1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedonia para konstituimit të parlamentit të ri

Seanca konstituive e përbërjes së re të parlamenit maqedonas do të mbahet të shtunën më 25 qershor. Opinionistët vlerësojnë se opozita në parlamentin e ri do të ketë një rol më të rëndësishëm.

default

Parlamenti maqedonas

Në seancën konstituive të përbërjes së re parlamentare do të bëhet verifikimi i mandateve të deputetëve të rinj si edhe do të zgjidhet kryetari i ri i parlamentit maqedonas. Parlamenti do të fillojë punën me një risi, për herë të parë do të ulen në sallë edhe tre deputetë nga diaspora. Legjislatura e re për nga forma dhe përbërja do të jetë krejtësisht ndryshe nga të mëparshmet: Do të ketë deputetë nga dy koalicionet më të mëdha maqedonase dhe tri parti shqiptare. Kjo do të mundësojë që në parlament të ketë një raport të ri të forcave politike mes pozitës dhe opozitës, thotë analisti politik, Neser Zyberi. “Raporti i forcave do të jetë dukshëm më interesant se në përbërjen e kaluar për arsye se në këtë legjislaturë edhe brenda kampit qeverisës raportet kanë ndryshuar. VMRO-DPMNE nuk e ka më komoditetin që kishte, nuk ka shumicë absolute të numrit të deputetëve, që do të thotë se ajo duhet të jetë shumë më kooperative me partnerin e koalicionit”.

Mazedonien Treffen Parteien Parlament

Pamje simbolike. Takim i partive parlamentrae maqedonase

Opozita ka paralajmëruar rol konstruktiv në përbërjen e re

Mazhoranca nuk do ta ketë komoditetin e mëparshëm, sepse në Parlament do të ketë një opozitë dukshëm më të fortë dhe zëri, fuqia dhe ndikimi i saj do të jetë më i dukshëm, thotë Zyberi. Andrej Petrov, deputet i social demokratëve në opozitë kërkon respektimin e zërit opozitar. “Numri i deputetëve tëopozitës është solid. Blloku opozitar do të ketë disa grupe parlamentare, prandaj zëri ynë duhet të respektohet.”

E njëjta gjë kërkohet edhe nga Goran Misovski nga Lidhja e re social demokrate. Për miratimin e çdo ligji duhet të merret parasysh mendimi i opozitës, thotë ai. “Opozita do të ketë tre koordinatorë në pjesën e diskutimeve dhe në çështjet për interpelancën. Me këtë forcohet pesha e partive opozitare”, thotë Misovski.

Një shqiptare kryetare parlamenti?

Në seancën e parë të parlamentit pritet të zgjidhet edhe kryetari i ri i Parlamentit. Deri më tani si emrat më të përfolur për këtë post janë përmendur Teuta Arifi dhe Ermira Mehmeti-Devaja nga BDI. “Personalitetet duhet të vlerësohen sipas cilësisë, profesionalizmit dhe kontributit që mund ta japin për Maqedoninë. Nuk duhet të ekzistojë skepticizmi pse një shqiptare do të jetë kryetare e Parlamentit të Maqedonisë”, thotë profesori universitar Llazar Llazarov.

Emira Mehmeti Devaja,

Emira Mehmeti Devaja - emër i përfolur për postin e kryetares së parlamentit

Pas konstituimit të Parlamentit në afat prej 10 ditësh, presidenti i shtetit duhet t'ia dorëzojë mandatin liderit të VMRO-DPMNE-së,Nikolla Gruevski për formimin e qeverisë së re. Negociatat për formimin e qeverisë së koalicionit mes VMRO-së dhe BDI-së janë në përfundim e sipër. “Një marrëveshje,konkrete, precize, përfundimtare akoma nuk është arritur. Bisedimet vazhdojnë, të gjitha çështjet janë në tavolinë dhe bisedohet hapur edhe sinqerisht,” thotë Ermira Mehmeti-Devaja, pjesëmarrëse në negociata për formimin e qeverisë së koalicionit.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Lindita Arapi