1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedonia në zi – Të vrarë e të plagosur në Kumanovë

Situata në Kumanovë vazhdon të jetë e tensionuar, megjithëse e qetë gjatë ditës së hënë. Njoftohet për 8 policë të vrarë, një duzinë viktimash nga personat e armatosur dhe mbi 37 të plagosur.

Ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska, bëri të ditur që prej mesnatës mes të shtunës dhe së dielës (09.05 - 10.05) , se janë 8 policë të vrarë, prej të cilëve një polic është shqiptar dhe 37 të tjerë të plagosur. Ajo nuk ka zyrtarizuar asnjë informacion mbi viktima apo të plagosurit në anën e grupit të armatosur, apo qoftë edhe të civilëve në "Lagjen e Trimave" në Kumanovë.

"Të gjithë ata treguan vullnet të paparë dhe përkushtim për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Maqedonisë. Cak i sulmeve të grupit terrorist ishin institucionet shtetërore. Se sa është i fuqishëm ky grup dëshmon edhe rezistenca e tyre që ka zgjatur mbi 24 orë. Aksioni po vazhdon, një pjesë e grupit janë dorëzuar ndërsa një pjesë vazhdon të bëjë rezistencë. Një pjesë e grupit të armatosur janë nga Maqedonia dhe një pjesë kanë hyrë nga një shtet fqinj", ka deklaruar Jankullovska. Aksioni ka qenë i vështirë dhe është një ndër aksionet më të vështira me të cilat është përballur policia e Maqedonisë, thotë Jankullovska.

Kryeministri Nikolla Gruevski ka vizituar policët që janë lënduar në përleshjen e armatosur në Kumanovë. Së bashku me kryeministrin, policët e lënduar i ka vizituar edhe Ministri i Shëndetësisë Nikolla Todorov. Për Gruevskin kjo ishte paraqitja e parë në opinion pas fillimit të përleshjeve në Kumanovë.

Situata ende e tensionuar në Kumanovë

Gjatë mëngjesit të ditës së dielë(10. 05) u regjistruan të shtëna dhe shpërthime të reja në Kumanovë, ku gjatë tërë ditës së shtunë u zhvilluan luftime të ashpra ndërmjet forcave policore dhe një grupi të armatosur. Mbi këtë lagje edhe sot kanë fluturuar helikopterët e policisë. Lagja mbetet e rrethuar nga forcat policore dhe është e pamundur të depërtohet në vendin ku gjatë ditës së djeshme dhe sot ka pasur shkëmbime zjarri mes palëve.

"Ka aktivitete në terren dhe do të ketë edhe për një periudhë kohore dhe në momentin kur do të kemi diçka për të thënë do të dalim me informata në opinion", deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ivo Kotevski, duke konfirmuar vazhdimin e aksionit policor.

Në "Lagjen e trimave" në Kumanovë mungon furnizimi me ushqime. Dyqanet që kanë funksionuar në këtë lagje, janë tërësisht të mbyllura. Qytetarët po mundohen që të gjejnë rrugë alternative për t'u furnizuar me ushqime. Disa pjesë të "Lagjes së Trimave" në Kumanovë sot kanë qenë pa rrymë.

Dy ditë zie në Maqedoni

Qeveria e Maqedonisë në një seancë të jashtëzakonshme solli vendim për caktimin e 10 majit dhe 11 majit si ditë zie për shkak të humbjes së jetës të përfaqësuesve të forcave të sigurisë, gjatë përleshjeve Kumanovë. Gjatë këtyre dy ditëve flamujt do të jenë në gjysmështizë.

Presidenti Ivanov lidhur me ngjarjet në Kumanovë ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në format të zgjeruar. Pas mbledhjes pritet që Presidenti Ivanov t'i drejtohet me një deklaratë opinionit.

Fillon procesi gjyqësor për të arrestuarit

Të gjithë të arrestuarit në aksionin e së shtunës (09.05)në Kumanovë, janë dërguar në stacionin policor në Autokomandë. Mësohet se gratë dhe fëmijët janë liruar, ndërsa në këto momente po merren në pyetje vetëm burrat. Pas aksionit të armatosur në Kumanovë, Prokuroria Publike ka dërguar njoftim në të cilin thuhet se Ministria e Brendshme ka ngritur padi penale për një numër të caktuar personash për veprën penale: cënim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurinë. Të arrestuarit do të dalin para gjyqësisë.
Nga prokuroria publike informojnë se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme hetimore, por nuk jepen detaje rreth ngjarjes për shkak të hetimit.

Misioni i OSBE-së në Shkup po monitoron dhe vlerëson nga afër situatën e sigurisë në Kumanovë dhe kërkon që të gjithë palët e shqetësuara të tregojnë vetëpërmbajte. "Jemi në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha autoritetet përkatëse dhe apelojmë tek të gjithë qytetarët dhe partitë politike të ruajnë qetësinë. Prioritet i menjëhershëm dhe urgjent është shmangia e çfarëdo përshkallëzimi që mund të çojë në dhunë të mëtejshme", ka deklaruar ushtruesja e detyrës, ambasadore e Misionit të OSBE-së në Shkup, Marian Bereks.

Maqedonia në mediat e huaja

Përleshja e armatosur midis forcave policore të Maqedonisë dhe grupit të armatosur ka gjetur jehonë të madhe tek mediat në rajon dhe në botë. "Nuk ka paqe në Kumanovë", "Të shtëna të reja edhe këtë mëngjes", "Shteti ka shpallur dy ditë zie". Këto janë artikujt në mediat në rajon dhe në Europë për zhvillimet në Maqedoni. Mediat në Shqipëri, Kosovë e Serbi vazhdojnë të raportojnë se aksioni i policisë në Kumanovë po vazhdon. Mediat e huaja thonë se destabilizimi i djeshëm i Maqedonisë ku u vranë 8 policë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, ngriti shqetësimin e Perëndimit në lidhje me stabilitetin e Maqedonisë. Kriza në Maqedoni është edhe në fokusin e informimit në Bullgari, Kroaci dhe Slloveni. Thirrje për qetësi kanë drejtuar edhe ambasadat e SHBA-së dhe BE-së.

DW.COM