1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia në votime

11 Dhjetor 2016

Qytetarët e Maqedonisë votojnë për përbërjen e re të Parlamentit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

https://p.dw.com/p/2U5lP
Mazedonien Skopje
Fotografi: DW/P. Stojanovski

Për zgjedhjet e nënta parlamentare, të katërtat të parakohshme, në Listën zgjedhore të regjistruar për votim janë 1.784.416 shtetas të Maqedonisë. Në Maqedoni do të votojnë 1.531.368 qytetarë, në Listën e posaçme zgjedhore janë regjistruar 230.122 persona, të cilët në pajtim me evidentimin e organit kompetent konsiderohet se janë në punë të përkohshme jashtë vendit, ndërkaq për votim në diasporë KSHZ i pranoi paraqitjet e 20.573 votuesve. Zgjedhjet do të zhvillohen sipas modelit proporcional në gjashtë njësi zgjedhore. Në çdo njësi do të zgjidhen nga 20 deputetë. Në zgjedhje marrin pjesë 11 subjekte politike: gjashtë parti politike dhe pesë koalicione me 58 lista me 1.092 kandidatë. Vendvotimet janë hapur në orën 7:00, ndërsa votimi përfundon në orën 19:00.

Materiali zgjedhor është shpërndarë në të gjitha njësitë zgjedhore dhe janë bërë të gjitha përgatitjet për votimin e nesërm në vend, thonë nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. "Gjatë ditës së djeshme KSHZ përfundoi me shpërndarjen e materialit në komisionet zgjedhore komunale, tashmë komisionet zgjedhore komunale kanë dorëzuar materialin zgjedhor tek këshillat zgjedhorë. Ata gjithashtu konstatuan se nuk ka asnjë mungesë, gjithçka është këtu, të gjithë janë të gatshëm me materialin zgjedhor për zbatimin e votimit”, ka deklaruar Ljupka Guguçevska, zëdhënëse e KSHZ-së.

Procedurë strikte e votimit

Pas ardhjes në vendvotim, qytetarit së pari i kontrollohet gishti i madh i dorës së djathtë nëse eventualisht ka gjurmë nga sprej pa ngjyrë ultravjollcë, më pas bëhet kontrolli i dokumenteve për identifikim personal.Përpos letërnjoftimit ose pasaportës valide nuk lejohet votimi me dokumentacion tjetër identifikimi. Për herë të parë në këto zgjedhje në listën zgjedhore do të jetë edhe fotografia e votuesit. Votuesit të cilët janë analfabet ose kanë pengesa fizike do të vendosin gjurmën e gishtit të madh të dorës së majtë në vendin për nënshkrim.Nuk lejohet të votojë ai votues i cili do të refuzojë të nënshkruhet ose ti vendoset sprai i padukshëm.

Ndëshkime të rrepta për ata që nuk respektojnë ligjin

Dënime të larta me para dhe burg parashihet për rastet e shkeljeve të rregullave të procesit zgjedhor.Prej 3 deri më 6 vjet burg do të dënohet personi i cili pengon për të votuar, mbajtje të armës dhe detyrim për votim.Personi i cili e fotografon votën e tij do të dënohet nga 300 deri më 1000 euro.

Diaspora dhe të burgosurit votuan një ditë më parë

Votuesit në diapsorë kanë votuar një ditë para zgjedhjeve(10.12.). Të drejtën e votës jashtë vendit shtetasit e Maqedonisë e kanë realizuar në 46 përfaqësitë diplomatike konsullare dhe zyrat konsullare.Më së shumti të paraqitur për të votuar ka në Bernë 4256, në Venecie 2724, në Detroid 1170, Nju-Jork 1168, Melburn 1112,më së paku të paraqitur ka në Madrid 10, në Pekin 13 dhe në Varshavë 14 votues. Dalja më e madhe në votime në diasporë sipas KSHZ është regjistruar në Sofje dhe në Ankara

Votimi të shtunën është mbajtuar edhe për 2.015 të burgosur dhe persona në paraburgim. Në shtëpi apo në adresë ku janë paraqitur të shtunën kanë votuar dhe persona të sëmurë dhe të pafuqishëm.

Vëzhguesit në terren

Asociacioni Qytetar "Most” do t'i ndjekë zgjedhjet me më shumë se 3.000 vëzhgues, të cilët do ta mbulojnë 55% të numrit të përgjithshëm  të vendvotimeve.

"Vëzhguesit statik do t'i ndjekin votimet, procesin e mbylljes dhe numërimin e votave dhe finalizimin e punëve administrative nga ana e komiteteve zgjedhore. Si vëzhgues logjistik statik do të jenë mbi 120 ekipe mobile, ndërkaq 80 vëzhgues do ta ndjekin punën e Komisioneve Zgjedhore Komunale si dhe Komisionit Shtetëror Zgjedhor”, ka deklaruar kryetari i "Most”, Darko Aleksov.

"Most” gjithashtu apelon që të mbahen zgjedhjet korrekte dhe demokratike, ndërkaq qytetarët të votojnë me vullnetin e tyre, sepse po votohet për lirinë, ndërkaq fshehtësia e votës është e garantuar. 

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut