1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedonia pengon lëvizjen e studentëve

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë u kërkon studentëve nga Kosova, Serbia dhe Shqipëria që studjojnë në universitetet e Maqedonisë leje qëndrimi të përkohshëm në vendkalimet kufitare.

Studentët shqiptarë nga Kosova , Shqipëria dhe Lugina e Preshevës që studiojnë në Univesitetin e Tetovës dhe në Universitetin e Evropës Juglindore po përballen me pengesa administrative në vendkalimet kufitare të Maqedonisë. Mosposedimi i lejes së përkohëshme të qëndrimit është shkas për moslejimin e tyre për të hyrë në teritorin e Maqedonisë. “Studentët nga Lugina e Preshevës janë maltretuar pesë orë në kufirin e Maqedonisë. Na kërkojnë rregullimin e leje qëndrimit si studentë – shtetas të huaj”, shprehet një studente nga Lugina e Preshevës.

Universiteti i Tetovës - Pamje simbolike

Universiteti i Tetovës - Pamje simbolike

Studentët nga Kosova thonë se shumë rrallë shkojnë në shtëpi meqë kanë frikë nga proceduarat kufitare. “Kemi marrur vërtetim nga fakulteti por edhe me atë nuk na lejojnë të hymë, dhe janë aq shumë dukumenta sa besoj që janë tepër për studentë”, thotë një student. “Kemi patur problem në pikën kufitare në Jazhincë ku nuk jemi lejuar të hymë në anën e Maqedonisë”, thotë një student tjetër.

Lejeqëndrimi i obligueshëm për studentët

Pos rregullimit të lejes së qëndrimit, studentët duhet të kenë edhe vërtetim për sigurim shëndetësor për qëndrim 12 muajsh në Maqedoni që kushton afro 500 euro. Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se studentët e huaj duhet patjetër të rregullojnë lejen e qëndrimit në ambasadat e Maqedonisë në Prishtinë, Beograd dhe Tiranë. “Studentët kanë obligim të aplikojnë në ambasada sikur edhe të gjithë studentët tjerë të huaj që studiojnë në Maqedoni, nuk kanë nevojë për viza por kanë nevojë të posedojnë lejeqëndrimi”, shprehet Mihajllo Gelev shef i sektorit për punë kufitare dhe të huaj.

Universitetet do të ndihmojnë studentët

Universiteti i Shkupit - Pamje simbolike

Universiteti i Shkupit - Pamje simbolike

Rektori i Univesitetit të Tetovës Vullnet Ahmeti thotë se kjo çështje po shqyrtohet me seriozitet dhe se studentëve do tu dilet në ndihmë. “Jemi në shqyrtim e sipër të kërkesave të tyre, pak ditë më parë organizuam një takim të studentëve me sektorin për punë të brendshme në Tetovë ku ata e elaboruan më gjërësisht problemin se si duhet të kompletohen dokumentacionet. Univesiteti jonë është në mbikqyrje të problemeve të studentëve dhe normalisht se do tu ndihmojmë”.

Për rektorin e Univesitetit të Evropës Juglindore Zamir Dika është e pakuptueshme që të vendoset një barierë e këtillë administrative për studentët. “Zgjidhja e kësaj mund të bëhet me marrëveshtje të shpejtë bilaterale mes Maqedonisë dhe shteteve në fjalë, pasi që bëhet fjalë për sferen e arsimit ku nuk ka asnjë barrierë tjetër politike mendoj që është lehtë e zgjidhshme”.

Universitetet kanë angazhuar avokatë dhe noterë për të ndihmuar studentët në përpilimin e dokumentacionit të duhur.