1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedonia nga nxënës shembullor në rast problematik

Në një kohë kur shtete të tjera ballkanike kanë lënë pas rrugën nga lufta në drejtim të anëtarësisë në BE, Maqedonia ka ecur në drejtim të kundërt. Ky vend kremton sot 25 vjetorin e pavarësisë.

"Unë kam jetuar njëherë një vit e gjysmë jashtë shtetit dhe dua të shpërngulem prapë", thotë Blazen. Shkencëtari i ri ka thuajse të njëjtën moshë sa atdheu i tij i pavarur. Por ai ka ndërmend të emigrojë, për të ndërtuar një jetë më të mirë. Njësoj si ai mendojnë shumë maqedonas. Sipas OECD-sëm nga Maqedonia emigruan vetëm në vitin 2014 rreth 20.000 vetë. Janë para së gjithash të rinj, që duan të largohen nga mjerimi i përhershëm në vend.

Ata nuk shikojnë për veten perspektivë në një vend, në të cilin 25 vjet pas pavarësisë kuota e varfërisë është 22 përqind dhe kuota e të papunëve gati 25 përqind. Prej këtyre, më shumë se gjysma janë të rinj nën moshën 29 vjeç. Borxhi aktual shtetëror aktualisht është 49 përqind e Produktit Kombëtar Bruto. Këto janë të dhënat zyrtare, të cilat prej shumë ekspertëve konsiderohen të zbukuruara. Kjo në një kohë kur Maqedonia është një vend që e ka që prej vitit 2005 statusin e kandidatit për në BE dhe që konsiderohej për një kohë të gjatë krahas me Kroacinë si nxënëse shembullore e integrimit evropian.

Ekonomia e dobët është vetëm një pjesë e realitetit gri maqedonas. Korrupsioni është në rend të ditës, liria e medieve është eleminuar, respektimi i të drejtave të njeriut keqësohet në mënyrë të vazhdueshme. Gjendja në vend është e paqetë, që në fillim të 2015-ës, kur opozita publikoi pjesë nga bisedat telefonike të përgjuara, të cilat tregojnë shpërdorim pushteti dhe kontroll institucionesh nga ana e qeverisë. Amnestia e Presidentit të shtetit për 56 politikanë dhe nëpunës shtetërorë, kundër të cilëve zhvillonte hetime një prokurori speciale për shkelje në detyrë, u anulua nga presioni i rrugës dhe në sajë të punës ndërmjetësuese të Perëndimit, para së gjithash të Gjermanisë. Aktorët politikë janë kthyer sërish në tryezën e negociatave. Në dhjetor do të mbahen zgjedhje të reja, për këtë është nënshkruar një marrëveshje.

Zgjedhjet nuk do ta qetësojnë gjendjen

"Zgjedhjet janë një shans historik për ta ndëshkuar qeverisjen e keqe, për t'i thënë jo politikës së vjetër të konsumuar, për ta mënjanuar turpin dhe për ta rikthyer shpresën, i thotë ish-diplomati Nikola Dimitrov Deutsche Welles.

Maqedonia ka një problem të madh me demokracinë, thekson ish-ministri i Brendshëm dhe i jashtëm i Maqedonisë Ljubomir Frckoski në bisedë me DW. Prandaj "këtij instrumenti", zgjedhjeve "nuk u duhet kushtuar rëndësi shumë e madhe." Qeveritarëve "u duhet marrë nga duart i gjithë sistemi i instrumentave dhe të vendoset në një bazë normale të hapur nën monitorim ndërkombëtar, gjë që për fat po ndodh tani në Maqedoni", tha Frckoski.

Eksperti i Ballkanit, Franz-Lothar Altmann është i mendimit se Maqedonia nuk ka kohë për të humbur. Zgjedhjet pa probleme janë të rëndësishme për të ardhmen e vendit, por edhe zgjidhja e grindjes për emrin me Greqinë, e cila bllokon rrugën për në BE dhe për në NATO. "Presioni ndaj Greqisë duhet të përsëritet nga ana e BE dhe duhet thënë: ju duhet t'ia hapni rrugën Maqedonisë. Nuk mund të vazhdohet kështu se keni një vend në krizë në kufi."

Por ekspertët janë edhe të mendimit se grindja për emrin nuk duhet të jetë justifikim për moskryerjen e reformave dhe për izolimin gjithnjë e më të madh të vendit. Shkencëtari Blazen mendon se për të ecur përpara vendi ka nevojë për një "ndryshim tektonik". Elitat e vjetra politike duhet t'ua lënë vendin të rejave. Blazen vetë dëshiron të kualifikohet më tej në Perëndim dhe "në një rast ideal" ndoshta të kthehet pastaj sërish në Maqedoni.