reale që Maqedonia të pranohet në NATO.

Greqia sërish do të bllokojë

“Sipas mendimit tim dhe informacioneve, që kam, ajo nuk mund të ndodhë, sepse në samite të këtilla vënia në rend dite do të thotë  njekohësisht edhe pranim. Këtë nuk do ta lejojë Greqia”, shprehet Ismet Ramadani.

Logo e NATO-s
Logo e NATO-sFotografi: NATO

Për analistin Nikolla Dojovski optimizmi i Maqedonisë për t'u bërë anëtare e NATO-s në Çikago është i paarsyeshëm. “Pala greke nuk ka treguar shenja se në këtë drejtim ka ndërruar qëndrimin. Ndaj Maqedonia nuk ka gjasa reale të përmendet në kuptimin e zgjerimit të NATO-s “, vlerëson Dujovski.

Maqedonisë nuk i duhet samit për t'u anëtarësuar në NATO. Ajo do të bëhet pjesë e aleancës në momentin që do të arrihet një zgjidhje e pranueshme midis Shkupit dhe Athinës rreth çështjes së emrit, thuhet në një komunikatë të lëshuar pas takimit të realizuar mes ambasadorit të SHBA-ve në Maqedoni Poll Wollers dhe kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti. Në Maqedoni së shpejti do të qëndrojë ndërmjetësi i OKB-së për çështjen e emrit Metju Nimic, i cili pritet t'i jep një dinamikë të re negociatave midis Shupit dhe Athinës për emrin.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Angjelina Verbica