1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedonia nuk do të shndërohet në kamp refugjatësh

Shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Poposki ka qenë i prerë në deklarimet rreth krizës së refugjatëve. Maqedonia nuk është e gatshme të ndërtojë kampe për strehimin e refugjatëve në periudhë afatgjatë.

Autoritetet në Maqedoni do t'i trajtojnë në mënyrë sa më njerëzore refugjatët, do të sigurojë kushte për çdo azilkërkues sipas detyrimeve ndërkombëtare mirëpo në asnjë mënyrë Maqedonia nuk mund të shëndërrohet në vend parkimi për emigrantët nga Lindja e Mesme, ka thënë ministri i Jashtëm i Popovski. Ai thotë se emigrantët Maqedonisë i vijnë nga një vend anëtar i BE-së, nuk kanë zbritur me parashutë.

“Nuk kemi asnjë interes që Greqia të mos mund t'i tejkalojë problemet me emigrantët, por ne nuk do të lejojmë që të zbatohen zgjidhje të cilat do të shkonin në dëm të Maqedonisë. Në dëm tonin do të ishte nëse Greqia do të kthehej në vend-parkimi për emigrantët, por ne në asnjë rast nuk do të lejojmë që Maqedonia të bëhet parkim për emigrantët. Po ndalojmë emigrimin joligjor dhe po lëshojmë dhe sigurojmë trajtim të sigurt për të gjithë ata që kanë bazë për të kërkuar azil në BE”, ka thënë Nikolla Popovski, ministër i Jashtëm i Maqedonisë.

Masa të reja për regjistrimin e refugjatëve

Përfaqësuesit e ministrive të Punëve të Brendshme nga Maqedonia, Kroacia, Austria, Sllovenia dhe Serbia, kanë arritur një marrëveshje lidhur me standardet dhe aplikimin e kritereve të përbashkëta për regjistrimin migrantëve.Migrantët që nuk kanë me vete pasaportë apo kartë identiteti, nuk do të lejohen ta kalojnë kufirin, pasi filtrat e parë të kontrollit do të vendosen në hyrje të Greqisë, ndërsa kontrolli i ardhshëm më i detajuar do të bëhet në kufirin mes Maqedonisë dhe Greqisë. Sipas drejtorit të Byrosë për Siguri Publike në Maqedoni, Goranço Savovski, këto masa janë ndërmarrë me qëllim që të parandalohen keqpërdorimet e ndryshme gjatë lëvizjes së migantëve drejt vendeve e Bashkimit Evropian .

“Ramë dakord që të bëjmë përpjekje për standardizimin e regjistrimit të migrantëve dhe të vendosen kritere të qarta dhe të përbashkëta, të cilat migrantët do të duhet t'i plotësojnë, në mënyrë që të lëvizin nëpër këtë trajektore”, ka theksuar Goranço Savovski.

Maqedonia nuk ka kapacitet për strehim afatgjatë të refugjatëve

Përfaqësues të organizatat humanitare të cilat veprojnë në Maqedoni thonë se të gjitha kontrollet, si dhe pajisja me dokumentacionin përkatës për të udhëtuar në vendet e BE-së, duhet të bëhen në Greqi, sepse atje ka më shumë qendra pranuese, përderisa në Maqedoni kapacitetet janë shumë të kufizuara.

“Regjistrimi dhe pajisja me dokumentacionin përkatës për migrantët me çdo kusht duhet të bëhet në Greqi, ata mund ta bëjnë fotografimin, regjistrimin e shenjave të gishtërinjve të migranëve, duke i pajisur me dokumentacionin përkatës, me të cilin ata do ta kenë më të lehtë rrugën drejt Evropës. E them me shumë përgjegjësi se Maqedonia nuk disponon një kapacitet të tillë”, thekson Jasmin Rexhepi, nga organizata humanitare LEGIS.

Përfaqësuesit e UNHCR-së në Shkup thonë se Maqedonia nuk ka kapacitete për të strehuar migrantët nga Siria, Iraku dhe Afganistani më shumë se disa orë. Mohamed Arif, përfaqësuesi i UNHCR-së në Shkup, bën të ditur se përmes Maqedonisë, kohët e fundit kalojnë tranzit mesatarisht rreth 2 mijë migrantë, të cilët nisen drejt Gjermanisë dhe Austrisë.

“Objektet, të cilat janë ndërtuar në Maqedoni për pranimin e migrantëve dhe infrastruktura rreth tyre, nuk mundëson qëndrimin e tyre më shumë se disa orë. Migrantët maksimumi mund të strehohen gjashtë orë në qendrat pranuese. Në të dy qendrat pranuese në Maqedoni, Gjevgjeli dhe Tabanoc, disponojnë një kapacitet për të pranuar maksimum 2 mijë refugjatë, të cilët mund të qëndrojnë më së shumti gjashtë orë. Por, më duhet ta përsëris, se këta dy qendra pranuese nuk janë ngritur me idenë që aty të mund të strehohen migranët një dy ose tre net”, thotë Arif.

Të dhënat zyrtare nga dikasteri i Policisë së Maqedonisë bëjnë të ditur se përmes Maqedonisë, nga një janari i këtij viti kanë kaluar tranzit mbi 63.000 migrantë.