1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedonia para sfidës së re të emigrantëve

Pas kërcënimeve të presidentit turk Erdogan për anullimin e marrëveshjes me BE-në për refugjatët Maqedonia sërish mund të përballet me një fluks refugjatësh.

Dialogu “kërcënues” që po zhvillohet mes Ankarasë dhe Brukselit lidhur me respektimin e marrëveshjes për refugjatët, ka mobilizuar sërish vendet e rajonit të Ballkanit Perendimor, më saktësisht ato shtete, që ishin në rutën e migrantëve nga Lindja e Mesme që shkonin drejt vendeve të BE-së. Si vend tranzit drejt Europës, Maqedonia ka qenë një nga koridoret kryesore që kanë përdorur refugjatët. Në 24 orët e fundit, në kampin e pranimit të refugjatëve “Vinojug” në Gjevgjeli, janë evidentuar 80 emigrantë, të cilët janë kapur duke tentuar të kalojnë ilegalisht kufirin Greqi-Maqedoni. 39 nga këto refugjatë, vijnë nga Afganistani, 11 nga Siria, nga 3 prej tyre vijnë nga Maroku dhe Iraku, pesë janë nga Pakistani, kurse dy janë nga Tunisia si edhe 17 algjerianë. Gjysma e tyre konsiderohen si refugjatë, kurse gjysma konsiderohen si migrantë ekonomikë.

Maqedonia ndodhet para një krize të re me emigrantët nga Lindja e Mesme, në rast se realizohen kërcënimet e presidentit të Turqisë Rexhep Taip Erdogan se nëse nuk ka liberalizim vizash, ripranimi i emigrantëve frenohet.

Drejtoresha e Qendrës për Menaxhimin e krizave, Suzana Saliu, thotë se Maqedonia është e gatshme që të menaxhojë situatën me emigrantët në rast se prishet marrëveshja mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian për refugjatët. Maqedonia gjithmonë ka ndjekur rekomandimet e BE-së dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe më tutje. “Evropa do të duhet të reagojë shpejt, politikat evropiane duhet të jenë të koordinuara dhe Maqedonia si një shtet aspirant për t'u antarësuar në BE edhe kësaj herë do të ndjekë koordinatat e BE-së. Maqedonia ka kapacitete që në çfarëdo mënyre të ballafaqohet me krizën e refugjatëve, këtë e dëshmoi edhe gjatë vitit të kaluar”, thotë Suzana Saliu. Sipas saj, me kthimin e valëve të emigrantëve në Maqedoni do të shtohen edhe grupet që do të bëjnë tregëti me transportin e tyre.

“Nëse do të ketë valë të re emigrantësh do të ketë pasoja negative, sepse do të ketë shtim të kontrabandës dhe tregtisë me refugjatë, do të shtohen kalimet ilegale të refugjatëve dhe në këtë mënyrë shumë do të përfitojnë grupet që tregtojnë me emigrantë”, vë në dukje Saliu. Ministria e Punëve të Brendëshme ditë më parë promovoi 24 automjete, që do të parandalojnë trafikimin e emigrantëve në rast se kemi një valë të re.

Refugjatët dhe kërcnimet terroriste

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, tha se Maqedonia rrezikohet nga sulme terroriste dhe ekstremiste, duke e ndërlidhur rrezikun nga lëvizja e migrantëve nga vendet e Lindjes së Mesme përmes territorit të Maqedonisë drejt vendeve të Evropës.“Shumica nuk pret që një territor kaq i vogël si Maqedonia të jetë imun dhe i fortë para kërcënimeve nga migrimi ilegal. Megjithatë, në mënyrë të suksesshme ne u përballëm me grupin e parë të refugjatëve.Treguam se kemi ushtri dhe polici që mund ta ruajnë kufirin”, ka theksuar presidenti Ivanov. Por sipas tij, në Maqedoni janë kthyer edhe rreth 86 persona, të cilët kanë qenë të përfshirë në luftimet në vendet e Lindjes së Mesme, një pjesë e të cilëve janë arrestuar gjatë aksionit të quajtur “Celula”, përderisa pjesa tjetër siç ka nënvizuar presidenti Ivanov, ndiqen me vëmendje nga ana e organeve të sigurisë. Ministria e Punëvetë Brendshme ka shtuar masat e sigurisë me qëllim të siç thuhet “pengimin e sulmeve të mundshme terroriste në territorin e saj”. Natalia Spirovska Kordiq nga Ministria e Punëve të Brendëshme ka thënë, se institucionet e vendit kanë intensifikuar bashkëpunimin me institucionet e tjera të sigurisë në rajon si dhe në nivel ndërkombëtar në funksion të shkëmbimit të informacioneve dhe ndërmarrjes së aktiviteteve të përbashkëta në luftën kundër terrorizmit. Eksperti për çështje të sigurisë Bllagoja Markoski thotë se Maqedonia si shtet nuk është cak i sulmeve terroriste me prioritet për qarqet e ndryshme ekstremiste megjithatë pozita e Maqedonisë është e ndjeshme veçanërisht pas kthimit të një numri të caktuar të personave që kanë luftuar në Siri, Irak dhe Afganistan.

Projekt për risocializimin e pjesëmarrësve në luftrat jashtë vendit

Bashkësia Fetare e Maqedonisë u prezantoi diplomatëve të huaj dhe institucioneve të vendit, projektin në bazë të cilit parashikohet që personat, të cilët kanë qenë të përfshirë në luftërat e huaja t'i nënshtrohet dhe një programi për rehabilitim dhe risocializim.“Në projektin që ua kemi prezantuar përfaqësuesve diplomatik parashikohet që përpos ndihmës profesionale për risocializimin e personave që kthehen nga zonat e luftës të përfshihen dhe familjarët e tyre ,sepse veprimet e këtyre personave kanë efekt edhe në familje. Bashkësia Fetare Islame vlerëson se dënimi me burg nuk mjafton për të parandaluar veprimet e tyre eventuale ekstreme në të ardhmen. Ne mendojmë se krahas dënimit me burg duhet të angazhohet një ekip i psikologëve dhe sociologëve për t'i ndihmuar ata të ballafaqohen me realitetin këtu", thotë Agron Vojnika nga Bashkësia Fetare e Maqedonisë.

Gjatë vitit të kaluar në Maqedoni në mënyrë legale kanë kaluar tranzit rreth 800 mijë emigrantë, të cilët si destinacion të fundit kanë pasur vendet e BE-së.