1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Maqedonia në udhëkryq pas bojkotit të opozitës

Bojkotimi i zgjedhjeve lokale e kthimi i mandatave të deputetëve të opozitës kanë vënë në pikëpyetje të ardhmen e proceseve eurointegruese të Maqedonisë. Ndërkombëtarët kërkojnë zgjidhje për krizën politike.

Zgjedhjet lokale te 24 marsit do të mbahen pa opozitën maqedonase pas vendimit për bojkotim të zgjedhjeve lokale për shkak të refuzimit të kërkesës së saj për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Lideri i opozitës socialdemokrate Branko Cërvenkovski ka thënë se vendimi për bojkotin e zgjedhjeve ka qenë një vendim i rëndë por sipas tij historik .

Opozita po zhvillon konsultime për gjetjen e formave të reja të shprehjes së protestës kundër qeverisë Gruevski. “Presim nga qeveria që të bëjë hapin e parë, ne si opozitë jemi të gatshëm për dialog. Nëse thirrja jonë injorohet ne do t'i përdorim të gjitha masat demokratike për të ndërgjegjësuar opinionin, por edhe për të forcuar kapacitetet e opozitës për dalje nga kriza politike në të cilën gjendet vendi”, thotë Zoran Zaev nënkryetar i LSDM-së. Ai ka konfirmuar edhe një herë se në ditën e zgjedhjeve lokale më 24 mars në shenjë të shprehjes së pakënaqësisë ndaj pushtetit aktual të gjithë 42 deputetët e opozitës do t'i dorëzojnë mandatet e tyre në parlament.

Lideri i opozitës socialdemokrate, Branko Crvenkovski

Lideri i opozitës socialdemokrate, Branko Crvenkovski

Situata në Maqedoni frustrim për ndërkombëtarët

Kriza politike e krijuar në Maqedoni me bojkotin e zgjedhjeve lokale nga ana e opozitës maqedonase ka shkaktuar shqetësim edhe tek Komisioni Europian. Eurokomisari për zgjerim i BE-së Stefan Füle ka anuluar vizitën e tij të paraparë në Maqedoni duke u shprehur i zhgënjyer nga mungesa e progresit për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni. Në Komisionin Europian tani për tani janë në dilemë se si do të përpilohet raporti i pranverës për Maqedoninë.

Në dhjetor ishte e paraparë që Komisioni Europian në pranverë të përgatisë raportin e progresit për reformat në Maqedoni. Bojkoti i zgjedhjeve nga opozita dhe largimi i socialdemokratëve nga Parlamenti e kanë vënë në pikpyetje hartimin e raportit nga KE. Edhe raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropjan Riçard Hovit pas vizitës në Shkup është shprehur se kriza politike do të ketë pasoja të rënda për procesin integrues dhe se Maqedonia rrezikon seriozisht që të marrë raport negativ. Çështja e një raporti negativ nuk do të jetë përgjegjësi e njërit apo tjetrit subjekt politik por përgjegjësi e gjithë shtetit ka thënë Hovit.

Eurodeputetja gjermane Doris Pak ka vlerësuar se sjellja e opozitës socialdemokrate e zbeh imazhin e vendit dhe se veprimi i saj është një rrugë që nuk çon drejt BE-së. Në kumtesën e përbashkët të ambasadës së SHBA-ve dhe BE-së thuhet se liderët politikë në Maqedoni duhet të marin përgjegjësinë dhe të gjejnë zgjidhje për krizën politike në vend duke i vendosur në plan të parë interesat e shtetit dhe të qytetarëve të tyre.

Nikola Gruevski

Nikola Gruevski

Opozita krijon krizë artificiale

Kryeministri Nikolla Gruevski akuzon liderin e opozitës për tentim të krijimit të krizës artificiale. Sipas tij , Crvenkovski është i aftë vetëm për manipulim, rezultati i sjelljes së tij ndaj shtetit mund të ketë pasoja për të ardhmen europiane të vendit, thotë Gruevski. Ish-funksionari i lartë i LSDM-së Vlado Buçkovski vlerëson se dëmet që po i shkakton lideri i socialdemokratëve Branko Cërvenkovski do të jenë me pasoja të mëdha si për partinë ashtu edhe për Maqedoninë. “Skenaret e opozitës me bojkotin e zgjedhjeve lokale dhe kthimin e mandatëve të deputetëve mund të jenë fillimi i fundit të Lidhjes Social Demokrate”, shprehet Buçkovski.

Kriza me reflektim gjithëpërfshirës

Analisti Ivica Bocevski vlerëson se opozita maqedonase duke mbrojtur interesin e liderit të saj po shkakton dëme të paparashikueshme për ardhmërinë e vendit. “Në periudhën kur pritet raporti nga Komisioni Europian dhe kur janë intensifikuar bisedimet për çështjen e emrit, të merren vendime për bojkotim të zgjedhjeve dhe kthimin e mandateve të deputetëve do të thotë të punosh kundër interesave strategjike të vendit që para së gjithash kanë të bëjnë me proceset eurointegruese”, shprehet Bocevski.

Ndërsa analisti Albert Musliu vlerëson se pozicionet e krijuara midis dy partive më të mëdha maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM kanë përkeqësuar atmosferën e përgjithshme në vend në prag të zgjedhjeve lokale. “Kriza do të reflektohet në forma të ndryshme, jo vetëm në skenën politike por edhe në jetën shoqërore dhe ekonomike. Në Maqedoni edhe më tej po thellohet kriza politike pasi opozita paralajmëron radikalizmin e veprimeve të saj". Në zgjedhjet lokale të 24 marsit do të garojnë koalicioni “Për Maqedoni më të mirë “ e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, partitë shqiptare BDI, PDSH, RDK dhe 29 kandidatë të pavarur.