1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia përfshihet nga vala e protestave

Fatos Musliu8 Maj 2015

Protesta antiqeveritare hyjnë në ditën e katërt dhe ato krahas Shkupit po organizohen edhe në shumë qytete të tjera. Në këto protesta kërkohet dorëheqja e Qeverisë dhe ngritet zëri kundër brutalitetit policor.

https://p.dw.com/p/1FN5i
Mazedonien Proteste in Skopje
Fotografi: Getty Images/AFP/R. Atanasovski

Protestat u intensifikuan pas publikimit të materialeve të përgjimeve nga ana e opozitës për vrasjen e një të riu maqedonas nga ana e një pjesëtari të policisë në vitin 2011 si dhe publikimi i dëshmive për vdekjen e gazetarit të FOKUS, Nikola Mladenov, që humbi jetën dy vite më parë.“Nikolla largohu”, “Nuk ka drejtësi, "Nuk ka paqe”, Vrasës”, ”Kriminel” janë brohoritjet më të dëgjuara në protesta.

“Do të protestojmë deri sa të jap dohrëheqje i tërë kabineti i kryeministrit, Nikolla Gruevski”, thotë një protestuese e cila nuk u lejua të afrohet para godinës së Qeverisë së Maqedonisë.Aktivistja për të drejtat e njeriut Mirjana Naçevska, thotë se forcat policore duhet të mbrojnë interesat e qytetarëve dhe duhet të jenë në funksion të sigurisë së tyre dhe jo në funksion të mbrojtjes së pushtetarëve.

“Jemi mbledhur të protestojmë kundër këtij pushteti i cili i përqesh njerëzit, i gënjen pa mëshirshëm nuk i vjedh vetëm parat e qytetarëve, por edhe të ardhmen e tyre duke ua shkatërruar të ardhmen gjeneratave më të reja”,është shprehur Mirjana Najçevska.

Mazedonien Proteste in Skopje
Fotografi: Getty Images/AFP/R. Atanasovski

Brukseli i shqetësuar për situatën në Maqedoni

Komisioneri evropian për zgjerim dhe politika fqinjësore, Johanes Hahn sërish ka alarmuar për rrezikun e situatës në Maqedoni. “Situata është shumë serioze dhe e rrezikshme. Anëtarët e Parlamentit Evropian po tentojnë të bisedojnë për një zgjidhje midis pjesëmarrësve kyç në konfliktin politik. Patjetër duhet të ketë hetime, në njërën anë për përgjegjësi penale, dhe nga ana tjetër për skandalin politik. Por është e nevojshme që opozita të kthehet në Parlament sa më parë, dhe të formohet një komiteti ekzekutiv që do të punojë për përgjegjësi politike për rastin”, thotë komisioneri evropian Hahn.

Përkeqësimi i situatës në Maqedoni duhet të parandalohet pas protestave masive. Alarmi i tillë është lëshuar nga Liberalët Evropian në Parlamentin Evropian. Kryetari i kësaj partie, Gi Verhoshtad, ka theksuar se situata në Maqedoni është shqetësuese. Ai ka theksuar se është i pashmangshëm një hetim i pavarur pas skandalit të përgjimeve.

Kriza politike po kalon në krizë sigurie

Njohësit e çëshjeve politike dhe të sigurisë në Maqedoni vlersojnë se kriza politike ka kaluar në krizë të sigurisë me tendencë të përkeqësimit me pasoja të paparashikueshme për vendin. “Protestat e ditëve të fundit dhe ato që paralajmërohen në të ardhmen, janë dëshmi se vendin e pret një krizë serioze në planin e sigurisë nëse nuk ndërmerren masa urgjente për kapërcimin e mosmarrëveshjeve",thotë Bllagoja Markovski, ekspert i çështjeve të sigurisë.

Analisti Naser Zyberi,vlerson se Maqedonia tashmë nga kriza politike ka hyrë në krizë të sigurisë. “Atmosfera skajshmërisht është e tensionuar, ajo tanimë ka eskaluar në protesta, të cilat shpesh herë janë edhe të dhunshme nga ana e policisë e cila me çdo kusht tenton ngulfatjen e tyre, apo të protesutesve që dëshirojnë të shprehin revoltën e tyre. Intensiteti i protestave mendoj se do të vjen duke u rritur e jo duke u zvogëluar pasi opozita paraljmëron se do të publikojë përgjimet më sensitive”, thotë Zyberi.

Bllagoja Markovski, thotë se zgjidhja e krizës mund të shihet në dorëheqjen e qeverisë dhe formimin e një qeverie kalimatare, e cila do të përgadiste terrenin për zgjedhje të lira dhe demokratike.Analisti Naser Zyberi vlerson se Maqedonia vështir e ka të tejkaloj këtë krizë politike pa një presion shumë të fuqishëm nga bashkësia ndërkombëtare.“Kjo garniturë politike nuk do të dorëzohet vetvetiu, pra nuk do të bindet me faktin se duhet të jep llogari për gjithë këto ngjarje. Në një situatë të tillë mendoj se faktori ndërkombëtar do të bëj presione të fuqishme që të ndërpriten të gjitha manifestimet e pakënaqësisë dhe të arrihet një marrëveshje politike për formimin e një qeverie kalimtare”, vlerson Zyberi.

Qeveria aktuale edhe pas ditës së katërt të protestave i ka hedhur poshtë kërkesat për dorheqje duke i vlerësuar protestat si skenar për destabilizimin e vendit.